Periferi

Ky agjërim marrëdhëniesh njerëzore

14 Mars 2020, 15:53| Përditesimi: 14 Mars 2020, 16:24

  • Share

Pasioni i Italisë, masat e rrepta për të bllokuar koronavirusin, bënë kontrast me qëndrimin e ftohtë të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Spanjës, por sidomos të Britanisë së Madhe. Pastaj rigoroziteti i Kinës: mbyllja e menjëhershme në karantinë, pamjet rrënqethëse nga vatra Wuhan, ndërtimi në kohë rekord i spitaleve dhe dalja nga emergjenca me shërimin e pacientit të fundit pas tre muajve përpëlitje.

Fjalët e kryeministrit britanik Boris Johnson dhe të këshilltarit të tij shkencor Patrick Vallance shokojnë: “Le të marrin virusin shumica e britanikëve, do të vdesin disa, por duhet bërë infektimi i turmës që të jemi më të fortë stinën e ardhshme”.

Me kë jemi dhe si jemi ne, shqiptarët? Besoj se shpirtin dhe zemrën e kemi më afër me Italinë, ku kemi parë se si i trajtojnë dhe sa i duan të moshuarit e tyre. Vetëm në Itali kemi parë atë gjallëri tek mosha e tretë sa vështirë të shihet në të tjera vende të botës. Vetëm në familjet italiane mund të gjesh aq shumë të moshuar, 80 vjeçarë e më sipër, që me zemër e gëzim gatuajnë dhe trashëgojnë receta të jashtëzakonshme nëpër familjet e tyre. Të moshuarit italianë nuk janë qënie njerëzore të parkuara në një cep të shtëpisë në pritje të vdekjes. Ata gëlojnë ide, punë, kontribut në familje, drejtojnë e komandojnë. Janë të çmuar.

Kështu i shoh dhe familjet shqiptare në këtë përballje të vështirë. Krah për krah me njëri-tjetrin për të vlerësuar e nxjerrë mes nesh më të mirën. Le të themi një të vërtetë të madhe: Qytetet bosh, mungesa e një takimi, e një përshëndetje njerëzore është një e madhe që na mungon. Si ndjehet këto ditë vajza e supermarketit? Po kamarieri që na shërben kafen e mirë, po fqinja, që përditë e përshendesim teksa nxjerr qenushin e bukur shëtitje, po kolegët, të afërmit, miqtë?

Shpresoj që ky agjërim marrëdhëniesh njerëzore të na bëjë të zbulojmë të bukurën dhe të vlefshmen të njëri-tjetri e pas kësaj, të mëndohemi 1000 herë para se të lëndojmë një Njeri.

xy/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?