Këshilltarët e Doshit bëhen bashkë me Rithemelimin në Dibër, kërkojnë informacion për hidrocentralin e Skavicës! Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak

3 Maj, 18:36| Përditesimi: 3 Maj, 19:01

  • Share

Anëtarët e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit në Këshillin Bashkiak të Dibrës iu bashkuan atyre të Rithemelimit, duke braktisur mbledhjen e kësaj të premteje. Për pasojë mbledhja, në të cilën nuk mori pjesë edhe një këshilltar i majtë, Sokol Sava, dështoi, ndërsa në rendin e ditës ishte dhe ndihma ekonomike.

Arsyeja pse opozitarët dhe socialdemokratët bojkotuan lidhet me hidrocentralin e Skavicës. Prej 19 prillit, 14 këshilltarë të opozitës dhe PSD-së, përfshirë dhe njëri i PD-së së vulës, kishin depozituar në këshill një kërkesë për mbledhje jashtë radhe, duke kërkuar kryetarin e Bashkisë në seancë për të dhënë informacion për projektin e HEC-it të Skavicës si dhe rolin që do ketë Bashkia. Kryetarja e këshillit bashkiak nuk e kishte futur në rendin e ditës, ndërsa kryebashkiaku socialist Rahim Spahiu nuk ishte i pranishëm në mbledhje.

“Të gjithë thirrni arsyes përtej politikës! Skavica është një projekt që zhduk 20 fshatra dhe detyrohen qindra banorë të shpërngulen”, tha Alketa Agolli, këshilltare e Rithemelimit.

Ndërsa këshilltari i PS-së, Hysen Uka, tha se kryebashkiaku Spahiu mungonte për arsye familjare, por do të jetë i pranishëm në mbledhjen e radhës ku do japë shpjegime për Skavicën, edhe pse vendimmarrja i takon qeverisë dhe jo pushtetit lokal.

Në një vendim të 30 janarit të kaluar Gjykata Kushtetuese nuk legjitimoi pretendimet e 3 shoqatave për rrëzimin e ligjit dhe të vendimit të qeverisë për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës. Qeveria e cilëson hidrocentralin e Skavicës si projektin më të rëndësishëm dhe më strategjik për sektorin energjetik shqiptar, të cilën është gati për ta bërë realitet. Sipas të dhënash jozyrtare, diga mund të shkojë mbi 440 metra e lartë me një kosto mbi 500 milionë euro.

Partia Socialiste ka 13 vende në Këshillin Bashkiak të Dibrës, numra të cilat nuk i mjaftojnë për të zhvilluar mbledhjet e vetme. Ndërkohë Këshilli përbëhet nga 31 anëtarë në total, ku PSD-ja ka 6 vende, 5 Rithemelimi, 1 PD e vulës dhe 6 të tjerët nga partitë e vogla.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?