Kuvendi, rezolutë për komisionerin për të drejtën e informimit dhe mbrojtjes së të dhënave: Të hetohet dalja e pagave të shqiptarëve

2 Maj 2022, 10:32| Përditesimi: 2 Maj 2022, 14:31

  • Share

Skandali i publikimit të të dhënave personale të shqiptarëve duhet të sqarohet brenda vitit. Hetim të plotë të çështjes kërkohet nga Kuvendit i Shqipërisë përmes një projektrezolutë që u miratua në seancë plenare të enjten e kaluar. Në projekt rezolutën për punën e komisionerit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjes së të dhënave kërkohet që hetimi administrativ të mbyllet brenda vitit 2022.

Në dokument analizohet puna e deritanishme e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, për vitin 2021.

Skandali i publikimit të pagave dhe të dhënat personale rrezikoi  stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve. Këto të dhëna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 shqiptarëve, numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj! 

Projektrezoluta e plotë

Kuvendi i Shqipërisë:

- Duke vlerësuar rolin e institucionit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në zbatimin e drejtë dhe të paanshëm të mbikëqyrjes ligjore për konsolidimin e standardeve në ushtrimin e të drejtave të njeriut;

- Duke vlerësuar kontributin e institucionit në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet zbatimit me sukses të Projektit të Binjakëzimit “Ndërtimi i institucioneve për harmonizimin me acquis të BE për të përmbushur kriteret ekonomike lidhur me mbrojtjen e të dhënave”, si dhe nëmodernizimin e kuadrit ligjor për të drejtën e informimit;

- Duke vlerësuar veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit në zhvillimin me përgjegjshmëri të hetimeve administrative ex-officio në lidhje me rastin e cenimit dhe përhapjes së të dhënave personale;

- Duke vlerësuar zgjedhjen e Zyrës së Komisionerit në Komitetin Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), si një mundësi për të nxitur autoritetet publike shqiptare në konsiderimin e transparencës si faktor pozitiv në komunikimin me publikun si mekanizëm për të luftuar korrupsionin.

Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi veprimtarinë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2021 dhe konstaton se:

- Ka realizuar plotësisht Rekomandimet e adresuara në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si edhe ato të adresuara nga Raporti i Progresit për Shqipërinë të Bashkimit Evropian për vitin 2021;

- Ka dhënë kontribut parësor në hartimin e projektligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale” të përafruar me acquis të BE dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119, datë 14.09.2014 “Për të drejtën e informimit”;

- Ka konsoliduar procesin e shqyrtimit administrativ të ankesave për dhënien e informacionit/dokumentacionit me karakter publik, aspekt i veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit, e vlerësuar edhe nga partnerë ndërkombëtarë (SIGMA/OECD);

- Ka kryer hetime administrative me fokus monitorimin e programit të transparencës të kategorive të ndryshme të autoriteteve publike, si dhe ka dalë me vendimmarrje konkrete për zbatimin e legjislacionit në këtë fushë;

- Ka kontribuuar në shtimin e numrit të autoriteteve publike që kanë instaluar Regjistrin elektronik të kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtën e informimit në portalin pyetshtetin.al (REKPDI) dhe Sistemin e Menaxhimit të Aplikimit në portalin unik qeveritar e-Albania (AMS) për trajtimin e kërkesave/ankesave online nëpërmjet tyre;

- Ka kryer një veprimtari të gjerë e komplekse në kuadër të hetimeve administrative për rastet e përhapjes së të dhënave personale, duke nxitur marrjen e masave konkrete e të shpejta për garantimin e plotë të të drejtave të qytetarëve;

- Ka kryer monitorimin dhe mbikëqyrjen e kontrolluesve në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe marketingut të drejtpërdrejtë, të cilët në veprimtarinë e tyre përpunojnë sasi të mëdha të dhënash personale e sensitive, me fokus verifikimin e masave tekniko-organizative në garantimin e një procesi përpunimi të sigurt;

- Ka miratuar një Rekomandim unifikues për 15 kontrollues publikë në sektorin e shëndetësisë, për marrjen e masave tekniko-organizative me qëllim garantimin e sigurisë së të dhënave gjatë proceseve përpunuese;

- Ka vijuar angazhimin në veprimtari ndërgjegjësuese sipas fushave të përgjegjësisë me autoritete publike, shoqërinë civile, median dhe grupet e interesit, për respektimin e të drejtave të qytetarëve;

- Ka luajtur rol aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare në kuadër të organizmave ku është anëtar, duke synuar zbatimin e praktikave më të mira në të dy fushat e veprimtarisë.

Kuvendi i Shqipërisë kërkon që Zyra e Komisionerit, për vitin 2022 në përmbushje të detyrave të ngarkuara me ligj, të angazhohet veçanërisht dhe në këto drejtime:

1. Të përmbyll hetimin administrativ, mbi publikimin e databazës me të dhënat e pagave të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe privat si dhe databazës me të dhënat e targave të automjeteve, brenda vitit 2022.

2. Të luajë rol aktiv në përmbylljen e procedurave për modernizimin e kuadrit ligjor.

3. Të vijojë monitorimin dhe mbikëqyrjen proaktive të autoriteteve publike për verifikimin e përditësimit të Programit të Transparencës dhe të Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në veprimtarinë e tyre.

4. Të mbështesë autoritetet publike në qartësimin e çështjeve mbi interesin publik dhe rastet e kufizimit të dhënies së informacionit, si dhe të nxisë forcimin e rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit.

5. Të vijojë shtrirjen e instalimit të sistemeve elektronike AMS dhe REKPDI në sa më shumë autoritete publike.

6. Të monitorojë dhe mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale me fokus masat tekniko-organizative për përpunimin e sigurtë të tyre, veçanërisht, Sistemet e Menaxhimit të Sigurisë së Informacionit (SMSI), duke u shtrirë edhe në sektorë të tjerë si ai i sigurimeve, financiar jobankar, marketing i drejtpërdrejtë, etj.

7. Të angazhohet në monitorimin e vazhdueshëm për zbatimin e masave të lëna në rekomandimet e mëparshme për kontrollues publik e privat.

8. Të angazhohet në krijimin e Rrjetit të nëpunësve për mbrojtjen e të dhënave personale, diktuar nga përmirësimi i legjislacionit kombëtar të kësaj fushe.

9. Të sigurojë pjesëmarrje aktive në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC) dhe vijimin e angazhimit aktiv në organizmat e tjera ndërkombëtare ku Zyra e Komisionerit është pjesë.

10. Të angazhohet në bashkëpunimin me qytetarë dhe grupe interesi për njohjen e kuadrit të modernizuar ligjor në të dy fushat e përgjegjësisë dhe rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e tij.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?