Kuvendi nuk i jep SPAK krimet zgjedhore, shtyhen votimet! Ministria e Drejtësisë kundër që Prokurori të raportojë në KQZ

24 Nëntor 2020, 16:54| Përditesimi: 24 Nëntor 2020, 18:49

  • Share

TIRANË- Komisioni i Ligjeve shtyu miratimin e ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, që detyron prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtuesin e SPAK t’i japin informacion KQZ për hetimin e krimeve zgjedhore, një nga dakordësitë e marrëveshjes së 5 qershorit.

“Ne do ta zhvillojmë diskutimin për nismën e depozituar, por deri në një dakordësi lidhur me ecurinë e këtij propozimi ne do ta shtyjmë votimin në parim të këtij projektligji”, u shpreh kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Ndonëse deputeti i PS, Adnor Shameti kërkoi miratimin e këtyre ndryshimeve, Ministria e Drejtësisë nuk ishte dakord me argumentin se këto ndryshime bien ndesh me frymën e Reformës në Drejtësi.

“Vlerësoj rëndësinë e miratimit të këtij projektligji dhe u kërkoj kolegëve që në frymën e miratimit të ligjeve themelore të paketës themelore të kalojnë dhe këto ndryshime”, u shpreh deputeti socialist.

“Propozimi është i panevojshëm dhe bie ndesh me frymën e Reformës në Drejtësi.  I jep atribute drejtuesit të Prokurorisë, që i ka vetëm prokurori i çështjes. Drejtuesi i prokurorisë nuk përgjigjet dot për çështje”, tha Besim Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit.

Kuvendi nuk ka miratuar ende ndryshimet që mundësojnë që SPAK të hetojë krimet zgjedhore, ndonëse jemi 5 muaj para zgjedhjeve. Deri më tani janë miratuar vetëm ndryshimet në ligjin për partitë politike që rregullon çështjet e financimit.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?