Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Kuvendi ‘njeh’ zyrtarisht Bashën si kryetar PD-je, i drejtohet grupit të Sali Berishës si ‘Foltore’

12 Nëntor 2023, 17:07| Përditesimi: 12 Nëntor 2023, 21:18

  • Share

Kuvendi i Shqipërisë ka lënë të kuptohet se ka marrë një vendim se cilin nga dy grupimet e opozitës njeh si përfaqësues të Partisë Demokratike. Përmes një reagimi të fundit ka dhënë sinjale se njeh grupin e Lulzim Bashës atë që njeh edhe Gjykata si përfaqësues zyrtar të Partisë Demokratike.

Në përgjigje të një deklarate të bërë të shtunën nga Rithemelimi i cili hidhte akuza për shpenzime luksi të kryera nga Kuvendi, me firmë të kryeparlamentares Lindita Nikolla, kjo e fundit përmes një reagimi zyrtar nga institucioni i parlamentit, teksa hedh poshtë akuzat i referohet grupit të Berishës me emrin “Foltorja”.

“Në lidhje me deklaratën e sotme të Foltores dhe në emër të transparencës para qytetarëve, publikut dhe medias, Kuvendi i Shqipërisë sqaron si më poshtë: Planifikimi, detajimi dhe përdorimi i burimeve financiare të Kuvendit të Shqipërisë, sipas programeve buxhetore, vendoset dhe miratohet nga Byroja e Kuvendit, organ në të cilin bëjnë pjesë edhe deputetët e opozitës. Pas miratimit në Byro, bëhet raportim 4-mujor i realizimit të treguesve të buxhetit, të cilat janë publike.

Mënyra e përdorimit të burimeve financiare respekton rigorozisht rregullat dhe procedurat për shpenzimin e fondeve të buxhetit të shtetit dhe publikohen në faqen e Kuvendit. Fondet e Kuvendit të Shqipërisë janë pjesë e buxhetit të shtetit dhe përdorimi i tyre rregullohet nëpërmjet prokurimit publik. Deklarata e sotme e Foltores është e mbushur me të pavërteta e sajime, të cilat nuk i përgjigjen realitetit. Shpenzimet për të cilat bëhet fjalë në deklaratën e Foltores janë shpenzime për funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe aspak për shpenzime luksi. Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, zëri kryesor, 829.700.000 lekë, janë pagat e deputetëve dhe të administratës. Mos vallë nuk duhet të paguhen deputetët dhe administrata?

Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, bëjnë pjesë shpenzimet operative, 479.556.000 lekë, të domosdoshme për mbështetjen e veprimtarive parlamentare dhe kryerjen e funksioneve të Kuvendit. Mos vallë duhet të ndërpritet veprimtaria e Kuvendit të Shqipërisë? Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, bëjnë pjesë shpenzimet për udhëtime jashtë vendit të delegacioneve të Kuvendit, 58.391.411 lekë, në kuadër të detyrimeve për të marrë pjesë dhe kontribuar në veprimtaritë e forumeve ndërkombëtare ku jemi anëtarë. Asnjë deputet i Kuvendit, në maxhorancë a opozitë, nuk është penguar të marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare. Të mos zhvillojmë diplomaci parlamentare për të mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilën Kuvendi gjatë kësaj legjislature është investuar në mënyrë të shtuar?”, thuhet në reagim.

Nëse me këtë reagim Kuvendi, lë të kuptohet se njeh Lulzim Bashën kryetar të PD-së, kjo nuk mund të merret si një përgjigje edhe për postin e kreut të grupit parlamentar demokrat.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?