Kuvendi Kosovës pritet të mbajë sot dy seanca, një të rregullt e një të jashtëzakonshme

14 Shtator 2023, 10:00
  • Share

Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë dy seanca plenare, një të rregullt e një të jashtëzakonshme. Seanca e rregullt plenare pritet të nisë në orën 10:00. Në rend ditë në këtë seancë, përveç pikave të rregullta që janë deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare, deputetët pritet të votojnë edhe Propozim-Rezolutën për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu pritet të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Deputetët pritet të formojnë edhe Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

Ndërsa në seancën e jashtëzakonshme pritet të zhvillohet një debat parlamentar lidhur “me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”.

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të deputetëve të opozitës dhe javën e shkuar ka dështuar të mbahet në mungesë të kuorumit, pasi që deputetët e pushtetit nuk kanë marr pjesë./Koha.net

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?