Foto ilustruese

Kuvendi do të kërkojë verifikimin e deputetëve në dosjet e ish-Sigurimit

21 Qershor 2023, 21:56| Përditesimi: 21 Qershor 2023, 22:04

  • Share

Komisioni i Ligjeve vendosi të mërkurën se do të kërkojë në mënyrë zyrtare nga Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH) verifikimin e deputetëve të Kuvendit nëse kanë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit famëkeq në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës.

Kryetarja e komisionit Klotilda Bushka tha në mbledhjen, ku po raportonte kryetarja e Autoritetit Gentiana Sula, se “kërkesa do të bëhet nga ne si komision, por në mënyrë racionale dhe proporcionale, që të mos mbingarkojmë punën e institucionit”.

Bushka tha se për këtë arsye kërkesat do të ndaheshin me grupe, nuk do të dërgoheshin të gjithë në të njëjtën kohë, pasi sipas saj, -“të kërkosh hetim për 1300 emra është utopike”.

Më herët këtë vit dy deputetë të opozitës, Kreshnik Çollaku dhe Ervin Salianji,  kërkuan verifikimin e të gjithë deputetëve të Kuvendit për periudhën post-komuniste që nga vitit 1991 e deri më sot, por kërkesa, sipas Sulës, -“ishte e paplotë dhe joproporcionale” .

Çollaku tha në fund të janarit se i kishte kërkuar AIDSSH-së, – “vënien në dispozicion të një kopje të plotë të dokumenteve dhe informacioneve që dispononi lidhur me të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që kanë qenë të zgjedhur në legjislaturat parlamentare për periudhën 1991 – 2023”

Sipas Sulës, në kërkesë mungonin gjeneralitetet për subjektet që kërkohej verifikim.

Debati për lidhjet e politikanëve me Ish-Sigurimin u rihap vitin që shkoi kur Autoriteti Shqiptar për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSSH)  informoi parlamentin se kishte identifikuar disa politikanë, përfshirë një personazh të profilit të lartë me inicialet I.M., të cilit i ishte dhënë më parë një certifikatë “pastërtie”, por në fakt kishte qenë bashkëpunëtor.

Politikani që akuzohej ishte ish-presidenti Ilir Meta, i cili ësht ënë një betejë ligjore me Autoritetin e Dosjeve për këtë çështje.

Kuvendi ndërmori në fillim të vitit ndryshime ligjore për t'i dhënë mundësinë Autoritetit që të rihapte dosjet e vjetra të komisioneve të ashtuqujtur “Mezini” e “Bezhani”, për të riverifikuar emrat e politikanëve që kishin marrë vërtetim se nuk kishin lidhje me Ish-Sigurimin.

Sula u pyet nga deputetja Dhurata Çupi konkretisht për rastin, nëse kishte tashmë një raport që i jepte përgjigje përfundimtare aludimeve për çështjen “Meta”.

Kryetarja e AIDSSH-së tha se kishte sjellë me vete një raport të plotë për verifikimet e bëra nga komisionet e fillim-viteve '90, por ky raport ishte klasifikuar si  shtetëror për shkak të korespondencës shkresore me Shërbimin Informativ Shtetëror.

“Nga verifikimet që ne kemi bërë, disa kandidatë që figurojnë në dokumentet e Sigurimit, rreth 3% e tyre, janë ‘pastruar' nga komisionet Mezini-Bezhani”- iu referua këtij raporti, Sula.  Sipas saj, gjatë verifikimit të punës së këtyre komisioneve të mëparshme ishte hasur dhe një problematikë me dokumentet që mungojnë në fondin e institucionit, për të cilat nuk ka dokumentim të asgjesimit të tyre.

“Ata që kanë çertifikatë sigurie mund ta aksesojnë”- u tha ajo deputetëve.

Deputetët po ashtu kërkuan të dinin rezultate të prekshme përsa i përket punës së strukturës së re që u ngrit për identifikimin dhe gjetjen e të zhdukurve gjatë komunizmit, si një kërkesë e progres-raportit të Komisionit Europian.

Sula risolli në vëmendje ngërçin e bashkëpunimit me institucione të tjera, si prokuroria, për të ndërmarrë hapa konkretë për zhvarrimet dhe vuri në dijeni Kuvendin se ecuria e procesit varej nga aktet  nënligjore që qeveria nuk i kishte miratuar akoma./Birn

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?