Kuvendi 'ok' institucioneve për
shtesa personeli e fondesh

28 Nëntor 2017, 07:43| Përditesimi:

  • Share
Shërbimi Informativ Shtetëror do të ketë 33 punonjës dhe 560 milionë lekë fonde më shumë vitin e ardhshëm. Nga kjo shifër, 441.7 milionë lekë shkojnë në zërin e investimeve, ku peshën më të madhe e zë blerja e sistemit të grumbullimit dhe analizës së informacionit me një vlerë prej 275 milionësh lekë apo rreth 2 milionë euro.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar dje poropozimet e bëra nga komisionet e tjera parlamentare gjatë diskutimeve të zërave të parashikuara në projektligjin për Buxhetin e Shtetit 2018. Ai është treguar mjaft dorëlëshuar në parashikimin e shtesave kryesisht për organet e reja të hetimit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vettingu

Veç SHISH-it, edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, institucion ky, i angazhuar në procesin e Vettingut i janë shtuar 7 milionë lekë fonde për të përballuar fluksin në rritje të punës vitin e ardhshëm. Ndërkohë, te Garda e Republikës është marrë parasysh shtesa në organikë dhe mbulimi ka qenë i ezauruar që prej Aktit Normativ për 50 punonjës që do të jenë të angazhuar apo kanë filluar punë që tani në ruajtjen dhe sigurinë fizike të Komisionerëve të Pavarur të Kualifikimit, të Anëtarëve të Kolegjit të Apelimit të Komisionerëve që merren me procesin e Vettingut.

Nga ana e saj, Ministria e Drejtësisë kërkoi dhe mori 25 punonjës shtesë, si dhe 20 milionë lekë më shumë për të përballuar shpenzimet me paga të tyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga ana tjetër, kërkoi 5 punonjës më shumë në organikë, si dhe 14 milionë lekë shtesë. Po kështu të rishikohen fondet duke rritur shpenzimet për personelin dhe duke ulur ato për investimet.

Institucionet kryesore

Për Kuvendin, Komisioni miratoi një shtesë në organikë për 5 punonjës të tjerë, si dhe në zërin e shpenzimeve një fond prej 141 milionë lekësh për paga të punonjësve shtesë, për realizimin e një botimi të posaçëm për reformën në drejtësi, si dhe për udhëtime e dieta. Po kështu, 90 milionë lekë do të jenë në dispozicion për blerje autoveturash, rikonstruksion bar-restorant, blerje dhe montim ashensori në sallën plenare, aplikacionin e Kuvendit të Shqipërisë në internet si dhe disa shpenzime të tjera.

Edhe Presidencës i është plotësuar kërkesa për 30 milionë lekë më shumë dhe pas saj edhe Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor me 32 milionë lekë.

Në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme janë marrë parasysh shtesa në shpenzime operative prej 35.5 milionë lekësh për Projektin e regjistrimit të shtetasave që jetojnë jashtë Shqipërisë. Po kështu, ajo arriti të bindë deputetët t’i akordojnë 113 milionë lekë rritje të shpenzimeve të personelit.

Për paaftësinë

Ashtu sikurse u lakua edhe gjatë diskutimit më të hershëm të buxhetit, Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve merr edhe 40 milionë lekë, kurse për invalidët e punës u miratua indeksimi i pagës me një fond që shkon në 200 milionë lekë.

Kuvendi

Kuvendi ka miratuar për vete 90 milionë lekë shtesë për blerje autoveturash, rikonstruksion bar-restorant dhe ashensor në sallë plenare.

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?