Rithemelimi hedh kapsolla dhe tymuese në Kuvend! Maxhoranca kalon për 8 minuta buxhetin e paketën fiskale 2024! I pranishëm Rama (FOTO+VIDEO)

7 Dhjetor 2023, 07:57| Përditesimi: 7 Dhjetor 2023, 16:36

  • Share

TIRANË- Për herë të parë në histori, buxheti miratohet në më pak se 8 minuta seancë. Me 74 kartonë jeshilë të ngritur nga maxhoranca, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama që shkoi në seancë vetëm për të votuar, socialistët kaluan mes ylberit të tymueseve buxhetin dhe paketën fiskale.

Të vetmit deputetë që votuan kundër ishin 4 ligjvënësit nga radhët e Lulzim Bashës, deputetët Andia Ulliri, Merita Bakiu, Flutura Açka e Selaudin Jakupllari, që në parlament u rikthyen vetëm për të ngritur kartonin e kuq.

Grupi i deputetëve të Rithemelimit edhe në këtë seancë të rëndësishme shkoi me objektivin e qartë: Të shkaktonin kaos dhe të mos lejonin një seancë normale. Si gjithnjë, skenari nisi me përplasje me Gardën rreth një orë para se seanca të fillonte zyrtarisht.

“Bjerini karriget. Ik ore komunist muti.

Lëshoji karriget”, thanë deputetët e Rithemelimit. 

Nisën grumbullimin e karrigeve pirg për të penguar diskutimet për buxhetin. Në majë të pirgut të karrigeve, u shfaq deputeti Ervin Salianji, që në mungesë të Gazment Bardhit, udhëhoqi aksionin.

Flakadanët, që këtë seancë formuan një miks ngjyrash ishin fshehur në këpucët e deputetëve. U hodhën edhe disa kapsolla, që i gjetën të papërgatitur deputetët.

Pasi zbriti në tokë, Salianji nxori nga xhaketa Rregulloren e Kuvendit duke ia tundur deputetëve socialistë.

Me rregullore në duar u shfaq edhe para mediave në përfundim të seancës, duke e quajtur parlamentin juntë të qeverisë.

“Po funksionojnë si juntë. Në mënyrë tinëzare dhe me vrap pr/buxhetin dhe paketën fiskale e cila godet shtresën e mesme” tha Salianji. 

Por, kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi ia bëri të qartë se PS nuk do të tentojë dialog, duke thënë se nuk është maxhoranca përgjegjëse për krizën e shkaktuar në parlament.

“Nuk është detyrimi ynë të negociojmë për objektin. Pse nuk e sjellin sipas kërkesës, pse nuk e çojnë në kushtetuese vendimin për ta hedhur poshtë për shkak të mangësisë”, tha Çuçi.

Në këtë kohë brenda parlamentit hynë agjentë të BKH dhe Komisariatit nr 1, për të mbledhur provat.

6 deputetët e përjashtuar Gazment Bardhi, Sali Berisha, Flamur Noka e Edi Paloka, Albana Vokshi e Elda Hoti nuk tentuan t’i bashkohen seancës. Ata mund të jenë ndër deputetët e fundit që përjashtohen me vetëm 10 ditë, pasi po sot PS publikoi draftin e ndryshimit të rregullores, që koha maksimale e përjashtimit të deputetëve të jetë 2 muaj.

Ora 15:55
Mes kaosit e tymueseve, çfare u miratua sot në Kuvend

1701940002_kaoskuvend.jpg

Në seancën e sotme plenare u shqyrtua nen për nen projektligji ‘Për buxhetin e vitit 2024’ dhe 3 projektligjeve, pjesë e Paketës Fiskale të vitit 2024.

U miratua me 74 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim kërkesa e grupit të PS-së për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektvendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, nr.166, date 16.12.2004 ‘Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë’, të ndryshuar”. Projektvendimi do të shqyrtohet seancën e radhës më 14 dhjetor.

U votua nën për nen dhe në tërësi të 3 projektligjeve të Paketës Fiskale.

-Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, i cili u miratua me 75 vota pro, 2 vota kundër dhe 0 abstenim;

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, i cili u miratua me 75 vota pro, 3 kundër dhe 0 abstenim;

-Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, i cili u miratua me 75 vota pro, 4 kundër dhe 0 abstenim.

Tre amendamentet nga deputetë të opozitës u rrëzuan! Konkretisht 1 nga deputetja Zheni Gjergji dhe 2 amendamente nga deputeti Bujar Leskaj. Amendamenti i Gjergjit u rrëzua me 75 vota kundër, asnjë pro, ndërsa dy amendamentet e Leskaj u rrëzuan me 75 vota kundër, 2 pro dhe 0 Abstenim.

Projektligji për buxhetin 2024 sipas variantit të propozuar nga komisioni për Ekonominë dhe Financat u miratua nen për nen dhe në tërësi me 74 vota pro, 4 kundër dhe 0 abstenim.

Ora 15:49
Pr/buxheti 2024 kaloi me 74 votat e maxhorancës, Rama s'pati nevojë për votat e deputetëve të Bashës të plotësonte kuorumin

1701960940_37750260e7424abab2d68d9cde57be75.jpg

Për herë të parë ligji për financat e vitit që vjen është kaluar mes tymueseve dhe kaosit që deputetët e Sali Berishës dhe të Gazment Bardhit shkaktuan sot.

Pr/buxheti I vitit 2024 u votua me 74 vota pro, 4 kundër dhe 0 abstenim. Katër deputetët e PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha, Andia Ulliri, Merita Bakiu, Flutura Açka e Selaudin Jakupllari votuan kundër.

Në fillim të seancës kryetarja e Kuvendit konfirmoi pjesëmarrjen e 74 deputetëve në sallë për shkak se deputetët e Bashës nuk kanë qenë në vendet e tyre, kur bëhej prezenca ndërsa hidheshin tymueset, por u rikthyen në seancë kur filloi votimi dhe ngritën kartonin e kuq.

Pra vota e tyre ishte e panevojshme për të plotësuar kuorumin për hedhjen në votim të buxhetit. Kuorumi i nevojshëm është 71 vota ndërsa buxheti mori 74 vota nga deputetët e maxhorancës 3 më shumë se kuorumi.

Ora 15:20
Tabaku: Sot në Kuvend u votua një tjetër buxhet socialist, askush nuk e kuptoi se për çfarë i ngritën kartonat

1701961416_JoridatabakuKuvend20dhjetor.jpg

Pas miratimit të buxhetit në seancën e sotme plenare në Kuvend, ka reaguar deputetja e PD Jorida Tabaku e cila përmes një videoje në rrjete sociale shprehet se shumica e deputetëve që ngritën kartonat nuk e dinë se çfarë votuan

“Jam e sigurtë që asnjëri nga ju nuk arriti të kuptojë se çfarë u votua sot mes zhurmës dhe rrëmujës. Jam e sigurt që dhe shumica e atyre që ngritën kartonat nuk e dinë se çfarë votuan. Sot u votua një tjetër buxhet socialist, i cili rriti taksat me 70 milion euro, kryesisht për shtresën e mesme. Tre janë shifrat dhe faktet domethënëse për këtë buxhet. Së pari, Shqipëria do të vazhdoj të mbetet një nga vendet më të varfra të Ballkanit Perëndimor duke lënë pas vetëm Kosovën me 23% varfëri. Shqipëria do të ketë mbrojtjen më të ulët sociale, të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të ketë një buxhet prej pothuajse 11% të Produktit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen sociale.

Së treti, Shqipëria ka pagat më të ulëta në të gjithë Ballkanit Perëndimor, me një peshë pothuajse 4.5% të Produktit të Brendshëm Bruto. Këto tre shifra tregojnë që asgjë nuk ndryshon në tendencën 10-vjeçare të buxheteve socialiste. Asgjë nuk ndryshon dhe asnjë mbështetje, asnjë stimul për shtresën e mesme, asnjë justifikim për të shpjeguar se çfarë ndodhë me ekonominë sot dhe pse kemi çmimet më të larta.

Por nga ana tjetër as edhe një rritje graduale për të shkuar të paktën drejt treguesve të Ballkanit Perëndimor. Shqetësimi kryesor që kam ngritur në ketë muaj është e vështirë që të dëgjohet mes zhurmës, ka qenë që ky buxhet do vazhdojë që të mos mbështesë shtresën e mesme, te godasë shtresën e mesme. Të formalizojë formalitetin, por nga ana tjetër të ketë një tendencë, e cila është kthyer në shqetësuese, për sa i përket mbështetjes së arsimit. Nuk ka pse të shqetësohemi, as të çuditemi kur shohim shifrat e PISA që të rinjtë shqiptarë sot kanë rënien më të madhe në lexim, matematikë dhe shkencë. Kjo lidhet me politikat e buxhetit, kur nuk buxhetojmë, kur nuk mbështesim arsimin, ekonominë e zhvillimit, teknologjinë e informacionit, kjo do ndodhë. Ku nuk kemi asnjë model zhvillimi ekonomik, kjo do ndodhë. Të gjitha këto shqetësime që kam ngritur gjatë këtij muaji dhe të gjitha këto duhet të ishin shqetësime edhe për qeverinë, janë problemet reale që ka ekonomia.

Janë arsyet se pse sot rinia largohet, pse nuk ka meritokraci. Në fund të ditës çdo gjë lidhet me vizionin për buxhetin dhe me vizionin që një qeveri ka për ekonominë. Ndjesë të gjithë atyre që nuk kanë arritur që t’i transmetojmë atë që duhet përsa i përket buxhetit. Është shumë e vështirë që argumentat dhe idetë të dëgjohen e të shikohen e të analizohen kur ka zhurmë. Fatkeqësisht edhe një tjetër buxhet socialist u miratua!”, shprehet deputetja në video.

Ora 12:49
Dhuna e kaosi i deputetëve të Berishës në Kuvend, Spiropali: Godasin dhe përçmojnë Gardën për të mbrojtur kryeplakun dhe familjen e tij

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar për dhunën dhe kaosin e deputetëve të Berishës dhe Bardhit në sallën e Kuvendit.

Duke nisur që nga hyrja e Kuvendit, Spiropali u shpreh e indinjuar nga fyerjet e deputetëve opozitarë ndaj punonjësve të Gardës së Republikës. Ajo tha se goditjet dhe fyerjet ndaj punonjësve të Gardës bëhen me qëllim të mbrojtjes së verbër ndaj Berishës dhe familjes së tij.

“Ajo që më indinjoi më shumë sot që në hyrje të sallës së seancave në Parlament ishin fyerjet e shfrenuara ndaj burrave dhe grave të Gardës së Republikës.

Çdo fjalë që kolegëve të opozitës copë e çikë ua rroku mendja, e lëshuan në drejtim të punonjësve te Gardës, që paguhen me pagë modeste e punojnë shpesh jashtë orarit duke vënë në rrezik edhe shëndetin e tyre, për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucionet e rëndësisë së veçantë.

Kjo opozitë që nuk lë rast pa derdhur lot krokodili për shqiptarët e ndershëm e njerëzit e punës, fyen, përçmon, godet, punonjësit e Gardës me të ardhura shumë më modeste se ata, për të mbrojtur me forcë të verbër kryeplakun, familjen e tij, e pasuritë e tyre”- shkruan Spiropali.

Ministrja shtoi më tej se sjellje të tilla në Kuvend dëmtojnë imazhin e parlamentarizmit dhe të institucioneve të vendit. Ajo bëri thirrje që drejtësia të hetojë veprat penale të kryera nga deputetët e grupit Bardhi dhe Berisha në seancë plenare.

“Ky nuk është moral politik! Kjo s'është drejtësi! Këto nuk janë të drejta kushtetuese! Këto janë akte dhune, vepra penale, dhe pafytyrësi njerëzore që përdhosin mjedisin e bashkëjetesës demokratike, cënojnë sigurinë, dëmtojnë imazhin dhe rreken të shkatërrojnë parlamentarizmin dhe institucionet e vendit.

Arrakatja e opozitës vetëm nëpërmjet dhunës është ogurzezë pikë së pari për vetë opozitën, por edhe për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi që është lodhur nga pasojat e dhunës, të cilat janë aq të freskëta në mbamendjen e tyre.

Filozofi francez Zhak Mariten thotë se çdo protestë duhet të jetë jo e dhunshme dhe pikërisht këtu qëndron edhe forca e saj.

Publiku do i dënojë, siç i ka dënuar, me votë. Për vepra penale të konsumuara në sy të të gjithëve, drejtësia duhet të thotë fjalën e saj”- përfundon Spiropali reagimin e saj.

Ora 11:53
Nuk heqin dorë nga kaosi dhe tymueset në Kuvend, PS kërkon ndryshimin e rregullores: Deputetët e Berishës dhe Bardhit rrezikojnë deri në 2 muaj përjashtim

Maxhoranca ka propozuar në senacën e sotme futjen me procedurë të përshpejtuar për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, në të cilën parashikon ashpërsimin e masave për deputetët të cilët bllokojnë punimet e Kuvendit. Votimi do të bëhet më 14 dhjetor. Sipas rregullores aktuale dënimi për deputetët parashikohet 10 ditë, ndërsa sipas kërkesës së Partisë Socialiste pritet të ndryshohet dhe ky dënim të bëhet deri në 60 ditë.

Në këtë projekt-rregullore që pritet të miratohet nga Kuvendi me gjasa vetëm më votat e PS, deputetet rrezikojnë dënime  të forta për rastet e ndezjes së tymueseve, apo të përplasjes fizike me gardistët. ” Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione /në seancë plenare “ deri në 60 ditë jepet në rastet :

  1. a) kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit / brenda mjediseve të Kuvendit;
  2. b) kur deputeti kryen veprime / sjellje që përbëjnë shkeje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal;
  3. c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.”
  4. Kërkesa për marrjen e mases disiplinore, sipas pikave 6 dhe 7 të këtij neni, paraqitet me shkrim nga jo më pak se 7 deputetë dhe jo më vonë se 48 orë nga dita e konstatimit të ngjarjeve/ rasteve.
  5. Gjatë periudhës së zbatimit të masës displinore të parashikuar në pikat 6 the 7 të këtij neni deputeti ndalohet të kryej dhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit”, thuhet ne drafin e depozituar nga PS.

Ndryshimi i Rregullores

Neni 1

  1. Titulli i nenit 65/1 riformulohet: “Masat disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare” deri në 10 ditë, 30 ditë, apo 60 ditë”.
  2. Në nenin 65/1 shtohen pikat 6, 7 dhe 8 me këtë përmbajtje: “6. Masa disiplinore“ përjashtim nga pjesëmarrja në komisione/në seancë plenare” deri në 30 ditë” jepet në rastet: a) kur deputeti përdor dhunë fizike ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave apo të Gardës së Republikës.

    b) kur deputeti përmes veprimeve të dhunshme dëmton pajisjet dhe orenditë e cdo mjet tjetër logjistik në sallën e seancave/mbledhjes.

  3. c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.”

“7. Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione /në seancë plenare “ deri në 60 ditë

jepet në rastet :

  1. a) kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit / brenda mjediseve të Kuvendit;
  2. b) kur deputeti kryen veprime / sjellje që përbëjnë shkeje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal;
  3. c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.”
  4. Kërkesa për marrjen e mases disiplinore, sipas pikave 6 dhe 7 të këtij neni, paraqitet me shkrim nga jo më pak se 7 deputetë dhe jo më vonë se 48 orë nga dita e konstatimit të ngjarjeve/ rasteve.
  5. Gjatë periudhës së zbatimit të masës displinore të parashikuar në pikat 6 the 7 të këtij neni deputeti ndalohet të kryej dhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit.

Neni 2

Neni 65/2 pikat 1, 4 dhe 5 dhe riformulohen me këtë përmbajtje:
1. “1. Masat disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare” jepet nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Mbledhja e Sekretariatit zhvillohet brenda 48 orëve nga depozitimi i kërkesës.”

  1. “5. Vendimi i dhënë për rastet e parashikuara në pikën 1, shkronjat “a” dhe b”, piken 6 dhe 7 të neni 65/1, publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit. Për rastet e parashikuara në pikën 1, shkronja “c”, të nenit 65/1 publikimi bëhet vetëm me pëlqimin e personit/viktimë e ngacmimit seksual.”

Neni 3

Në Nenin 65/3 bëhen ndryshimet si vijon:

  1. Në pikën 4 pas fjalës pezullohet shtohet togëfjalshi “me vendim të ndërmjetëm të Byrosë së Kuvendit, deri në dhënien e vendimit përfundimtar”.
    2. Pika 5 shfuqizohet.
    II. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Ora 11:20
Bledi Çuçi: Jemi tolerantë me opozitën, në Itali deputetët i nxjerrin jashtë prej këmbësh e prej duarsh

 

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka komentuar dhunën në Kuvend ndërsa u pyet nga gazetarët se pse mazhoranca nuk ulet të bisedojë me opozitën.

Ndërsa pyetej për masat ndëshkuese, të përjashtimit, Çuçi u shpreh se beson se mazhoranca ka qenë mjaft tolerante ndaj opozitës dhe deputetëve të saj, shkaktarë të tensioneve gjatë seancës.

Ai u ndal tek Parlamenti italian duke e sjellë si shembull, ndërsa shtoi: "E kemi parë parlamentin Italian se si e kapin Zgarbin ata punonjësit, dy prej komësh, dy prej duarsh.

Ne jemi gati të dialogojmë me këdo, për të mirën e shqiptarëve. Nuk jemi ne që ndezim flakadanë, që bllokojmë mbledhjet apo që abstenojmë. Grupi parlamentar i PS nuk e vendos agjendën sipas ndërkombëtarëve. Unë nuk shoh ndonëj trysni nga partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje. Ne jemi në institucione, ata dhunojnë, ata prishin. Duhet që ata të ulin flakadanët që të flasim. Nuk mund t’i marrim dot me dhunë t'i ulim në tavolinë. Kriza që ka ndodhur në PD fatkeqësisht është shumë e thellë, dhe padiskutim nuk jemi shkaktarët e kësaj krize, por mos prisni që PS të jetë instrumenti që mund ta zgjidhë këtë. Rregullorja përcakton rregulla për të marrë masa për atë që prish, dhunon apo pengon zhvillimin e një seance parlamentare. Dhe e keni parë që besoj ne jemi shumë tolerantë në këtë pikë me opozitën, me gjithë këto sjellje vandale që ato bëjnë E kemi parë parlamentin italian se si e kapin Zgarbin ata punonjësit, dy prej komësh, dy prej duarsh. Në Itali 15 seanca plenare përjashtohesh, kështu që i kemi parë të gjitha, po i shohim të gjitha. Të gjithë parlamentet kanë sanksione kur bëhet fjalë për dhunë, pengim të zhvillimit të seancës plenare.

Ora 11:18
Pas kaosit të Rithemelimit, dalin fotot e agjentëve të BKH brenda sallës së Kuvendit

1701944332_0b35aa2b5b3a485797f04a5cfe926025.jpg

Agjentët e Komisariatit nr.1 dhe të BKH kanë mbërritur në Kuvend, ndërsa Report Tv sjell foto të tyre brenda sallës plenare.

Pritet që agjentët e krimit të kryejnë procedurat në lidhje me rastet e dhunës të shënuara në seancën plenare të kësaj të enjte.

Ashtu si dhe në seancat e tjera të gjitha materialet do ti përcillen SPAK, si prokurori kompetente  që heton ligjvënësit.

Ora 11:16
FOTO/ Si u futën në Kuvend tymueset, deputeti Luan Baçi i nxjerr nga çorapet

Pavarësisht masave të marra nga Garda e Kuvendit për të mos lejuar futjen e tymueseve në sallë, deputetët e Berishës dhe Bardhit këtë herë kanë gjetur një mënyrë tjetër.

Siç shihet në foton e siguruar, është deputeti Luan Baçi ai i cili nxjerr tymueset që siç duket i ka fshehur në çorapet e tij.

Ora 10:55
Buxheti 2024 miratohet mes tymueseve e kapsollave, pas deputetëve në seancë shkojnë agjentët e policisë dhe BKH

1701940900_kaosiirithemelimitnkuvend.jpeg

Agjentët e Komisariatit nr.1 dhe të BKH do të shkojnë serish ne Kuvend në lidhje me incidentet e dhunshme të shkaktuara nga deputetët e opozitës. Pritet që agjentët e krimit të kryejnë procedurat në lidhje me rastet e dhunës të shënuara në seancën plenare të kësaj të enjte. Ashtu si dhe në seancat e tjera të gjitha materialet do ti përcillen SPAK, si prokurori kompetente që heton ligjvënësit, informon gazetari i Report Tv, Sokol Dema.

Ora 10:48
Çuçi ironizon kaosin e grupit të Berishës dhe Bardhit në Kuvend: Revolucioni i karrigeve pati seancën e rradhës, janë kthyer në qesharakë

 

Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi e ka cilësuar si një “revolucion të karrigeve” aksionin e dhunshëm të Rithemelimit dhe grupit të Bardhit në Kuvend.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për miratimin e buxhetit në një seancë plenare që zgjati rreth 8 minuta, Çuçi tha se detajet mbi buxhetin janë diskutuar në komisione dhe me grupet e interesit.

“Revolucioni i karrigeve, e patë ju seancën e rradhës. Është kthyer komplet në qesharake kjo histori. Buxheti nuk është miratuar në 8 minuta por pas një diskutimi shumë të gjatë që ka pasur në komisione. Ne nuk i merrnim dot me zor që të hynin në komisione.

Janë konsultuar me të gjitha grupet e interesit, mbledhjet kanë qenë të hapura. Diskutimet kanë qenë shteruese. Aty debatohet, aty hidhen alternativat. Seancat plenare bëhen për të miratuar. P a diskutim që ka një anomali të shkaktuar nga opozita”- tha Çuçi.

Çuçi tha se komisionet hetimore të kërkuara nga opozita janë rrëzuar për shkak të objektit, ndërsa shtoi se përse opozita nuk e çon vendimin për rrëzimin në Kushtetuese, por krijon kaos në Kuvend.

Po sjell në kujtesë debatin për komisionet. Janë e drejtë legjitime e opozitës, nuk e kemi mohuar në asnjë moment, e kemi shprehur qartë që komisionet e opozitës nuk janë miratuar për shkaqe të objektit të tyre. Nuk është detyrimi ynë të negociojmë për objektin. Pse nuk e sjellin sipas kërkesës, pse nuk e çojnë në kushtetuese vendimin për ta hedhur poshtë për shkak të mangësisë.

Kemi pritur të kemi një bashkëpunim në ndryshimet për ligjin për komisionet hetimore. Ne bëmë variantin tonë dhe besoj se varianti që kemi çuar kënaq apo përfshin edhe parashikime të deputetëve të opozitës që kanë propozuar më parë ndryshime.

Ora 10:39
U miratua sot mes tymueseve dhe kapsollave, çfarë parashikon buxheti 2024! 737 mld lekë investime publike, rritje pagash e indeksim pensionesh

Buxheti i shtetit për vitin 2024 do të jetë 737.4 miliardë lekë me një rritje në krahasim me këtë vit prej 30.3 miliardë lekë.

Për vitin e ardhshëm është parashikuar që të ardhurat të kapin shifrën e 676 miliardë lekë, ose rreth 26 miliardë lekë më shumë se ky vit.

Parashikimin për këtë rritje të ardhurash, Ministria e Financave e mbështet tek pritshmëritë për rritjen ekonomike që përllogaritet në 3.8%, tek të ardhurat shtesë si pasojë e paketës fiskale, indeksimi i çmimeve, kontributet si rezultat i rritjes së pagave, përmirësimi i konsumit apo rritja e investimeve.

Buxheti i vitit që vjen do të ketë në fokus vijimin e reformës së pagave për sektorin shtetëror me synim arritjen e pagës mesatare 900 euro. Për vitin 2024 do të shpenzohen për këtë reformë 11 miliardë lekë.

Po ashtu janë rreth 7.8 miliardë lekë që do të ndahen për pensionistët që përfshin indeksimin dhe dhënien e bonusit për fund vit.

Ndërsa sa i takon bashkive, të ardhurat planifikohen në 71.1 miliardë lekë, ku 36.5 miliardë lekë është vlera e transfertës e pakushtëzuar që do të shkojë si mbështetje nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor.

Sa i takon investimeve publike janë planifikuar në masën 128.5 miliardë lekë, ku 7 miliardë lekë janë të dedikuara për procesin e rindërtimit për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019.

Kurse pagesat për projektet koncesionare për vitin e ardhshëm janë planifikuar në masën 14,2 miliardë lekë nga 13 miliardë lekë që janë planifikuar për këtë vit.

Për vitin 2024 Ministria e Financave pret borxhi që të zbresë në 59.5% të PBB-së nga 61.5% i pritshëm për këtë vit. Në vlerë të arrijë në 1 trilionë e 454 miliardë e 516 milionë lekë, me një rritje prej 337 milionë lekë në raport me këtë vit.

BUXHETI I SHTETIT
Viti 2023          705.6 mld lekë
Viti 2024          737.4 mld lekë
Rritja               +31,8 mld lekë
TË ARDHURAT E BUXHETIT
Viti 2023          650 mld lekë
Viti 2024          676 mld lekë
Rritja              +26  mld lekë
BUXHETI I PUSHTETIT VENDOR
Viti 2023          64.473 mln lekë
Viti 2024          71.175 mln lekë
Rritja               +6.702 mln lekë
STOKU I BORXHIT PUBLIK
Viti 2023              1.454.139 mln lekë
Viti 2024              1.454.516 mln lekë
Diferenca            +377 mln lekë
Ora 10:34
Paradoks, Salianji bllokon me karrige pirg foltoren, në oborr flet kundër pr/buxhetit! Gazetarja e zë ngushtë: Tani tu kujtua

 

Si asnjëherë më parë pr/buxheti i vitit 2024 dhe pr/ligjet e lidhura me të janë miratuar brenda 8 minutash, pa debat por vetëm me kartona jeshil të ngritur nga deputetët e maxhorancës mes tymueseve të cilat u hodhën nga deputetët e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit.

Deputeti Ervin Salianji në vend që të mbante fjalim në foltore aty ku bëhet beteja demokratik, u kujdes që ta mbulonte me karrige ndërsa jashtë kuvendit deklaroi se pr/buxheti godet shtresat e mesme.

“Po funksionojnë si juntë. Në mënyrë tinëzare dhe me vrap pr/buxhetin dhe paketën fiskale e cila godet shtresën e mesme” tha ai.

Në një moment gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku e zuri ngushtë: Tani e thoni ju!

Salianji: Për herë të parë do të taksohen me 23 % profesionet e lira, ju gazetarët dhe stomatologët, etj

Salianji: E kemi thënë gjithë kohës

Gazetarja: Ku I keni?

Salianji: Ne nuk bëhemi dot palaço të Edi Ramës

Ora 10:16
VIDEO/Rithemelimi plas kapsolle në Kuvend

 

Deputetët e Sali Berishës kësaj radhe në Kuvend përveç tymueseve kanë plasur edhe kapsolle.

Ora 10:11
Pr/buxheti 2024 miratohet brenda 8 minutave, maxhoranca ngre kartonat mes tymueseve të Rithemelimit

 

Si asnjëherë më parë pr/buxheti i vitit 2024 dhe pr/ligjet e lidhura me të janë miratuar brenda 8 minutash, pa debat por vetëm me kartona jeshil të ngritur nga deputetët e maxhorancës mes tymueseve të cilat u hodhën nga deputetët e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit

Ora 10:05
Katër deputetët që votuan kundër pr/buxhetit 2024, ja kush ngriti kartonat e kuq (EMRAT)

1701939742_tymuese.jpg

Pavarësisht kaosit të shkaktuar nga deputetët e Rithemelimit dhe grupi i Bardhit, ka vijuar me votimin të projektligjeve për taksat, procedurat tatimore, akcizën dhe buxhetin 2024.

Gjatë votimit, deputetë demokratë të grupit të Bashës si Jakupllari, Pampuri, Açka dhe Ulliri kanë votuar kundër, ndërsa deputetët e tjerë demokratë të pranishëm bojkotuan votimin.

Ora 10:02
Kuvendi nis mes tymit, Rithemelimi ‘pushton’ sallën me tymuese! Përjashtohet Dogjani

Ka nisur mes kaosit seanca plenare e ditës së sotme. Edhe kësaj radhe seanca nisi mes tymit, pasi Rithemelimi ka ndezur disa tymuese.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla përjashtoi nga salla deputetin Asllan Dogjani. 

Ora 09:54
VIDEO /Ervin Salianji si ‘triumfator’ në majë të pirgut me karrige

Deputetët e Rithemelimit kanë nisur kaosin në Kuvend për të sabotuar sërish punën edhe në këtë seancë të rëndësishme, që në rend dite është miratimi i buxhetit të shtetit për vitin 2024. Ata janë përplasur me Gardën për karriget, pasi punonjësit nuk i kanë lejuar që të mbledhin karriget në Foltore, madje madje edhe duke ofenduar Gardën.

Në mungesë të kolegeve të tij, si Flamur Noka, Gazment Bardhi e Sali Berisha që janë të përjashtuar, këtë seancë protagonist u shfaq sërish Ervin Salinaji.

Siç shihet edhe nga video, ai ka hipur mbi tavolinë dhe grumbullon karriget në foltore. Më pas shfaqet si triumfator në majë të prigut me karrige, kur në fakt po saboton punën e Kuvendit edhe kur bëhet fjalë për një seancë si kjo e sotmja ku opozita duhej të diskutonte për buxhetin e shtetit.

Në vend të këtij kaosi dhe sabotimi, a nuk do ishte më me vend që opozita sot të tregonte veten para shqiptarëve dhe të kundërshtonin buxhetin që sipas tyre shkon për aferat kriminale?

 

Ora 09:30
VIDEO/ Deputeti Isuf Çela përplaset me punonjësin e Gardës: Kujt ia prek dorën ti o lepurush

 

Deputeti i PD, Isuf Çela është përplasur me njërin prej gardistëve në Kuvend, teksa ky i fundit tentoi ta pengonte të kalonte tek dera që ishte e mbyllur.

Isuf Çela: Kujt ja kap dorën ti o lepurush, shiko shiko, më shiko mua.

(Gardisti i cili kapi për dore deputetin përlotet)

Dhurata Çupi- gardistit: Po ti, atë prek me dorë

Gardisti tjetër: Është e mbyllur dera

Ora 09:27
Rithemelimi nis kaosin në Kuvend, përplasen me Gardën për karriget: Ik or komunist mu*i

Deputetët e Rithemelimit kanë nisur kaosin në Kuvend. Ata janë përplasur me Gardën për karriget, pasi punonjësit e Gardës nuk i lejojnë që t’i grumbullojnë tek Foltorja.

Por edhe më e turpshme është gjuha që deputetët e Berishës përdorin ndaj Gardës duke i ofenduar. 

“Bjerini karriget. Ik ore komunist muti.

Lëshoji karriget”, thonë ata.

Ora 09:16
Luan Baçi filmon Spiropalin në hyrje të Kuvendit: Kujdes Elisa se kanë futur shashka! Mos pandehni se do ia hidhni aq lehtë

 

Deputeti i Rithemelimit, Luan Baçi ka filmuar ambientet e hyrjes së Kuvendit gjatë kohës që kanë qenë duke hyrë edhe deputetët e mazhorancës.

Në një moment kur ministrja Elisa Spiropali i kërkon të ndalojë filmimin, Luan baçi përgjigjet duke thënë se kjo gjë nuk është e ndaluar në rregulloren e Kuvendit.

Më poshtë debati mes tyre:

Elisa Spiropali: Sa gjëra keni në rregullore që nuk i zbatoni ju...

Luan Baçi: Kujfdes Elisa, se kanë futur shashka

Elisa Spiropali: Keni bërë edhe më shumë se aq

Luan Baçi: Ku e keni fundin, mos pandehni se do ia hidhni kaq lehtë

Elisa Spiropali: Pa merak

Ora 09:14
VIDEO/Rreth 1 orë para nisjes së seancës, Garda në gatishmëri për shmangien e kaosit në Kuvend! Rrethohet foltorja e sallës

 

Garda e Kuvendit është vendosur në gatishmëri për të bërë të mundur mbajtjen e rregullit gjatë seancës ku pritet të miratohet nen për nen buxheti për vitin 2024.

Siç shihet edhe nga pamjet të siguruara nga Report Tv, gardistët kanë rrethuar foltoren e Kuvendit duke mos lënë deputetët e Rithemelimit dhe grupit të Bardhit që të vijojnë me skenarin e tyre të zakonshëm të përmbysjes së karrigeve.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 08/12/2023 01:22

    O.K,60 dite perjashtim,po rrogat,djetat e privilegjet e tjera do t'jua nderpresin gjate kesaj kohe,se po nuk ua nderprene keto 60 dite do te jene per ta baraz me nje pickim mushkonje?!

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 07/12/2023 20:39

    Miratimi i buxhetit per 8 minuta si ne kete rast ngjane me gjendjen e luftes apo te emergencës kombetare.....dhe kjo tregon se jo vetëm opozita eshte jashte funksioni por edhe mazhoranca e qeveria jane ne prag te humneres apo renies se lire....

    Përgjigju
    • Populli: 08/12/2023 10:02

      Saktë

  • Linda: 07/12/2023 16:41

    Ata burracaket qe vijn verdall ne parlamentin shqiptar duke provokuar ushtaret e gardes ne oren e punes duhet nxjerr zvarre si zvarranik te gjithe langot,pederastet ,funderrinat nga parlamenti ! Dalin neper kanale dhe gjoja flasin ne "emer" te popullit ai popull qe votoi ata qe deshi me te mirat dhe me te keqiat dhe abstonoi kete llum te gjelbur!Kemi nje opozit uliganesh maskarenjsh qe besojn ne vitin 2023 do djegin prap Shqiperin Kriminelja e bija e kriminelit dhe e shtriges plak Berisha te jene te sigurt se trafikanti nderkombetar Shkelzeni do denohet sic e meriton dhe sikur gjithe letrat e haleve te djegin me duart e tyre te felliqura!

    Përgjigju
  • drejtesia: 07/12/2023 13:16

    zonja spiropali ke fakte duam fakte ne kto sjane fakte ne te drejtesis skemi pare gje

    Përgjigju
  • Tiku: 07/12/2023 11:52

    Ju morr fryma Lindites se shkrete. Vetem ne Shqiperi ndodh qe parlamenti nuk rrespekton Kushtetuten e vendit.

    Përgjigju
    • Daku: 07/12/2023 16:48

      A mer Tiku Diku... po marinar ngele gjithe jeten mor ditëzi... Ankorohu diku qe mos te luaj toka nder kembe, se pastaj do kuptosh se te gjithe makarenjte so Met Muti dhe Salehu between e perbetohen per kushtetuten pasi kane emëruar vete si deputise te popullit nje tufë kriminelesh ose debilësh si provinciali Geshtenja (mushmulla) dhe Salian zhigoloja qe eshte nje devijant autik... A pika qe si bie...Keta qe po drejtojne "revolucionin" ne gotë uji te psikopatit Sali Salehu...

  • Tao: 07/12/2023 11:24

    Djemte 30 vjecare te Gardes jane komunista, nderkohe Edmond Spaho dhe gjithe te tjeret me Saliun ne krye kane qene demokrate denbabaden. A pika llumit qe i vene prapa nje qelbesire si Saliu. Cfare u be me rastin Babale njehere, pse nuk e rrasni ne burg ate kriminelin e Lozhanit?

    Përgjigju
  • Bastarde: 07/12/2023 11:20

    Nuk ja vlen te harxhosh me asnje fjale te vetme per keta basdarde qe erdhen nga asgjeja,hici , boshlleku, dhe gjirizet e jetes se tyre provinciale. pa vlere, dinitet dhe moral .. dhe serish shkojne drejt asgjese dhe turpit te tyre... Sklleverit e Saliut dhe Saleshes se Re lodhen kot ... kot.. kot.. jane te denuar te zvarriten dhe te harrohen perfundimisht si qenie njerezore...

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 07/12/2023 11:15

    O njeres te mire keta jane deputetet qe jane zgjedhur jo nga populli por nga kryetarët e partive salehEdvinit te cilet bene ndryshimin e Kushtetutës me 2008,pas vrasjes se 26 te pafajshmeve ne Gërdecin e berishëve salehzen...

    Përgjigju
  • AltinTop: 07/12/2023 10:50

    Kane humbe 5 pale zgjedhje rresht dhe e vetmja alternative qe ofrojne eshte kaosi, tymuese, mosbindje etj etj… Zgjedhjet e ardhshme keto smarin as 10 deputet.

    Përgjigju
    • e drejta: 07/12/2023 13:30

      10 ESHTE SHUME....

  • Durrsaku: 07/12/2023 10:49

    Nqs neser do kemi rritje taksash dhe taksim I ajrit shkoni votoni plakun e ngritur nga varri dhe shkoni lepihuni per ndonjë kocke e turpshme se si mund te votohet nje buxhet per 8 min eshte skandal

    Përgjigju
  • Dali: 07/12/2023 10:24

    A ka të drejtë deputeti ta prekë gardistin ne krye të detyrës?

    Përgjigju
    • Baba: 07/12/2023 16:42

      Gardist apo qen kufiri?

  • e drejta: 07/12/2023 09:38

    SHPELLARET KUJTOJNE SE KUVENDI ESHTE NJE SHPELLE...MASKARENJTE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?