Kuvend, Basha: Rama mbron
‘peshqit e mëdhenj’ nga arrestimi

15 Janar 2018, 17:10| Përditesimi:

  • Share
Ka nisur sesioni i ri parlamentar. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka kërkuar nga grupet parlamentare që të japin kontributin maksimal për të miratuar ligjet që do të ndihmojnë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Ai kërkoi bashkëpunim konstruktiv mes opozitës dhe shumicës.

“Pavarësisht nga polarizimi, grupimet politike miratuan organet e Vettingut ngritjen e komisionit për Reformën Elektorale dhe vendime të tjerë të rëndësishëm. Këtë sesion do të marrim shumë vendime, por para së gjithash do të nisë me disa cështje thelbësore; miratimi i anëtarëve të KLGJ, KLP, miratimin e kryeinspektorit të lartë të drejtësisë, ndryshimet ligjore për 5 vendimet e Kushtetueses, rregulloren e Kuvendit, Reformën Elektorale dhe Kodin e Etikës. Jo vetëm që kërkojnë 2/3 për miratimin, por do të jenë kontribut për hapjen e negociatave. Kërkoj që të gjitha grupet të japin kontributin për miratimin” deklaroi ai. 

Basha: Rama mbron ‘peshqit e mëdhenj’ nga arrestimi
Kryetari i PD, Lulzim Basha në fjalimin e parë për sesionin e ri parlamentar nga foltorja e Kuvendit akuzoi qeverinë se pengon krijimin e organeve të reja të drejtësisë, pasi kërkon që të marrë nën kontroll SPAK-un për të penguar arrestimin e peshqve të mëdhenj të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.

Basha deklaroi se pasi Rama emëroi Kryeprokuroren e re, Tahirit iu rikthye pasaporta, u lirua Orest Sota, ndërsa edhe shumë në disa dosje të tjera hetimore morën një kthesë të fortë. "Kthehemi pas një muaji në vendin e krimit, në 18 dhjetor shumica e kapur nga krimi kreu krimin kushtetues, kapi prokurorinë dhe që prej asaj date janë shembullor kolonat e demokracisë.

Rruga që ka nisur Rama të çon drejt një fundi të njohur për homologët e tij kudo në botë. Rama po kap institucionet për të mbrojtur kriminelët që e mbajnë në pushtet me votat e vjedhura. Pasi Rama kapi prokurorinë Tahirit iu hoq masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit, Orest Sota u lirua, po bëhen sforco për të ndaluar hetimet nda Dakos së Durrësit dhe Sejdinit dhe klanit të tij që goditi policinë e shtetit.

Ish-deputetit Frroku dhe grupit Xibraka iu ulë dënimi. Hetimet për Shullazin kanë marrë kthesë të forta.
Sot prokuroria njoftoi refuzimin e hetimit për pengimin e deputetëve të opozitës në 18 dhjetor.  Sot ka ndodhur një grabitje në mes të Tiranës, dje një vrasje, po ashtu edhe një para pak ditësh, eksplozivi është bërë i përditshëm.

Qeveria shkel kushtetutën për të mbrojtur peshqit e mëdhenj dhe pengon krijimin e KLP. Qeveria ka qëllim që SPAK, ti përkasë kryeministrit dhe bandës që i ka dalë për zot dhe e mbron në cdo akt. Në kundërshtojmë dhe u bëjmë thirrje njerëzve që të mos vendosin krimin mbi Shqipërinë”. 

Fatmir Mediu: Kërkoj që shumica të reflektojë
Kryetari i PR, Mediu dënoi edhe njëherë ngjarjet e dhjetorit, ndërsa kërkoi respektimin e ligjit dhe vendimeve të institucioneve.

"Aktet e dhjetorit janë të papranueshme dhe kërkojnë reflektim nga ne. Kryeprokurorja e re u zgjodh në mënyrë të paligjshme. Vendimet e këtij sesioni përcaktojnë të ardhmen evropiane. Duhet të punojmë që të krijojmë kushtet për shqiptarët, jo për të kënaqur Brukselin.

Uroj dhe besoj dhe shpresoj që jemi në një moment reflektimi dhe le ta fillojmë duke korrigjuar padrejtësitë që u bënë ndaj institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm
” deklaroi ai. 

Petrit Vasili: Drejtësia e re ra, humbëm besimin te ndërkombëtarët
Por kryetari i grupit të LSI, Petrit Vasili tha se Reforma në Drejtësi ka rënë. Ai si shembull të fundit mori rastin kur Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka kualifikuar dhe ka marrë nga lista e zezë e OMN-së, për ti futur si kandidatë kalues për KLP dy emra.

U dhunua në mënyrë flagrante nga garda. Salla e parlamentit në vend që të kthehej në kultin e zbatimit të ligjit, e abuzoi për shkak të frikës nga disa procese të dhimbshme nga krahu i shumicës duke dhunuar reformën në drejtësi. Sot cdo ulërimë për reformën ka rënë.

Zgjodhët një kryeprokuror pa Vetting, nuk na duhet integriteti i tij. Ne zgjodhëm edhe ndërkombëtarët dhe ONM për garanci, por sot opinionet e tij hidhen poshtë edhe nga një copë sekretar i përgjithshëm, kjo është një ngjarje e zezë.

Te ONM vendosëm besim të madh, por ka rënë, është më pak se një sekretar i përgjithshëm. E di më mirë sekretari se ku ONM duhet të ecë dhe ku duhet dëgjuar dhe ku jo” deklaroi ai. 

 

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?