Foto ilustruese

Kush po e 'rrëzon euron?!' Deficiti i Bilancit të Pagesave u rrit ndjeshëm në tremujorin e tretë

14 Dhjetor 2022, 07:31| Përditesimi: 14 Dhjetor 2022, 07:35

  • Share

Deficiti i llogarisë korente, që mat transaksionet e mallrave dhe shërbimeve me jashtë, u rrit ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deficiti i llogarisë korente për tremujorin e tretë arriti në 166 milionë euro, në rritje me 57% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndikimin kryesor në përkeqësimin e bilancit të llogarisë korente për tremujorin III e ka dhënë rritja e deficitit tregtar në mallra dhe thellimi i deficitit në zërin e të ardhurave korente parësore, i lidhur sidomos me të ardhurat nga investimet (fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri). Rritja në tremujorin e tretë e përkeqësoi gjendjen e deficitit progresiv vjetor, që arriti në 621 milionë euro, me një rënie të lehtë prej 0.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, por duke ngelur gjithsesi në nivelet më të ulëta të katër viteve të fundit.

Deficiti i llogarisë korrente të ekonomisë shqiptare përcaktohet në masën dërrmuese nga varësia prej importeve dhe pozicioni negativ në tregtinë e mallrave. Deficiti tregtar në mallra u rrit me 22% në tremujorin e tretë, ndërsa për të gjithë periudhën 9-mujore deficiti tregtar në mallra ka arritur në mbi tre miliardë euro, 16% më shumë krahasuar me një vit më parë. Këtë vit, bilanci tregtar mallra është goditur ndjeshëm nga importet e mëdha të energjisë elektrike, për shkak të situatës së pafavorshme hidrike dhe rritjes së çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Efekt negativ ka dhënë edhe rritja e deficitit në të ardhurat parësore, për shkak të rritjes së fitimeve të investitorëve të huaj. Metodika e Bilancit të Pagesave parashikon që edhe fitimet e riinvestuara të paraqiten si zëra negativë në llogarinë e të ardhurave parësore, megjithëse në një masë të madhe në vitet e fundit këto fitime nuk po transferohen jashtë, por po riinvestohen.

Megjithatë, teknikisht, deficiti në të ardhurat nga investimet është thelluar ndjeshëm në tremujorin III, duke qenë përcaktues në përkeqësimin e deficitit të llogarisë korrente. Ky deficit u rrit me 50% në tremujorin III dhe me 44% për të gjithë 9-mujorin. Pjesërisht, deficiti që sjell tregtia e mallrave dhe zëri i të ardhurave parësore mbulohet nga bilanci pozitiv në tregtinë e shërbimeve. Për tremujorin e tretë, suficiti në shërbime u rrit me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa për të gjithë 9-mujorin rritja ka arritur në 35%.

Suficiti në shërbimeve vjen kryesisht falë ndikimit pozitiv që sjell sektori i turizmit, ai i fasonerisë dhe i degëve të tjera që bazohen në koston më të ulët krahut të punës, si sektori call center, outsourcing i shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit, etj. Në veçanti sektori i turizmit po jep kontribut në rritje dhe bilanci neto I të ardhurave arriti për 9-mujorin vlerën rekord prej 843 milionë eurosh, në rritje vjetore me 25%.

Një zë tjetër që kontribuon ndjeshëm në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente është edhe ai i të ardhurave dytësore, që përbëhet në pjesën më të madhe nga dërgesat e emigrantëve. Vala e re e emigracionit ka sjellë një cikël të ri rritjes së remitancave. Për 9-mujorin, remitancat arritën në 592 milionë euro, në rritje me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përfundimisht, deri në fund të 9-mujorit deficiti i llogarisë korrente ka një përmirësim shumë të vogël krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky përmirësim i vetëm nuk do të justifikonte mbiçmimin rekord të Lekut të kursin e këmibmit valutor.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë argumenton se në ecurinë e kursit duhen konsideruar edhe flukset në rritje nga investimet e huaja direkte, që këtë vit janë rritur me 35%. Vlera e investimeve të huaja direkte prej 984 milionë eurosh është, në fakt, 58% më e lartë se deficiti i llogarisë korrente për 9-mujorin. Por, nga ana tjetër, këtu duhet pasur parasysh se në pjesën më të madhe (rreth 54%) investimet e huaja direkte janë fitime të riinvestuara dhe jo flukse të reja valutore nga jashtë./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Toni: 14/12/2022 12:04

    Droga. Gjithe ato fjale per te thene ate qe e dine te gjithe.

    Përgjigju
    • Fiks: 14/12/2022 13:59

      Sa bukur e the!

  • A. N.: 14/12/2022 11:55

    Parate e pista me shumice qe futen ne shqiperi nga droga dhe mafia ulin vleren e Euros dhe forcojne Lekun. Eshte e thjeshte: sa me shume Euro qe futen nga jashte, aq me shume do zhvleftesohen ne krahasim me Lekun tone.

    Përgjigju
  • Shkodrane: 14/12/2022 09:58

    Ekonomistët shpikin terma të vështira për të fshehur të vërtetën. E lexon një njeri i zakonshëm dhe nuk kupton gjësendi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?