Shën Tereza dhe një prej shprehjeve të saj

Kush ishte Shën Tereza, kontributi i pashoq i shqiptares që ia kushtoi jetën të varfërve

5 Shtator 2018, 15:14| Përditesimi: 24 Nëntor 2022, 15:25

  • Share

Duaje jetën ashtu siç është

Duaje pa pretendime

Duaje kur të duan apo kur të urrejnë

Duaje sa herë që lindesh

e sa herë që je duke vdekur

Por mos duaj kurrë pa dashuri!

Si këto vargje, e qindra të tjerë Nënë Tereza, ajo që ka nderuar kudo vendin tonë, ia kushton ndjenjës që vë në lëvizje boshtin e jetës, dashurisë.

Sot , 2 vjet pas shenjtërimit dhe 21 vjet pas vdekjes së saj, të njëjtat vargje janë po njëlloj aktuale, e i drejtohen kujtdo. Por kush ishte Nënë Tereza, emri i së cilës ka lënë gjurmë në kujtesën shqiptare me humanizmin e pashoq.

Më 26 gusht të vitit 1910, në një familje shqiptare në Shkup të Maqedonisë, nis jeta e Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, ose siç e njohin në mbarë botën Nënë tereza.Kolë Bojaxhiu me origjinë nga Shkodra, dhe Drane Bojaxhiu nga Novo Sella e Gjakovës, ishin prindërit e saj, të cilët patën 5 fëmijë, 2 prej të cilëve humbën jetën në fëmijërinë e hershme. Pasi Shkupi i merret Shqipërisë dhe i jepet Maqedonisë më 1 janar të vitit 1918, në bazë të traktatit të Versajës, 1 vit më vonë Nënë tereza, vetëm 8 vjeç humbet babain  cili ishte i përfshirë në lëvizjet politike të asaj kohe.

Në Shkup mori edhe mësimet e para në gjuhën shqipe, ndërsa gjimnazin e kreu në gjuhën serbo-kroate. Kur ishte e re kishte 3 pasione : të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi si dhe të kompozonte e luante muzikë. Në moshën 18 vjeçare merr emrin Tereza, dhe dorëzohet si murgeshë.

Pasi u largua më 26 shtator 1928 në drejtim të Dublinit në Irlandë, ajo nuk do të mundte kurrë të shihte sërish motrën dhe nënën e saj. Në një letër të drejtuar tezes së saj, Gonxhja shprehej në këtë mënyrë :

“Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e dëshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju deshron zemna. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.

Pasi u nda nga familja e saj do të duheshin 30 vjet që Gonxhja të takonte vëllain e saj Lazrin. Ndërkohë që motra e saj Age dhe nënë Drania shkuan në atdhe që para luftës së dytë botërore, Gonxhja vendoset në Kalkutë ku bëhet mësuese, e njëkohësisht plotëson një prej ëndrrave të saj. Shumë shpejt u bë drejtore e shkollës së vajzave dhe u quajt . “Nënë Tereza e Kalkutës”  kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

Ajo vetë kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqipatre, por e gjithë bota e mësoi këtë gjë në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe. Në 17 qershor  1978  lutja e saj në gjuhën shqipe u transmetua në Zërin e Amerikës, e një vit më vonë, pas fitimit të çmimit Nobel ajo përshëndeti në shqip popullin shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel.  Në çastin e marrjes së Çmimit më 1979, pyetjes së njërit prej klerikëve se nga ishte Nënë Tereza i përgjigjet në këtë mënyrë:

“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Megjithatë atdheu i vogël me emrin Shqipëri heshtte përballë famës së madhe të Gonxhe Bojaxhiut. Kështu Republika PopulloreSocialiste, nuk i kishte dhënë vizë të takonte nënën e saj , as të merrte pjesë në varrimin e 1974, e as ti shihte varrin më vonë. Kjo vizë madje iu mohua edhe kur fama e saj tashmë njihej në të 4 anët e botës deri në fillim të viteve 1990.

Legjenda e gjallë Nënë Tereza, ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.

Nënë Tereza ishte njeri tepër i thjeshtë e modest. Mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter, Yasser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë kanë qenë disa prej emrave që kanë trokitur në derën e një prej njerëzve më humanë,bujarë e zemërgjerë të të gjitha kohërave.

Për të ardhur në vendin e saj, iu desh të dërgonte 3 letra deri sa  vizitoi Shqipërinë më 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pasaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur mori çmimin Nobel në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi.Darkën gala që do të mbahej me rastin e marrjes së çmimit Nobel, Nënë Tereza e refuzoi duke kërkuar që të ardhurat të shkonin për të varfrit e Kalkutës.

Bamirësia e Nënë Terezës e cila shprehet “Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”ishte e pamatë. Kështu  në kulmin e Rrethimit të Beirutit, në 1982 shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital ushtarak. E shoqëruar nga punëtorët e Kryqit të Kuq, ajo udhëtoi përmes zonës së luftës deri tek spitali I shkatërruar për të zhvendosur pacientët e rinj.

Nuk u tremb asnjëherë dhe i zgjeroi përpjekjet e saj në vendet komuniste duke u përfshirë në shumë projekte.

Ajo ishte kundër aborteve e divorceve.Në një konferencë në Oksford në vitin 1988 u shpreh se kurrë nuk do të lejonte një fëmijë që i ishte besuar kujdesit të saj të adoptohej nga një grua që kishte bërë një abort më parë apo kishte përdorur kontraceptiv.“Një grua e tillë nuk mund të të dojë”,-pati thënë Nënë Tereza.Puna e saj është e panumërueshme .  Në 1991, Nënë Tereza kthehet për here të parë në vendlindje dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tiranë, Shqipëri. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamiresia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën. Nënë Tereza fliste rrjedhshëm 5 gjuhë : Bengalisht, Shqip, Serbisht, Anglisht dhe Hindishte.

Kur shëndeti po i përkeqësohej e zemra filloi të dobësohej humanistja e botës, ofroi ta linte pozicionin e saj si kryetare e Misionarëve të Bamirësisë, por motrat e asamblesë, në një votim sekret votuan që ajo të qëndronte. Nënë Tereza pranoi të vazhdonte punen e saj si kryetare e asamblesë.

Në 13 Mars 1997, ajo la pozitën e kryetares së Misionarëve të Bamirësisë dhe ndërroi jetë vdiq me 5 Shtator 1997, si sot 21 vite më parë.

Nënë Tereza u prehë në Shën Tomas, Kalkutë dhe iu dha funeral shetëror nga qeveria Indiane në shenjë falenderimi për shërbimin e saj për të varfurit e të gjitha feve në Indi. Vdekja e saj u vajtua në komunitete laike dhe fetare.

Për Nënë Terezën janë thënë fjalë nga më të rrallat prej emrave dhe personaliteteve në mbarë botën. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.  Ish Sekretari- Gjeneral i KB ka thënë për Nënë Terezën se  : “Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqe në botë.”

Megjithëse ishte me origjinë shqiptare e asnjëherë nuk e mohoi këtë fakt, Nënë Tereza është një individ që i përket gjithë botës, e një shembull për tu ndjekur nga kushdo.

Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shperblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë i Rusisë; etj.

Në vitin 2002, pesë vjet pas vdekjes së saj, Papa Gjon Pali II gjykoi se shërimi i një gruaje që vuante nga tumori në stomak, ishte rezultat i ndërhyrjes së mbinatyrshme të Nënë Terezës. Ajo u shpall e “Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfërit e të varfërve”, të cilëve ajo iu kushtoi gjithe jetën

Një ndër datat më të rëndësishme që nderon madhështinë e Nënë Terezës së Kalkutës, e cila ia kushtoi jetën përkujdesjes ndaj të varfërve, është 4 shtatori i 2014, dita e shenjtërimit të saj, e cila një ditë më pas njihet si ditë zyrtare.

Papa Françesku ka pranuar një mrekulli të dytë që i atribuohet asaj – shërimin e një mashkulli brazilian me tumor në kokë në vitin 2008.

Të dyja këto data janë festa zyrtare në vendin tonë. Në nder të Shën Terezës një numër i madh institucionesh kanë marrë emrin e saj,si Qendra spitalore Universitare, Aeroporti, Sheshi Nënë Tereza.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?