Trupa gjykuese e Saimir Tahirit

Kush është trupa gjykuese që futi në burg Tahirin

4 Shkurt 2022, 21:40| Përditesimi: 5 Shkurt 2022, 09:05

  • Share

Trupa gjykuese, me gjyqtar Engert Pëllumbi me anëtare Igerta Hysin dhe Florian Kalanë kanë lënë sot në burg ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahir.

Megjithëse prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara u qëndruan akuzave për trafik narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal, trupi gjykues i kryesuar nga Engert Pëllumbi, me anëtarë Igerta Hysin dhe Florian Kalaja, vendosi të lërë në fuqi vendimin e shtatorit 2019 të ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, që e dënoi Tahirin me 5 vjet heqje lirie për shpërdorim detyre, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua me 3.4 vjet.

Po kush është trupa gjykuese?

Engert Pëllumbi i komanduar në Gjykatën e Apelit të Vlorës në tetor të vitit të kaluar kaloi vetingun. Ai përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Fierit. Në vitet 2017-2020, Pëllumbi punoi si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë dhe prej nëntorit 2020 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Vlorës si pjesë e skemës së delegimit. Gjatë verifikimeve, anëtarët e komisionit nuk gjetën asnjë konstatim të gabuar lidhur me pasurinë e tij. Pikat më ‘kulmore’ ku është përqendruar vëmendja te gjyqtari ka qenë një rast në vitin 2011, kur ai gjobiti për shpifje nënkryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felajn për shpifje.

Gjyqtarja Igerta Hysi e Gjykatës së Fierit u konfirmua në detyrë në nëntor të 2021 duke kaluar me sukses vetingun. Hysi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas kryerjes së stazhit në Gjykatën e Tiranës, u emërua në vitin 2011 në Gjykatën e Rrethit Fier.

Florjan Kalaja u konfirmua në detyrë në dhjetor 2020. Kalaja ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar në të njëjtin vit në Gjykatën e Vlorës. Në vitet 2016-2019, ai ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë, më pas gjyqtar i deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Beteja 5 vjeçare e Saimir Tahiri e arriti finalen pasditen e sotme me vendosjen e prangave në sallën e gjyqit me akuzën për shpërdorim detyre, pasi gjykata e gjeti fajtor për lidhjet me kushërinjtë e largët, Moisi dhe Artan Habilajn.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?