Ardian Dvorani dhe Ilir Meta

Kush dhe si do zëvendësohet Ardian Dvorani, roli i Metës dhe opsioni i Vitore Tushës

12 Qershor 2020, 16:48| Përditesimi: 12 Qershor 2020, 16:54

  • Share

Pas vendimit të paprecedentë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për largimin e Ardian Dvoranit si anëtar të Gjykatës së Lartë, rrjedhimisht edhe si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka nisur një debat për pasuesin e mundshëm të Dvoranit në krye të KED. Presidenca pretendon jo publikisht se pas largimit të Dvoranit, në krye të KED duhet të vendoset Vitore Tusha, anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, të cilës i ka mbaruar mandati që në vitin 2017. Vitore Tusha shihet si e ‘besuara’ e Metës. Ky i fundit e propozoi Tushën për kryetare të KLSH, por kandidatura e saj nuk u pranua nga mazhoranca qeverisëse.

Po kush dhe si do zëvendësohet Ardian Dvorani? Ligji është shumë i qartë dhe i prerë në këtë rast: Vendin e Dvoranit në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duhet ta zërë një nga tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, të dekretuar nga Meta në mars të këtij viti. Pika e parë e nenit 226 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon që “anëtari i Gjykatës së Lartë është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Por, zgjidhja nuk është kaq e thjeshtë.

Presidenti Ilir Meta duhet të kishte zgjedhur me anë të shortit një anëtar zëvendësues për Dvoranin, që në dhjetor të vitit 2019, në radhët e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pikërisht për mos krijuar vakanca në KED, në ligj është përcaktuar që për çdo anëtar të Këshillit të Emërimeve të Drejtësi, zgjidhet edhe një anëtar zëvendësues, nga i njëjti institucion. Sipas pikës 7 të nenit 221 të ligjit për organet e qeverisjes së drejtësisë “përveç anëtarëve të parashikuar.., Presidenti i Republikës zgjedh edhe një anëtar zëvendësues nga secili institucion në të njëjtin short”.

Por, gjatë zgjedhjes me short të anëtarëve të KED 2020 në Presidencë, Gjykata e Lartë kishte vetëm një anëtar, Ardian Doranin. Kjo është edhe arsyeja se pse Dvorani është zgjedhur automatikisht anëtar dhe kryetar i KED për dy vite radhazi. Aktualisht nuk ekziston një anëtar zëvendësues për Dvoranin dhe KED praktikisht sot është në krizë.

Po a mund të hedhë Meta shortin tani për të zgjedhur anëtarin e ri të KED në radhët e Gjykatës së Lartë dhe zëvendësuesin e tij? Edhe pse Gjykata e Lartë ka aktualisht tre anëtarë, ligji parashikon që kandidaturat për 11 vende në KED përzgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë në radhët e gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve, jo më vonë se data 15 nëntor e çdo viti.

Ndërkaq, sipas ligjit, Presidenti i Republikës, në prani të Avokatit të Popullit, përzgjedh anëtarët e Këshillit me short midis datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik. Pra ligjit e ka përcaktuar kohën se kur Meta duhet të hedhë shortin për të zgjedhur anëtarët dhe zëvendësuesit e tyre. Sipas ligjit, Meta nuk mund ta hedhë shortin në një kohë tjetër.

Nëse Presidenti nuk arrin të përzgjedhë anëtarët e Këshillit deri në datën 5 dhjetor, procedura e hedhjes së shortit i kalon kryetarit të Kuvendit. Por, në ligj është caktuar koha 1 deri në 5 dhjetor të çdo viti.

Po a mund të zërë Vitore Tusha vendin e Ardian Dvoranit? Neni 227 i ligjit për organet e qeverisjes së drejtësisë, parashikon që ‘anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është zëvendëskryetari i Këshillit. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit’.

Vitore Tusha mund ta zërë vendin e Dvoranit si pasojë e shkeljes së detyruar nga Meta të ligjit në dhjetor të 2019, duke mos zgjedhur një zëvendësues nga Gjykata e Lartë, e cila kishte vetëm një anëtar. Por, në këto rrethana, mund të vihet në lëvizje mazhoranca, për të mundësuar plotësimin e vendit vakant në KED, duke ndryshuar ligjin.

Me largimin e Dvoranit, KED mbetet me 10 anëtar, gjë që mund të sjellë bllokimin e Këshillit, nëse votat ndahen 5 me 5. Ligji parashikon që Këshilli vendos me shumicën e votave në prani të të paktën pesë anëtarëve. Çdo institucion vendimmarrës ka anëtarë me numër tek, që mos të sjellë bllokadë në vendimmarrje.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?