Kurti takon ambasadorët e vendeve të QUINT: I informova për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë

7 Prill 2023, 14:51| Përditesimi: 7 Prill 2023, 15:02

  • Share

Aneksi për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ishte temë diskutimi në takimin e së premtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it. Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili bashkë me Kurtin informoi përfaqësuesit diplomatikë mbi rezultatet e takimit të 4 prillit në Bruksel dhe pritjet e nga ky proces, vazhdon njoftimi.

"Ata shprehën përkushtimin e tyre të plotë për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes", thuhet në njoftim.

Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri më 4 prill për deklaratën për persona të pagjetur. Bislimi ka deklaruar më herët se takimi i nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, do të mund të zhvillohet më 22 prill. Mirëpo, BE-ja ende nuk e ka konfirmuar datën.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj. Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?