Albin Kurti

Kurti: Asociacioni s`është prioritet i normalizimit, por Marrëveshja Bazike

11 Janar, 12:35
  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është top-prioritet i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por është Marrëveshja Bazike. Ai tha se të gjithë ata që e nxjerrin Asociacionin nga paketa i bëjnë dëm Kosovës.

Ai ka thënë se më 26 tetor të vitit të kaluar ka qenë i gatshëm të nënshkruajë një paketë, ku ishin të përfshira Marrëveshja Bazike, Aneksi i Zbatimit dhe draftstatuti euroamerikan për Asociacionin, por një gjë e tillë ishte refuzuar nga pala serbe.

“Unë më 26 tetor, dy ditë pasi i kam dhënë vërejtjet e mia kapitale për draftstatutin e Asociacionit si propozim euroamerikan kam ofruar që ta nënshkruajmë një paketë, ku është Marrëveshja Bazike, Aneksi i Zbatimit dhe ky draftstatuti i Asociacionit, për të cilin i kam pasur vërejtjet, por aty në Bruksel mu tha se është  çështje urgjente, pasi agresioni rus në Ukrainë nuk po përfundon dhe një luftë e re në Lindjen e Mesme nisi, andaj është e domosdoshme të bëjmë shpejt. Mirëpo oferta ime gjeneroze për nënshkrim u refuzua nga pala serbe”, tha Kurti gjatë konferencës së përbashkët me media me homologun e tij irlandez, Leo Varadkar.

Ai tutje ka sqaruar postimin e tij të para disa javëve në të cilin kishte shprehur gatishmërinë e tij për të shkruar një draft për Asociacionin.

“Në atë postim kam thënë se unë mund ta shkruaj një draftstatut, meqenëse ndërmjetësi Lajçak tha se është  çështje e brendshme e Kosovës. Atëherë pse kemi diskutuar për Asociacionin dy vjet në Bruksel? Paskemi humbur kohë. Nëse është  çështje e brendshme që u tha për herë të parë, sepse nuk është thënë deri në dhjetor, unë mund ta shkruaj. Pra nuk i kam dhënë premtim tjetrit, por kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe le ta diskutojmë”, tha Kurti.

Ai ka kërkuar që të mos ngatërrohet hierarkia e gjërave, duke thënë se fillimisht  Marrëveshja Bazike, Aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flitet për Asociacionin.

“Të gjithë ata që e nxjerrin Asociacionin nga paketa i bëjnë dëm Kosovës. Nuk mund ta nxjerrësh nga paketa e ta bësh prioritet për nga koha ose në qendër për nga hapësira e tryezës. Asociacioni nuk është top-prioriteti i normalizimit, është Marrëveshja Bazike, andaj të gjithë kolegët e mi jo vetëm në Kosovë, i lus të mos e nxjerrin nga paketa draftstatutin apo Asociacionin si një  çështje. Lexoni gjashtë fjalitë e para në Marrëveshjen Bazike dhe 11 nenet. Vetëm në nenin e 7 dhe të 10 mund të thuhet se kemi referencë tek  çështja e komunitetit serb, për të cilin unë dua që t’i ketë të gjitha të drejtat”, tha Kurti.

Kurti më tej i numëroj të drejtat që i gëzon komuniteti serb në Kosovë dhe tha se pajtohet edhe me kryeministrin irlandez se respektimi i të drejtave të minoriteteve gjithmonë është një matje shumë e mirë për demokracinë e një shteti.

Kurti po ashtu ka kërkuar që krimineli Milan Radojiqiq t’i dorëzohet organeve të drejtësisë dhe jo të sillet i lirë në shtetin serb.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?