Foto ilustruese

Kursimi i qytetarëve heq fashat

4 Tetor 2022, 11:11| Përditesimi: 4 Tetor 2022, 11:15

  • Share

Me afrimin e muajve të ftohtë të dimrit, qeveria shikoi se viti i thatë 2022 dhe çmimet mesatare të energjisë elektrike që në tregjet ndërkombëtare kapnin edhe shifra 690 euro për megavat-orë, nuk do t’i mundësonin, sado para të harxhonte nga buxheti, sigurimin e të gjithë energjisë që vendi kishte nevojë për muajt e ftohtë. Dhe u detyrua të deklarojë vendosjen e fashës 800 kWh për muajt tetor-dhjetor 2022. Por çfarë ndodhi?

Në ditët e fundit të shtatorit, pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë(ERE) për të vendosur fashën e 800 kilovat-orëve(kWh), familjet tona nisën gati insiktivisht ta kursejnë energjinë, si një parapërgatitje për kursimin edhe më të madh gjatë muajve të fashës tetor-dhjetor 2022. Kështu, nisën të mos e shpërdorojnë më energjinë, me atë ritëm që ishin mësuar ta shpërdoronin(lënie llampash elektrike ndezur, kondicioner pafund, lavatriçe me një çerek kazani, etj.) deri tani.

Sidomos për shkak të kësaj arësyeje(në kalimin nga shtatori në tetor zakonisht kërkesa për energji në baza mesatare vjetore, bie me 20 përqind, për shkak se kondicionerët nuk vihen më në punë), nevojat për energji u ulën me 47 përqind, nga 17 mijë megavat-orë në 11 mijë megavat-orë. Ose 27 përqind më shumë, nga kursimi që familjet tona i bënë harxhimit të energjisë.

Kjo bëri që qeveria të deklarojë tre ditë më parë heqjen e fashës për tetorin dhe ERE nuk mund të çmendet dhe të vendosë kundër interesit të qytetarëve, duke mos e miratuar këtë kërkesë.

Kursimi 5 milionë euro në tetor   

Me mos-vendosjen e fashës prej 800 kilovat-orësh për muajin tetor, qeveria u kurseu dhjetëra mijëra familjeve shqiptare(atyre që në muaj jo të ftohtë harxhojnë më shumë se 800 kWh) rreth 5 milionë euro. Nuk janë pak. Kjo, për arësye se qeveria e blen energjinë elektrike sot në tregun ndërkombëtar me 455 euro për megavat-orë, ose afro pesë herë më shtrenjtë se sa na a shet si qytetarë(ne na e shet me 9.5 lekë kilovati, plus 20 përqind TVSH, ose 94 euro për megavat-orë).

·         Për të siguruar furnizimin me çdo kusht të energjisë elektrike për 10 muajt e parë të këtij viti dhe me çmimin e fiksuar që më 1 janar 2015, qeveria ka shpenzuar në import një çerek miliardë euro më shumë nga buxheti i shtetit

Pjesa tjetër është e gjitha subvencionim, për gati 30 përqind të energjisë elektrike që jemi të detyruar të importojmë.

Shqipëria, e dyta me çmimin më të subvencionuar

Pak prej nesh e dimë, por ndihma për çdo familje shqiptare gjatë 12 muajve tetor 2021-shtator 2022, kur çmimi ndërkombëtar i energjisë u rrit me katër deri pesë herë, në krahasim me çmimin normal që ka mbajtur në vitet 2020 e me përpara, ka qenë 107 euro në muaj për familje. Ose më shumë se 12 mijë lekë në muaj. Kjo është shifra që do të harxhonim më shumë për faturën e energjisë elektrike këto 12 muaj, nëse qeveria nuk do të na mbronte.

Kjo ndihmë e ngjit Shqipërinë, nga një prej vendeve më çmimin më të lartë të energjisë në rajon në vitin 2018 në vendin e dytë për çmimin më të ulët në Evropë për banor, pra më të subvencionuar.

* Nga dhjetori 2021, kohë kur të dhënat statistikore janë të plota, çmimi në rajon(Serbi, Maq. e Veriut, Mal i Zi, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë) është rritur mesatarisht me 16%. Nga janari-shtator 2022, çmimi për familjarët nuk është rritur vetëm në Shqipëri.

** Çmimi mesatar për familjarët në Kosovë llogaritet si mesatare e çmimit më të ulët dhe më të lartë, mbi bazën e tarifave të publikuara nga Enti i Energjisë së Kosovës sipas linkut më poshtë: https://www.ero-ks.org/zrre/sq/konsumatoret-shtepiak/energjia-elektrike/tarifat-e-energjise-elektrike

*** Çmimi mesatar në Maqedoninë e Veriut është rritur me 15%, nga shifra e raportuar nga EUROSTAT në dhjetor 2021.

Burimet:

https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=Electricity_price_statistics

https://www.globalpetrolprices.com/electricity_prices/

Nëse nuk ka fashë  edhe në nëntor 2022, familjet kursejnë 15 milionë euro

Ndërkohë, Korporata Elektro-energjitike Shqiptare(KESH) ka siguruar energjinë elektrike që na duhet për gjithë muajin tetor 2022. Nuk ka rrezik për kufizime energjie, sikurse kufizimet, për fat të keq, ndodhën në Kosovë gjatë ditëve të shtatorit.

Alternativa që ka zgjedhur KESH, kombinon energjinë e prodhuar nga hidrocentralet në vend(sidomos të tre hidrocentralet shtetërore Fierza, Komani dhe Vau i Dejës, që japin 79 përqind të prodhimit vjetor të vendit),  me energjinë e importit. Për këtë të fundit, KESH ka shpenzuar 33,9 milionë euro, duke na e garantuar energjinë elektrike për gjithë këtë muaj. Vetëm për shtatorin 2022, KESH ka blerë 44 milionë euro energji në tregun ndërkombëtar. Që nga 1 janari 2022, bëhen 334.5 milionë euro të harxuara vetëm për të importuar energji, ose 254 milionë euro më shumë se sa harxhimi mesatar për import në vitet e zakonshme për periudhën 1 janar-30 shtator(viti 2020 e me rradhë). Pra, çerek miliardë euro subvencion i fshehtë, që nuk shihet.

Nga ana tjetër, shirat e shtatorit bënë që niveli i liqenit të Fierzës(hambari i prodhimit të energjisë sonë, nga sigurohet mbi 60 përqind e energjisë që arrijmë të prodhojmë) të rritet me 3 metra. Nuk janë pak. Një metër ujë më shumë në Fierzë është baraz(me çmimet e sotme ndërkombëtare të energjisë) me 13.7 milionë euro. Këto zhvillime pozitive i mundësuan qeverisë që të garantojë mos-vendosjen e fashës për muajin tetor, me një sy për të mos e vendosur atë edhe për muajin nëndor. Gjithshka do të varet nga ne, qytetarët, se sa të ndërgjegjësuar do të jemi bërë për ta kursyer, më në fund, energjinë elektrike, këtë mall kaq të shtrenjtë sot në botë. Nëse arrijmë të kursejmë fort dhe nëse, do Zoti, shirat vijojnë edhe në tetor, fasha e hequr për nëndorin do të na kursente tre herë më shumë se gjatë tetorit. Pra 15 milionë euro. Kjo, për arësyen se në dhjetëditorin e fundit të nëndorit, temperaturat bien ndjeshëm dhe ne fillojmë ngrohjen e vatrave tona. Sfida është e gjitha përpara nesh. Por kursyem energji, qeveria do të arrijë të na bëjë të mos shpenzojmë më shumë nga buxhetet tona familjare 15 milionë euro më tepër, për faturën e energjisë. Gjithshka varet nga ne si qytetarë, nga sjellja jonë me mallin më të shpërdoruar në gjithë këta 32 vite tranzicion, me energjinë elektrike, të rritur mesatarisht me katër herë në vatrat e çdo familjeje evropiane.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?