Kur’ani në shqip, pse kaq shumë botime të ndryshme? Esencë-Report Tv

14 Prill, 19:27| Përditesimi: 14 Prill, 19:31

  • Share

Në Emisionin Esencë që lamë pas, u trajtua përkthimi dhe komentimi i Kur’anit në gjuhën shqipe, të sjellë nga besimtari Muharrem Blakcori me origjinë nga Peja dhe jetues për një kohë të gjatë në Kavajë.  Në studio ishte i ftuar nipi i tij, Xhevdet Blakcori.

Lidhur me bisedën më sipër, Eljan Tanini citon një material prej Azmir Jusufit (PHDc), Prizren – Kosovë dhe (Prof. Dr. Enes Kariq) të botuar në Revistën Shkencore dhe Kulturore Zani i Naltë me këto të dhëna që flasin për mënyrën e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe dhe si ka ardhur ai deri në ditët tona.

1. Shqipëria në vitin 1967 u shpall shteti i parë ateist në botë, kështu që u ndalua çfarëdo aktiviteti në rrafshin fetar

2. Komunizmi – nuk ka asnjë dyshim se gjysmëshekulli i regjimit komunist në Shqipëri, e ka dëmtuar kryesisht çështjen fetare

3. Përkthimi i Kur’anit te shqiptarët ka qenë një temë tabu

4. Mungesa e traditës së përkthimit dhe qëndrimi se nuk duhet përkthyer Kur’ani

5. Mungesa e një alfabeti të përbashkët

6. Mungesa e institucioneve profesionale (arsimore, shkencore dhe fetare) në trojet shqiptare për të zhvilluar aktivitetin e vet në gjuhën shqipe deri në kohën e ringjalljes kombëtare.

Përkthimi i parë i pjesshëm i Kur’anit në gjuhën shqipe daton nga mesi i viteve ‘20 të shekullit të kaluar. Mund të duket e çuditshme, por e vërteta është se përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe ishte shqiptari ortodoks i krishterë nga Korça – Shqipëria, Ilo Mitko Qafëzezi.

Ai në vitin 1921 bëri përkthimin e pjesshëm të Kur’anit në gjuhën shqipe, duke iu referuar përkthimit të Kur’anit nga George Sale, në gjuhën angleze. Qafëzezi ka meritat e veta, sepse siç konstaton edhe studiuesi i mirënjohur Gazmend Shpuza, deshi të bëjë “çështje të kulluar kombëtare” dhe të paraqesë prova të një koncepti të gjerë dhe përparimtar për bashkëjetesën dhe mirëkuptimin midis besimtarëve të feve të ndryshme në atdheun e përbashkët.

Megjithatë, është fakt se edhe para këtij përkthimi të Ilo Mitko Qafëzezit, që në vitin 1894, pjesë dhe sure nga Kur’ani, i përktheu shkrimtari i famshëm shqiptar dhe intelektuali, Naim Frashëri, me titull: “Thelb i Kur’anit”, të botuar në librin e tij “Mësime”, në Bukuresht.

Në kulmin e përpjekjeve rreth përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe ballafaqohemi me dy dijetarë të njohur myslimanë dhe hafizë te shqiptarët në Shqipëri: Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu. I pari kishte botuar përkthimin e 37 ajeteve dhe dy sureve të Kur’anit në Shkodër, në vitin 1926, kurse i dyti nga viti 1929 deri në vitin 1944, në tre vëllime botoi përkthimin e 7 sureve (El-Bekare – El-A’raf) me titull: “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”. Ky përkthim është shoqëruar me një koment nga autori. Përpjekje për përkthimin e Kur’anit ka pasur edhe nga Ali Asllani, Ferit Vokopolla, Abdulla Ze(ë)mblaku, Beqir Maloku nga Gjakova, por me shërbim në Romë – Itali, Mehdi Frashëri, i cili sipas dëshmive të bijve të tij Vehbiut dhe Ragibit, kishte përkthyer Kur’anin, por nuk arriti ta botonte.

Lidhur me çështjen e përkthimit të Kur’anit në Kosovë, që nga vitet ‘70, është diskutuar disa herë, si në Bashkësinë Islame ashtu edhe në Shoqatën e Ulemasë. Hajrullah Hoxha thotë: “Më kujtohet si sot, kur në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës, në vitin 1974, në Gjilan, në shqyrtimin e çështjes së shtypit fetar u diskutua edhe rreth përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe. Me këtë rast u konstatua se mungon kuadri i aftë profesional për kryerjen e një pune të tillë të shenjtë si dhe mjetet për përkthim dhe botim. Lidhur me këtë, myftiu i Beogradit, H. Jusufspahiqi, u ndërlidh në diskutim duke thënë: ‘Nëse ju e siguroni përkthimin e Kur’anit, unë ju garantoj për sigurimin e shpenzimeve të përkthimit dhe të shtypit nga Liga Islame, – anëtar i së cilës ishte edhe ai. Kjo çështje u zvarrit për një kohë të gjatë…’

Në vitin 1981, Shoqata e Ulemave nën udhëheqjen e H. Abdullah Zhegrovës, formoi komisionin prej dhjetë anëtarësh për përkthimin e Kur’anit, të kryesuar nga H. Sherif Ahmeti, i cili u autorizua për redaktimin e materialit të përkthyer dhe komentimin e tij sipas nevojës. Ky projekt i përkthimit të Kur’anit në mënyrë institucionale, pas një pune disavjeçare, dështoi. Pjesërisht me tërheqjen e Feti Mehdiut nga Komisioni, i cili vazhdoi punën e përkthimit të Kur’anit në mënyrë individuale dhe e botoi atë në vitin 1985, ndërsa përfundimisht, me paraqitjen e Sherif Ahmetit me përkthimin e tij personal, dhe botimin e tij në vitin 1988.

Sipas shumicës së intelektualëve myslimanë shqiptarë, Akademiku Feti Mehdiu është i pari që e kishte përkthyer plotësisht Kur’anin në gjuhën shqipe, në vitin 1985.

Megjithatë, Ledian Cikalleshi, mbi këtë çështje thotë: “Në bazë të fakteve që kemi ne, Feti Mehdiu nuk është përkthyesi i parë i tërë Kur’anit në gjuhën shqipe, por Muharrem Blakçori (1894-1968) …”

Bazuar në atë që u përmend më sipër, arrijmë në përfundimin se Akademiku Feti Mehdiu është përkthyes i parë i Kur’anit në mënyrë të plotë në gjuhën shqipe. Tre vite pasi është botuar përkthimi i Kur’anit nga Akademiku Feti Mehdiu, më saktësisht në vitin 1988, nga shtypi dolën edhe dy përkthimet e Kur’anit, i pari i Muderris Sherif Ahmetit dhe tjetri i prof. Hasan Nahit. Pas këtyre tre përkthimeve të përmendura të Kur’anit, kemi edhe përkthimin e Kur’anit nga Zakarijja Muhammad Khani, i cili i përket sektit ahmedij/kadijanij, me emërtim Kur’ani i Shenjtë, i botuar në vitin 1990. Më pas, përkthimin e Kur’anit nga Selim Stafa në vitet 1996-1998; përkthimin e Kur’anit nga një grup studentësh pranë “Darus-selam”, Mbretëria e Arabisë Saudite, i botuar në vitin 1999; përkthimin e Kur’anit nga Alban Fejza, i botuar në vitin 2010; dhe përkthimin e Kur’anit të Prof. dr. Enes Kariqit, i përkthyer nga gjuha boshnjake nga përkthyesi: Selim Sylejmani, i botuar në vitin 2011.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?