Artikulli 'Edhe Shqipëria e caktoi si ditë pushimi të dielën'

Kur u bë e diela pushim zyrtar në Shqipëri?

15 Janar 2023, 13:37| Përditesimi: 15 Janar 2023, 13:42

  • Share

Një nga reformat e viteve 20-të ishte caktimi i festave zyrtare dhe i ditës së pushimit. Në artikullin “Edhe Shqipëria e caktoi si ditë pushimi të dielën”, Shekulli i ri, nr.111, 6 nëntor 1928, f.4, shkruhet se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 5 nëntor ishte vendosur që t`i dërgohej mbretit për dekretim vendimi për caktimin e të djelës si ditë pushimi. 

Në qarqet intelektuale të kryeqytetit ky vendim bëri përshtypje të mirë. Kjo reformë bëhej për shkak të koherencës që shteti i ri shqiptar duhej të kishte me vendet europiane. Bashkë me të dielën, qeveria e kohës caktoi edhe festat zyrtare. Ato ishin 28 Nëntori (dita e indipendencës); 8 Tetori (ditëlindja e mbretit); 1 Shtatori (dita e proklamimit të monarkisë) dhe 1 Janari (dita e parë e vitit të ri). Bashkë me festat civile, u konsideruan si ditë pushimi edhe 16 ditë të tjera, që lidheshin me kalendarin festiv të komuniteteve fetare. 
Gjatë këtyre ditëve, zyrat e shtetit do të ishin të mbyllura, me përjashtim të Post-Telegrafës dhe policisë.  

Gjithashtu në stinën e verës, për shkak të vapës u vendos që nënpunësit të punonin me orar të reduktuar. Sipas dekretit, nga 15 qershori deri më 31 gusht, zyrat e shtetit do të qëndronin të hapura nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 13:00 të drekës.

Artikulli “Edhe Shqipëria e caktoi si ditë pushimi të dielën”

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?