Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Kur të jep mend Ilir Meta!

11 Janar 2022, 13:22| Përditesimi: 11 Janar 2022, 13:35

  • Share

Ka kohë që vërehet një qasje e qëndrimeve të Ilir Metës dhe krahut të Berishës në aksione politike dhe mbështetje mediatike. Por së fundi ajo është bërë më e hapur. Përtej rolit të tij institucional dhe gardhit që nuk duhet të kapërcejë dhe që mesa duket e ka harruar me kohë, ai ka filluar të komentojë edhe zhvillimet në PD.

E tillë është edhe ndërhyrja për procesin e rivotimit të kryetarit të PD, që u dashka bërë sipas Metës, në mënyrë që të qetësohen gjakrat.

Që procesi i votimit të Lulzim Bashës sa herë është bërë, ka futur ujë, kjo nuk do shumë memorie. Që proceset kanë qenë qesharake dhe të manipuluara, këtë vetëm tru shpëlarët nuk e pranojnë. Basha ka qenë gjithmonë delfini i Berishës. Basha ka qenë gjella që Berisha i ka servirur PD-së dhe tani që është i detyruar ta hajë edhe vetë, Berisha refuzon ta provojë. Por tani që Berisha e kupton se vendosja e një personazhi jopolitik si Basha ishte zgjidhja më e keqe për të, pasi dikush i rritur në hije nuk mund t’ju bëjë hije dhe mbrojë të tjerët dhe do të bëjë njerëzit të besojnë në naivitetin e zgjedhjes së tij, është vonë. Kështu që çështja e zgjedhjeve në PD është një proces që ka vdekur kur ishin ujërat e qeta, jo tani që ka marrë flakë ajo parti.

Ndaj ndërhyrja e Metës nuk është leksion për rregulla demokracie. Është një rreshtim i tij në krahun e Berishës, rreshtim i cili mesa duket do të jetë edhe strategjik. Është një ndihmë dhënë aleatit të tij në një kohë të vështirë. Kjo mbështetje nuk i vlen Berishës për luftën brenda PD-së. Fjala e Metës mes militantëve të PD është bezdisëse. Pak vlen edhe për Bashën. Më shumë është një sinjal për Ramën. Kjo është shenja se dy njerëzit e fortë të politikës shqiptare së shpejti do të bashkojnë forcat në betejat e ardhshme politike dhe për të cilat Rama duhet të përgatitet fort pasi janë dy individë që nuk do pranojnë të ikin nga politika dhe që në karrierën e tyre kanë shumë akuza dhe njolla të zeza.

Ndërsa për shqiptarët është një leksion i ardhur nga dikush që zgjedhjet në partinë e tij i ka model. Është zbavitëse.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares