Sotir Kolea

Kultura

Kur Sotir Kolea i kundërvihej qeverisë për kontrabandën e cigareve

3 Korrik 2021, 09:33| Përditesimi: 3 Korrik 2021, 09:42

  • Share

Çuditërisht, Shqipëria qysh në kohën e Perandorisë Osmane konsiderohej si një ndër evazorët kryesorë të taksës së duhanit. Duket se kjo çështje kishte krijuar aq  probleme, sa qeveria shqiptare, e kryesuar nga Ismail Qemali monopolin mbi duhanin, ia hoqi administratës shumëkombëshe, e cila menaxhonte financat e Perandorisë Osmane. Në kohën e qeverisë së përkohshme të Vlorës në vitet 1912-1913, i vetmi ndryshim mbi taksat doganore ishte ajo e taksës së importit mbi duhanin, që u shtua deri në masën 30%, sipas një urdhri të Ministrisë së Financave.

Duket se kontrabanda përbënte një “patate të nxehtë”, ndaj edhe në vitet '20 kishte debate të shumta, pasi këtë monopol e donin britanikët.  Për të mos pasur në mes të huaj në këtë cështje, duket se lidhet edhe krijimi i shoqërisë STAMLES (Shoqëria Tregtare Anonime Monopol i Letrës dhe Shkrepëseve) në 1922, që përfitoi monopolin shqiptar. Por gjithsesi, nuk ja doli që ta vinte nën kontroll kontrabandën. 

Në parlametin shqiptar në një nga seancat në vitin 1934, ku u paraqit buxheti vjetor u diskutua me shqetësim problemi i evazionit fiskal për duhanin . Mes të tjerave, në këtë raport u theksua: “ishte programuar të mblidheshin nga taksat për duhanet 1.300.000 fr. Ar. Megjithëse taksa për kg/duhan nga 3 fr.ar dhe për cigaret 4 fr. Ar u zbrit, kontrabanda mjerisht nuk u evitua dhe kështu që s’mundi të realizohej shuma e parapame. Ndaj këtë vit kemi 300.000 fr Ar më pak”. 

Ndonëse ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Sotir Kolea jetonte në mënyrë intensive me cdo problem të vendit, ndaj u angazhua direkt në këtë shqetësim  me ndikim negativ në të ardhurat e shtetit. Në fakt, ishte një fushë, që e njihte mjaft mirë. Para kthimit në Atdhe në 1928, Kolea kishte punuar gjithë kohën në tregtinë e duhaneve, sektor me të cilin u rrit. I jati, avokat Kristo Kolea, kishte punuar për një periudhë kohe si jurist në Monopolin francez të duhaneve “ La Regie Des Tabac”. Vetë Sotiri, pasi morri mësimet e para në Berat, u vendos fare i vogël në qytetin e Manastirit ku pasi mbaroi edhe gjimnazin grek, u emërua fillimisht nëpunës në degën e Monopolit Francez të duhanit në qytetin e Ohrit. Prej aty, në 1999 u transferua në Greqi, në fillim në Dhrahma e më tej, në Kavalla, ku jetoi deri në vitin 1902, për tu zhvendosur me të njëjtën detyrë në Egjypt, në Aleksandri dhe në Kajro, Tananarivë në Madagaskar e deri në Marsejë në Francë.

Fakti që njihte mirë këtë sektor, faktet mbi kontrabandën e cigareve që bëhej nga Italia Jugore në bregdetin shqiptar, si dhe nga kufijtë tokësorë në Konispol e gjetkë, që ishin bërë publike në shtypin e kohës , sikurse ishte gazeta “Ora”, që botonte në Tiranë Cekrezi në vitet 30-të, si dhe gropa që kishte krijuar në të ardhurat e buxhetit të varfër të shtetit shqiptar, e shtynë Sotir Kolean që pas një analize të plotë mbi shifrat zyrtare, t’i drejtohej në 15 Janar, 1935 me një letër Dhimitër Beratit, aso kohe ministër i Ekonomisë Kombëtare:

“Krejet’ e pervehtëtë

Zotit Dh. Beratti

Qytet

Me gjithë që jam më i vobegëti i botës për nga pasurija e ngehës, po merem sot me një punë që s’është e imja dhe për të cilën gjithëkush do të ketë të drejtë të pyesi: Ç’e ha malli këtë njeri për sende që nuk kanë të bëjnë me Bibljotekën? Dij si një-e-një, se këtë të pyetur, nuk do e bëjnë, andaj vij të të shtronj gjasendënë:

Më ra ndër duar një shtatësijë duhan e cingaresh që dalin’ nga një Ministri (cila Ministri?). Pashë në të ca sende të çuditshme, që më trubulluan mëndjen dhe m’u këto sende t’i shtrova në një postat, në të cilin:

Vatra Ia- është sipas shtatëstijës që pata përpara sysh.

Ib - janë shënimet që munt të bëhen mbi shumat e dhënë në vatrën Ia.

IIa- është sipas shtatëstijësë.

IIb – janë shënimet që shkrepin në sy sipas shumave të degës së rrukujve (bobinave) të shtruar në vatrën IIa.

Gjithë këto shënime janë mbështetur mbi shumat e dhëna për vitin 1931, shuma që nuk më duken të jenë “israelitë të mirë”.

Sidoqoftë, kam besim të plotë se shumat e shtatëstijës që pata ndër duar, janë të gabuara për sa u përket cingareve, duhanit, rrukujve dhe paqetave të kartës, mu si dalin të gabuara dhe shumat e taksave të shënuara me pyetës përbri.

Gjithashtu kam besim të plotë se me shënimet’ që ka Ministria e Ekonomijës Kombëtare do të munt t’u epet një përgjegjë e prerë kategorikisht gjithë pikave që janë për të pyetur, si:

Ç’u bënë të 1.723.483 pako duhani?

Ç’u bënë të 22.000.000 cingaret e bobinave?

Ç’u bënë 114.000 pako duhani të paqetave?

Qysh bëhet, që taksat e kartës së cingarit tregojnë një të mangët prej më se 10.000 Fr.ar, që janë të pyetura të dorës së parë, se veç këtyre, ka dhe të pyetura të tjera për të bërë, që këto janë të dorës së dytë vërtet, por mund të sjellin ndë shumat ndryshime, që ndofta, nuk do të jenë për t’u hedhur poshtë.

I yti, S. Kolea”.

Me diplomaci, Kolea ja “tund” derën ministrit Berati, që të rrisë kontrollet, duke lënë të hapur nëntekstin se në këtë sektor vidhet dhe abuzohet. Dhe me sa duket, kishte qënë largpamës, pasi brenda pak kohe, ky sektor me mosrealizimin e planit, ndikoi në rritjen e borxhit shqiptar ndaj Italisë. 

Beteja kundër kontrabandës së duhaneve në vitet 30-të ishte betejë e gjatë. Në 21 shkurt 1922 , qeveria miratoi Ligjin “Për Formimin dhe Vendosjen e Monopolit Shtetëror të Letrës së Cigareve, Shkrepëseve dhe Letrave të Lojës”. Me vendim të Ministrisë se Financave nr. 321, datë 7prill 1922 gjithë sasia e mallit monopol shteti, si shkrepëse, letër cigareje, çakmakëve, që gjendeshin dhe tregtoheshin në tregun shqiptar, do të regjistroheshin. Mbi këtë sasi malli do të aplikohej pulla fiskale me mbishkrimin “Monopoli i shtetit shqiptar”. Ligji që u plotësua me kuadrin ligjor, bazuar në ligjet europiane, parashikonte në një nga nenet, dënimin me burg të kontrabandistëve. Pamundësia në praktikë i një sistemi të mirëfilltë fiskal shitjeje dhe mbledhjes së taksës, detyroi Qeverinë që të shiste monopolin shtetëror.

Në këto kushte u krijua STAMLES (Shoqëria Tregtare Anonime Monopol i Letrës dhe Shkrepëseve), kur Qeveria hodhi në treg monopolin e Letrës së Cigareve, Shkrepëseve dhe Letrave të Lojës, me vlerë 500 mijë Fr.Ar, të cilin e blenë 5 pasanikë: Jusuf Beshiri, Aleksandër Hobdari, Vangjel Spiru, Dhimitër Papajani  Halan Frashëri. Kontrata mes tyre dhe Ministrisë së Financave e përfaqësuar nga Kol Thaçi, u firmos në 7 tetor 1923në prani të noterit dhe  parashikonte që brenda 6 muajve, blerësit do të fillonin tregtimin e artikujve të tillë nga data e nënshkrimit, duke zëvendësuar shitjen e pakontrolluar të  artikujve monopol të përqendruar në pak duar dhe do të shtrihej në gjithë Shqipërinë.

Në periudhën 6-mujore gjithë tregtarët që trajtonin këta artikuj, do të shisnin mallin e mbetur në magazina dhe atë që nuk shitej, do ta blinte shteti. Sipërmarrja do të mbante magazina në qytetet kryesore si Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Korçë, Krujë, Peshkopi e kudo ku do të lindte nevoja, sipas një rregulloreje, të miratuar nga Ministria e Financave. Në vitin 1926, shoqëria e pesë ortakëve u organizua me një statut, që u miratua më 24 gusht 1926 me dekret të firmosur nga Presidenti A. Zogu që ishte dhe ministër i Drejtësisë, Josif Kedhi zv/ministër i Financave, Hysen Vrioni ministër i Jashtëm dhe Musa Juka ministër i Punëve Botore dhe Bujqësisë.

Ndërsa Qeveria zgjidhi dhënien e monopolit të letrës së cigareve, shkrepëseve dhe letrave të lojës duke shmangur kontrabandën dhe tregtinë e pandershme në treg, nuk pati të njëjtin sukses me duhanet. Si pasojë e kontrabandës dhe evazionit fiskal, në vitet 1933-34, taksa mbi duhanet nuk mblidhej si më parë dhe ndikimi binte direkt mbi ekonominë kombëtare. Qeveria nuk ishte në gjëndje të shlyente në kohë këstet e marrëveshjes SVEA, që mbështetej tek hyrjet nga monopolet. Kështu në vend të 1.6 milion fr. ar të mbledhura në vitin 1929-1930, në vitet e mëpasme shifra e të ardhurave u ul 50%. Ndaj në vitin 1934 qeveria vendosi shitjen e  monopolit të duhaneve duke ofruar për të vlerën 6 milionë franga ar, nga të cilat 3 milionë si e drejtë e shtetit për monopolin e shitur dhe 3 milionë të tjera për dëmshpërblimin e fabrikave që do të mbylleshin kur një tjetër fabrikë, që prodhonte cigare, do të fitonte monopolin.

Në përpjekjet për të fituar edhe monopolin e duhaneve, “Stamles” krijoi një shoqëri të re me kapital themelor 1.5 milion franga ar, me bazë Stamles-in e vjetër. Ky kapital u mblodh nga 300 aksionarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. U parashikua që  kapitali i aksionarëve financues të arrinte në 49% të shoqërisë, duke lënë në favor të 5 ortakëve titullarë 51% të shoqërisë, dmth, paketën kontrolluese. “Stamles” u bë kështu treguesi më i mirë i kapitalit shqiptar, modeli i bashkimit të kapitaleve përballë kontrabandës. Në programin e ofruar, “Stamles” garantonte 3 milionë franga ar të ardhura në vit nga taksa mbi të gjithë monopolin, përfshirë duhanet.

Por fuqizimi i kapitalit shqiptar dhe projekti i “Stamles”, që mblodhi brenda vendit kapitalin 6 milionë franga ar, trembi italianët. Ata ndërhynë me intriga në Këshillin e Shtetit, që vlerësoi se projekti ishte i njëanshëm dhe dëmtonte interesat e fabrikave të tjera të duhanit. Pas kësaj faze, Zogu nënshkroi marrëveshje të tjera ekonomike, duke ulur pavarësinë ekonomike, aq sa në 1939 i hapi rrugën pushtimit Italian.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?