Kur Kol Idromeno
shfaqi filmat e parë

2 Nëntor 2012, 14:12| Përditesimi:

  • Share
Ndër përkimet e ngjarjeve të ndryshme me 100 vjetorin e Pavarësisë, është edhe shfaqja e parë filmike në Shqipëri. E sjell në vëmendje një ekspozitë fotografike e cila hapet ditën e premte në orën 12.00 në Arkivin Qendror të Filmit. Rreth 30 foto të dokumentave dhe objekteve sjellin shfaqjet e para filmike në Shkodër në vitet 1912 - 1913 nga Kol Idromeno. Autori i kësaj ekspozite është studiuesi i apasionuar shkodran z. Gjergj Denelli.

"Fotografi historike, aparatura filmi si dhe kimenatë që kanë punuar gjatë këtyre 100 viteve në qytetin e Shkodrës. Në këtë ekspozitë është paraqitur një fotografi ku janë tetë nxënësit e parë në shkollën e kinematografisë të themeluar nga vëllezërit Lumiere në Paris. Njëri nga tetë nxënësit është fotografi i njohur nga Shkodra, Gegë Marubi.

Në ekspozitë paraqitet dhe një letër që firma kinematografike franceze "Pathe" i dërgon Kolë Idromenos në Shkodër në vitin 1924 për filmat e rinj që kishin dalë në atë kohë.

Këtu paraqitet me anë të fotografive, dokumenteve dhe maketeve muzeu i filmit në Shkodër i pari i këtij lloji në Shqipëri."- thotë Denelli për "Fundjava".

Ekspozita tregon se shfaqjet e para te filmit dhe kinemaja kane lindur per here te pare ne Shkodër. "Këto shfaqje janë organizuar në vitin 1912 - 1913 në shtëpinë e Kolë Idromenos, piktor dhe fotograf i njohur. Për këto shfaqje eshte nenshkruar dhe nje kontrate filmi me austriakun Jozef Stauber dhe Kole Idromeno. Dokumenti gjendet ne arkivin shteteror ne dosjen e Kolë Idromenos" thekson studiuesi.
Denelli i referohet gjithashtu edhe lajmit në gazetën "Besa Shqiptare" të vitit 1913 në shqip e gjermanisht ku tregohet per shfaqjet e filmit që zhvilloheshin në shtëpinë e Kolë Idromenos.

Dokumentat arkivore vërtetojnë këto shfaqje filmike. "Për kete ngjarje kam shfrytëzuar arkivin e shtetit shqiptar dhe burimet gojore të njerëzve që kanë jetuar në ato kohë. Për të realizuar këtë punë është dashur përkushtim dhe pasion."- thotë Denelli.
Si rezultat i kesaj pune voluminoze, janë botuar disa artikuj ne shtypin e kohës dhe pika kulmore e kësaj pune disavjeçare është botimi i librit në vitin 2007, "Shfaqjet e para kinematografike në Shqipëri".

Ekspozita që po hapet në kuadrin e 100- vjetorit të Pavarësisë pranë Arkivit Qendror të Filmit në Tiranë është hapur më parë në qytetin e Shkodrës, në vitin 1986. Në vijim të saj në vitin 1987 u përurua Muzeu i parë i filmit ku me rastin e 75 vjetorit të kinemasë së parë u organizuar edhe një sesion shkencor.

Shkrimi u botua në suplmentin FUNDJAVA të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?