Marlon Brando para dhe pas grimimit, me nofullën e dalë në rolin e Padrinos

Kupola jonë, që jo të gjithë mund ta zënë me gojë

23 Nëntor 2023, 10:52| Përditesimi: 23 Nëntor 2023, 11:06

  • Share

Si të ishte skenari më i mirë i ditëve të sotme, i një riprodhimi të “Padrinos” së Francis Ford Coppola-s, opinioni publik shqiptar po sheh dhe po lexon vetëm në pak media se si ka funksionuar Kupola Krim-Shtet në trafikun ndërkombëtar të drogës. Dhe personazhet janë të gjithë shqiptarët tanë. Për koinçidencë, u ngjajnë edhe fizikisht personazheve të “Padrinos” së famshëm: Nofullat, pesha, muskujt, mosha... por edhe sjellja: herë herë babaxhanë, herë herë të respektueshëm, edhe në moshë, por të uritur e të pamëshirshëm për para’. Duket sikur mendimet e njëjta për trafikime dhe krime, skalitin në fytyrë dhe në trup fizionomi të ngjashme.  Kështu është mafia, kështu është kupola: joshëse për një shoqëri, shërbyese për elitën e saj, e pamëshirshme për të thërrmuar çdo pengesë në realizimin e trafiqeve.

Por ndryshe nga mafiozët e Padrinos në filmin aq popullor, të cilët jetonin si “minj” nëpër bodrumet e Amerikës që i ndiqte dhe përndiqte, këta tanët i kishim dhe i kemi në piedestal: Në Shtet, në politikë, në Drejtësi, në media, në biznes, në spektakle, nëpër Shqipërinë e pasur dhe të bukur që të bën ta dëshirosh dhe ta ëndërrosh.

E ndërsa përditë zbulohen përgjimet e dekoduara nga aplikacioni “SkyECC”, me të njëjtën shpejtësi, politikanë, gazetarë, media nuk flasin dot asnjë fjalë për këtë. Asnjë rresht të vetëm, asnjë fjali, asnjë deklaratë, asnjë koment. Në ditën e parë, ndërsa u bë arrestimi dhe zbulimi i paimagjinueshëm, gazetarë që qëndronin përballë në studio me Padrinon e padrinove e pyesnin atë për kohën, për retë, për diellin e për çdo gjë tjetër, veç zbulimit të zbulimeve se si ia arrestuan “engjëllin mbrojtës”: Ja, siklete të tilla e shtynë regjisorin brilant, Francis Ford Coppola t’i skaliste Marlon Brandos në personazhin e Don Vito Corleones: Një nofull të stërdalë.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?