Kupa e Shqipërisë/ Partizani për të shmangur turpin, Tirana dhe Teuta thuajse të kualifikuara

11 Shkurt 2020, 12:55| Përditesimi: 11 Shkurt 2020, 13:32

  • Share

Të mërkurën do të luhen ndeshjet e kthimit të Kupës së Shqipërisë për fazën e 1/8 si në grupin A ashtu edhe në grupin B. Padyshim që mw me shumë interes pritet përballja në Elbasan Arena mes Partizanit dhe Besëlidhjes. Takimi i parë në Lezhë rezultoi një turp për Partizanin që u mposht me shifrat 3-0 dhe nesër do të tentohet përmbysja e madhe, në një kohë kur Kupa shihet si mundësia më e mirë për trofe, pasi në kampionat rivalët janë shkëputur disi.

Për këtë, por edhe për shumë arsye të tjera, Partizani ka vendosur që nesër hyrja në stadium të jetë falas për tifozët.

Ndërkohë shumë më ndryshe paraqitet situata për klubet e tjera që shihen si favorite. Tirana do të presë në ‘Selman Stërmasi’ Kastriotit, të cilin në ndeshjen e parë i mposhti 1-3 në transfertë. Për bardheblutë situata duket optimiste për të kaluar në fazën çerekfinale, aty ku do të ndeshet me fituesin e çiftit Partizani-Besëlidhja.

Sakaq Kukësi do të luajë në Pezë Helmas ndeshjen e kthimit me Lushnjën, të cilën në takimin e parë e mposhti 0-1 me golin e Maliqit. Me interes pritet edhe përballja mes Flamurtarit dhe Vllaznisë, pasi takimi i parë në Shkodër u mbyll me shifrat 2-2.

Një takim i lehtë duket për Teutën që nesër në Durrës pret Erzenin, skuadrën që në ndeshjen e parë e mposhti 1-3 në transfertë. Po kështu paraqitet situata edhe për Skënderbeun, që në Korçë pret Besën, skuadrën që në Kavajë e mposhti pastër 0-2. Në këtë pozitë ndodhet edhe Apolonia, që në sfidën e parë fitoi 3-0 kundër Luftëtarit.

Ndërkohë sfida e fundit do të jetë mes Laçit dhe Bylisit, me kurbinasit që në shtëpi do të mundohen të përmbysin rezultatin pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë. Të gjitha sfidat e kthimit në Kupë do të luhen në orën 13:30.

 

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?