Brad Cooper

Kundëradmirali amerikan: Irani, drejtpërdrejt i përfshirë në sulmet ndaj anijeve tregtare

22 Janar, 21:50| Përditesimi: 22 Janar, 21:53

  • Share

Irani është "i përfshirë drejtpërdrejt" në sulmet që rebelët e grupit Houthi të Jemenit kanë kryer ndaj anijeve, në të njëjtën kohë që vazhdon lufta mes Izraelit dhe Hamasit, tha të hënën për agjencinë e lajmeve Associated Press komandanti i lartë i forcave ushtarake detare të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, kundëradmiral, Brad Cooper.

Ai nuk tha se Teherani udhëhoqi sulmet e grupit Houthi në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

Megjithatë, zoti Cooper pranoi se sulmet e lidhura me Iranin janë intensifikuar dhe nuk paraqesin rrezik vetëm për Gjirin Persik dhe ngushticën e Hormuzit, si deri më tani, por gjerësisht për tërë rrugët detare Lindjen e Mesme,

"Është e qartë se veprimet e Houthi-ve, pra sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare, janë më të konsiderueshmet që kemi parë përgjatë dy gjeneratave," i tha ai agjencisë së lajmeve Associated Press në një intervistë telefonike. "Faktet tregojnë qartë se po sulmojnë komunitetin ndërkombëtar; dhe besoj reagimin ndërkombëtar e keni parë”.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara dhe drejtuesit e grupit Houthi në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga ana e agjencisë së lajmeve.

Megjithatë, më vonë, rebelët Houthi pretenduan se kishin sulmuar një anije me flamur amerikan, pretendim që nuk qe e mundur të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Që prej muajit nëntor, rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë kryer 34 sulme ndaj anijeve përgjatë rrugëve detare që të çojnë për në kanalin e Suezit në Egjipt, një rrugë jetike anijet e transportit që vijnë nga Azia dhe Lindja e Mesme drejt Evropës.

Gjatë ditëve të fundit, Shtetet e Baskuara kanë kryer një sërë sulmesh ajrore ndaj grupit Houthi, që kanë patur si objektiv bazat ajrore nën kontrollin e rebelëve.

Në intervistë, komandanti i marinës pranoi kërcënimin që paraqesin grupit e lidhura me Iranin dhe se shpërndarja e armëve prej tij po shtrihej nga Deti i Kuq deri në skajet e largëta të Oqeanit Indian. Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Iranin për sulmet e fundit me dron ndaj anijeve. Një anije mallrash në pronësi të SHBA-ve u sulmua nga rebeletë Houthi në Gjirin e Adenit javën e kaluar.

Irani nuk është përfshirë drejtpërdrejt në sulme ndaj Izraelit apo Shteteve të Bashkuara, që prej fillimit të luftës në Gazë më 7 tetor. Megjithatë, zoti Cooper pohoi se Irani kishte nxitur drejtpërdrejt sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve.

"Është shumë e qartë se Irani po i financon, ata po ofrojnë burime, po furnizojnë dhe po ofrojnë trajnime," tha zoti Cooper. "Nuk ka dyshim që ta janë të përfshirë shumë drejtpërdrejt. Ky nuk është sekret”, tha ai.

Zoti Cooper i cilësoi sulmet ndaj anijeve në Lindjen e Mesme, si më të rëndat që nga e ashtuquajtura Lufta e Tankeve të viteve 1980. Ajo arriti kulmin në një betejë detare njëditore midis Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa Amerika rrëzoi aksidentalisht një avion pasagjerësh iranian, duke vrarë 290 persona.

Fakti që zoti Cooper iu referua tensioneve të më shumë se tre dekadave më parë, tregon se sa e pasigurtë është bërë situata në Lindjen e Mesme, ndërsa shtohen shqetësimet për një përshkallëzimt të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Kundëradmiralit Brad Cooper i mbaron mandati në detyrë në shkurt, me ardhjen e pritshme të kundëradmiralit George Wikoff në Bahrein.

Ndërsa përgatitet të largohet, ai vuri në dukje se marina dhe transportuesit tregtarë ende përballen me një kërcënim serioz nga grupi Houthi.

“Ajo që na nevojitet është një vendim i grupit Houthi për të ndërprerë sulmet ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare. Pikë.", tha zoti Cooper./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?