Kundër bojkotit, 33 parti në
zgjedhje, regjistrohen dhe grekët

9 Prill 2017, 07:12| Përditesimi:

  • Share
Shtohet presioni mbi partitë opozitare për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit, pa kushtin e krijimit të një qeverie teknike.

33 parti politike kanë shprehur deri më tani vullnetin për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve parlamentare, duke dobësuar tezën, sipas të cilës, zgjedhjet nuk mund të mbahen pa pjesëmarrjen e Partinë Demokratike. Shumica e subjekteve zgjedhore, me peshë reale apo edhe modeste në elektorat, kanë dorëzuar dokumentacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për t’u regjistruar në zgjedhjet e qershorit.

29 parti janë regjistruar tashmë në zgjedhje, ndërsa edhe tre subjekte do të regjistrohen ditën e hënë. Në KQZ kanë paraqitur dokumentacionin për t’u regjistruar në zgjedhje edhe Partia Ligj dhe Drejtësi, e drejtuar nga Spartak Ngjela si dhe Sfida për Shqipërinë me kryetar Gjergji Bojaxhi. Po gjatë ditëve të fundit, në KQZ ka paraqitur dokumentacionin për t’u regjistruar në zgjedhje edhe Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë.

Tre subjektet në fjalë do të regjistrohen në mbledhjen e KQZ, ditën e hënë. Ndërkaq, në zgjedhje, përpos Partisë Socialiste, janë regjistruar edhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Megjithatë, LSI nuk i mendon zgjedhjet pa Partinë Demokratike, ndërsa PDIU ka një qëndrim të paqartë për këtë çështje.

Grekët në zgjedhje  
Partitë që përfaqësojnë interesat e minoritetit grek në Shqipëri ndajnë qëndrime të kundërta në raport me zgjedhjet e 18 Qershorit. Ndryshe nga kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili ka deklaruar se partia që ai drejton nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare pa u larguar kryeministri Edi Rama, Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen është regjistruar në zgjedhjet e 18 Qershorit, ndonëse nuk është rreshtuar ende në një koalicion parazgjedhor. Teksa kreu i PBDNJ Vangjel Dule i është bashkuar linjës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje me krijimin e një qeverie teknike, MEGA deklaron se do të garojë në zgjedhjet e 18 Qershorit, për të mbrojtur interesat e të gjithë minoritetit grek në Shqipëri. Me datë 29 Mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të regjistrojë Partinë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e qershorit.

Kreu i MEGA
Në një prononcim për Shqiptarja.com, kreu i MEGA, Kristaq Kiço, tha se partia që ai drejton nuk mund të përfshihet në lojërat e mëdha të futjes apo të mos futjes në zgjedhje, por do të marrë pjesë në zgjedhje, me platformën dhe alternativën e saj, në mbrojtje të interesave të minoritetit. “Ne nuk mund të përfshihemi në lojërat e futjes apo të mos futjes në zgjedhje. Ne jemi parti që mbrojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat e minoritetit dhe normalisht do të jemi pjesë e zgjedhjeve. Sepse demokracia këtë kërkon. Pastaj, gjërat e tjera si ndryshimet në Kodin Zgjedhor etj., duhet t’i zgjidhin partitë e mëdha. Ne përfaqësojmë të gjithë minoritetin grek. Ne kemi fituar edhe një bashki në zgjedhjet lokale”, tha Kiço. Kreu i MEGA tha se Dule nuk i është përgjigjur ftesës së tij për bashkëpunim. “Para dy muajsh, ne kemi bërë një propozim, për të dalë bashkë të dy partitë në koalicion më vete, por nuk kemi marrë përgjigje akoma. Gjithsesi, jemi të hapur që të ulemi të bisedojmë dhe të diskutojmë, nëse gjendet një zgjidhje e përbashkët”, pohoi ai.
 
 
Pa LSI zgjedhjet të pamundura, bllokohet KQZ 
Lëvizja Socialiste për Integrim është regjistruar në zgjedhjet e 18 Qershorit, por kreu i saj, Ilir Meta, ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e një farse zgjedhore pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zgjedhjet do të mbahen në 18 Qershorit dhe se Partia Socialiste do të futet edhe e vetme në zgjedhje. Por, duke iu referuar Kodit Zgjedhor, Lëvizja Socialiste për Integrim, ka rol përcaktues në zhvillimin e zgjedhjeve të 18 Qershorit. LSI ka një anëtar përcaktues në të gjitha komisionet e administrimit të zgjedhjeve, duke nisur që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Anëtari i LSI në KQZ është përcaktues për shumicën e domosdoshme prej katër votash. Pa votën e anëtarit të LSI, KQZ nuk mund të miratojë asnjë vendim apo udhëzim për administrimin e zgjedhjeve. KQZ nuk mund të zëvendësojë as anëtarët e qendrave të votimit apo të grupeve të numërimit, pasi për çdo vendimmarrje, duhet një shumicë e thjeshtë prej katër votash. Në këto kushte, për zhvillimin e zgjedhjeve, më shumë se sa një marrëveshje mes PD dhe PS, pikësëpari duhet një pakt mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
 
Partitë që do marrin pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit
1.  Partia Socialiste të Shqipërisë
2.  Partia Lëvizja Socialiste për Integrim
3.  Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet
4.  Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
5.  Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë
8.  Partia Komuniste e Shqipërisë
9.  Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet
10. Partia Arbnore Kombëtare
11. Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë
12. Sfida për Shqipërinë
13. Partia Ligj dhe Drejtësi
14. Partia Aleanca Demokratike Shqiptare
15. Partia Personat me Aftësi të Kufizuar
16. Partia Unitetit Kombëtar
17. Partia Socialiste të Moderuar
18. Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
19. Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë
20. Partia e Gjelbër
21. Partia Fronti i Majtë
22. Partia Kristian Demokrate
23. Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë
24. Partia Emigracioni Shqiptar
25. Partia e Mirëqenies Popullore Shqiptare
26. Partia Socialdemokrate të Shqipërisë
27. Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar
28. Partia e Punës së Shqipërisë
29. Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi
30. Partia Komuniste e Shqipërisë 8 Nëntori
31. Partia Aleanca Popullore
32. Partia Socialpuntore Shqiptare
33. Partia Forca Rinia  
 
 
 dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?