Kultura Shqiptare, protagoniste
në Milano e Torino

12 Tetor 2012, 17:02| Përditesimi:

  • Share
Takime letrare, konferenca, shfaqje filmash të kinematografisë shqiptare dhe performanca live të artistëve të talentuar shqiptarë, virtuozë të muzikës klasike ishin disa prej momenteve më të rëndësishme në qendër të Javës së Kulturës Shqiptare, që u zhvillua në datat 5 – 11 Tetor 2012 në Milano dhe Torino.

Shumë artdashës patën rastin të njihen nga afër me Shqipërinë, artin dhe kulturën e saj përmes ciklit të veprimtarive të organizuara nga Qendra e Kulturës Shqiptare, me mbështetjen e Konsullatës së Shqipërisë në Milano, si dhe në bashkëpunim me institucione të rëndësishme të territorit, ndër të cilat Bashkitë e Milanos dhe Torinos, Fondacioni për Librin, Artin dhe Kulturën, Shtëpia Botuese “Einaudi”, Biblioteka “Sormani”, Muzeu “Palazzo Morando”, etj.

Ajo që spikati më shumë ishte takimi me shkrimtaren e suksesshme Anilda Ibrahimi, autore e disa romaneve të botuara në vendin fqinj nga shtëpia botuese prestigjioze “Einaudi”, si dhe shfaqja e disa prej filmave më të mirë të kinematografisë shqiptare të viteve të fundit, të prezantuar nga aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit Rajmonda Bulku, por edhe konferencat në Universitetin Bicoca të Milanos, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të institucioneve akademike.

Gjatë 22 viteve të fundit në Itali janë vendosur mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë. Rreth një e treta e tyre jetojnë dhe punojnë në rajonet veriperëndimore të Lombardisë dhe Piemontit, territori ku shtrihet veprimtaria e Qendrës së Kulturës Shqiptare. Me qëllim kryesor promovimin e kulturës dhe të imazhit të Shqipërisë, Qendra synon gjithashtu të mbështesë proçesin e integrimit të bashkësisë shqiptare, të nxisë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve shqiptarë në jetën kulturore, sociale, ekonomike dhe politike të Italisë, duke zhvilluar dhe konsoliduar njëkohësisht marrdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Veprimtaria e dendur dhe cilësore ka bërë që Qëndra e Kulturës Shqiptare të jetë sot një prej realiteteve më të njohura e më të spikatura të bashkësisë shqiptare në Itali. Ajo është shndërruar tashmë në një pikë referimi si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për organizatat dhe institucionet e territoreve ku vepron.

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?