Kultivuan 980 rrënjë kanabis në malin e Tomorit, dy në pranga! Në hetim kryeplaku dhe inspektori i pyjeve në fshatin Novaj

5 Shtator 2023, 09:54| Përditesimi: 5 Shtator 2023, 09:59

  • Share

SKRAPAR- Dy persona kanë rënë në pranga në Skrapar, pasi gjatë kontrolleve policia ka gjetur 980 rrënjë kanabis të kultivuara në malin e Tomorit. Në pranga kanë rënë Mariglen Babaliu, 43 vjeç, dhe Dorjan Laze, 33 vjeç.

Lënda narkotike u gjet e kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Novaj, ndërkohë që janë vënë në hetim edhe kryeplaku dhe inspektori i pyjeve

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Novaj, Skrapar, kanë finalizuar fazën e tretë të operacionit policor anticannabis të koduar “Tomorri”. Në kuadër të kësaj faze, në territorin e fshatit Novaj, u gjetën të kultivuara 980 bimë cannabis sativa, të cilat u asgjësuan nga shërbimet e Policisë, nëpërmjet djegies”, njofton policia.

Gjatë kontrollit në banesat e dy të arrestuarve, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 2 radio marrëse-dhënëse. Policia bën me dije se më herët gjatë operacionit ‘Tomori’ janë asgjësuar edhe 2105 rrënjë kanabis.

Vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve narkotike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?