Edvin Kulluri

Kulluri: Bërtasin për demokraci, por urrejnë votën! Grup i madh parlamentar, janë vetë-emërtuar 'ha Muço, pi Muço'!

10 Prill, 11:08| Përditesimi: 10 Prill, 11:12

  • Share

Sot në Shqipëri ka dy “parti politike” përtej gjithë partive të regjistruara në gjykatë: Partia e Listave të Hapura dhe Partia e Urrejtjes Ndaj Votës! Anëtarët e partisë së dytë janë shtrirë në të gjitha partitë politike. Janë produkt i sistemit të mbyllur të 2008 e që s’kanë zhvilluar asnjë garë e as debat brenda dhe jashtë partive, pra në zgjedhje.

Bërtasin tërë ditën për “demokraci, votë, zhvillim” e ndërkohë e urrejnë votën dhe konkurrencën si “djalli temjanin”! Janë të lumtur me emërimin në parlament nga kryetari në 12 pa 5 të natës kushdo qoftë ai apo sigla! Hanë qyl rrogën e emërimit, krekosen me salla bosh e kuti ku vota nuk numërohet por thjesht u lexohet emri “deputet” nga KQZ!

Janë ata që janë dakort me kryetarin ende pa filluar kryetari fjalën në konferenca degësh apo mbledhje kryesie, ansambleje apo këshillash kombëtar! Ky grup i madh ndërpartiak, majtas e djathtas është vetë-emërtuar grupi parlamentar “ha Muço, pi Muço”!

Partia e parë e Listave të Hapura po ashtu ka anëtarë në të gjitha partitë politike! Janë njerëz që kanë kaluar herësin ose kanë qenë shumë pranë kalimit por janë përplasur me “listën e gatshme” që është gatuar në 2008. Ose janë politikanë që duan sfidën, garën e debatin. E shohin politiken si përfaqësim, votë e legjitimitet. Nuk “përloten me shami në dorë” nga fjalimet e shefave por respektojnë institucionet e partive dhe kryetarët si të tillë. Nuk kapin për xhaketë shoferët dhe familjarët e kryetarëve apo biznesemenët afër tyre. Thjesht duan atë për të cilën shumica e shqiptareve dolën në sheshe në dhjetor të 1990: lirinë për të zgjedhur qeverisjen e tyre! Kaq! Kërkojnë të jenë njerëz të lirë.

Deri tani partia e dytë është shumicë por nuk ka të drejtë. Ndërsa partia e parë janë më të paktë nëpër zyrat e parlamentit por përfaqësojnë shumicën e shqiptarëve që u ka ardhur në majë të hundës me “qylaxhinjtë” e listave të mbyllura!

Kjo betejë e heshtur brenda partive dhe e hapur mes partive, është një betejë që ka një rezultat të deritanishëm! Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të HAPUR LISTAT! Beteja vazhdon…./ Marrë nga Facebook

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?