Kujtimet e inxhinierit të burgosur: Pasi doli me sukses pusi ‘Visoka 1’, Enveri erdhi në sallën e Pallatit të Kulturës në Kuçovë dhe tha hajde këtu ti Xhaçka, t’i lyejmë fytyrat…

5 Shtator 2023, 21:57| Përditesimi: 5 Shtator 2023, 21:58

  • Share

Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.

(Vijon nga numrat e kaluar)

Vitet e mjaltit

Ekipet e specialistëve që punonin për përgjithësimin e materialeve gjeologjike dhe projektimin e puseve të rinj të shpim – kërkimit për naftë e gaz, mbështeteshin nga disa grupe gjeologësh. Këta të fundit kryenin rilevimet gjeologjike fushore, për hartimin e hartave gjeologjike, baza për studimet projektuese. Ato ishin të domosdoshme për kushtet gjeologjike në vendin tonë, ku has një ç’veshmëri të madhe të formacioneve gjeologjike. Njëkohësisht shfrytëzoheshin studimet gjeofizike, niveli i të cilave në ato vite ishte shumë i ulët, për shkak të aparaturave sovjetike, të një teknologjie të vjetër.

Kështu cilësia e informacionit të ndërtimit gjeologjik strukturor, vinte nga thellësitë e tokës mjaft i dobët. Kjo e bënte akoma më të vështirë përgjegjësinë e punës studiuese e projektuese dhe kërkonte njohuri më të thella tekniko-shkencore. Me hapa të kënaqshme, ecnin përcaktimet e studimet palentologjike e petrografike, të cilat kanë dhënë një ndihmesë të madhe në ngritjen e nivelit të hartave e studimeve gjeologjike si në fushë dhe në puset e shpimit. Ky ishte kompleksiteti kryesor i studimeve që kontribuonin në vitet e para të periudhës 1960-1970.

Disa nga gjeologët kryesorë që punonin atëherë në proçesin e përgjithësimit, ishin Koço Plaku, Thanas Nasto, Protoko Murati e më vonë u bashkuan të tjerë. Nuk lë dot pa theksuar se Koço Plaku, ishte gjeolog me përgatitje mjaft të mirë shkencore e me një përvojë të mjaftueshme në atë periudhë. Punonte me përkushtim për gjeologjinë dhe për shumë vite që kemi punuar bashkë në kërkimet e naftës, studimet e tij karakterizoheshin në përgjithësi nga një nivel shkencor i lavdërueshëm. Natyrisht si për të dhe për gjeologët e tjerë në tërë botën, nuk mund të kërkohet që çdo studim, t’u dalë gjithmonë me suksesin e dëshiruar.

Njohja gjeologjike për nëntokën kurrë nuk mund të jetë e plotë, për arsye se vetë kjo shkencë nuk është absolutisht e saktë. Ajo trajton mundësitë që ekzistojnë dhe kudo njihen koeficient e suksesit, në rezultatet e puseve të kërkimit për zonat e reja. Sidomos puna kërkimore në strukturën mjaft të koklavitur të gjeologjisë së vendit tonë, ku ndërtimi sipërfaqësor, fsheh dhe nuk pasqyron direkt edhe ndërtimin në thellësi, kjo detyrë bëhej edhe më e vështirë. Pra çdo gjeolog, sidomos në ato kushtet tona të ngucjes së pamëshirshme të partisë e qeverisë, për të shpuar e kërkuar më shumë se sa ishte mendimi i arsyeshëm i specialistëve, e turbullonte më tepër nivelin e suksesit, dhe pa tjetër do të kishte, si përfundim, shpime pusesh me rezultat, pra pozitivë dhe pusesh pa rezultat, që quhen negativë.

Por gjithnjë rëndësi kishte që ky koeficient i punës kërkimore, si tek gjeologu Koço Plaku dhe në tërësi tek gjeologët shqiptarë, ka qenë në një nivel të kënaqshëm dhe, sipas të dhënave të literaturës. Kishim pra koeficient nga më të lartët në të gjithë vendet evropiane e, shumë vende të kontinenteve të tjerë. Koçoja jepte një kontribut të ndjeshëm në debatet e diskutimet që bëheshin, sidomos ndaj disa gjeologëve që lejonin gabime, ose mos thellime shkencore në përgjithësimet e tyre.

Për pasojë ata detyroheshin t’i ripunonin përfundimet e nxjerra. Disa specialistë prej tyre me sedër të sëmurë kontributin pozitiv të Koços, mundoheshin ta ndotnin me baltë duke e lidhur me tonin e ashpër që në disa raste përdorte i ndjeri Koço, ndaj këtyre gabimeve. Pra ata nuk shikonin punën, por gunën, siç thotë një fjalë popullore. Natyrisht gjatë punës kemi patur edhe debate e mendime të ndryshme, për probleme gjeologjike, por për gjithë këtë periudhë, mbetet një specialist i respektuar.

Një ditë nga ditët e ngrysura të jetës nën diktaturë, Koço Plaku, në mes një grupi specialistësh të tjerë, u shpall “armik e sabotator i pushtetit popullor”, ashtu si dhe disa të tjerë para tij, e me të tjerët pas tij. Regjimi diktatorial, na vuri para alternativës së egër, ose të dënonim “gabimet” e tyre, si; “Faje të rënda dhe sabotime”, ose ndryshe nuk do të tregonim gjë tjetër, veçse ishim bashkëpunëtorë të tyre. Askush nuk mund të dilte në mbrojtje të Koços, Beqirit, Protokos, Dhimitrit e të tjerëve.

Ditët dhe kushtet e lirive që kemi sot, e tregojnë qëndrimin  tonë në ato mbledhje mijëra herë më të mjerë se sa na dukej atëherë. Dënimi i kolegëve tanë, mbetet si gëlltitje e patretur e një kohe kur ajo na kërkonte heronj dhe ne nuk ishim veç gjallesa, që llogaritnim e shpresonim të flinim të qetë duke thënë se shokët nuk i shpëtonim dot, por të paktën të shpëtonim veten tonë, familjet, fëmijët, fisin e dhjetëra faktorë të tjerë që përbënin brekët e paburrërisë.

Ne gjeologët kryesorë, ishim vazhdimisht nën një presion të madh nga udhëheqësit shtetërorë, si dhe komitetet e partisë të naftës apo të rretheve, të cilët në mënyrë të pabazuar dhe pa kompetencën më të vogël për çështjet gjeologjike e të kërkimeve të naftës, kërkonin të zbuloheshin sa më shpejt dhe sa më shumë vendburime të rinj nafte e gazi. Por një studim projektimi, zgjaste disa muaj, pastaj shumë kohë duheshin për fazat e diskutimit dhe miratimit të projekteve në instance të ndryshme deri në ministri dhe pas kësaj vinin fazat e shpimit, që shpesh dhe ato kishin problemet e tyre.

Specialistët sovjetikë, që patën kryer studime vitet e fundit në ndërmarrjen gjeologjike të Vlorës, në momentin e largimit të tyre, nuk na lanë studime perspektive qoftë edhe afatshkurtra, për projektime me puse me të dhëna inkurajuese për zonat e reja. Puset e projektuar për kërkime nafte e gazi, kishin dhënë rezultate pozitive vetëm në zbulimin e Marinzës dhe zgjerimin e rezervave në vendburimin e Patosit.

Mbi të gjitha, disa puse të shpuar për kërkime nafte në shkëmbinjtë gëlqerorë, patën dhënë përfundime tërësisht negative. Si pasojë e menjëhershme ishte formuar opinion i gabuar, se gëlqerorët nuk paraqesin më perspektivë për kërkimet e mëtejshme në Shqipëri.

Ne krijuam si praktikë pune, që për çdo projektim, për çdo program projektimesh në kërkime apo studimor, t’i diskutonim bashkërisht me një frymë miqësore e me preokupim. Natyrisht, jo të gjithë kishin të njëjtin preokupim e seriozitet pune, siç nuk kishin të njëjtin nivel kualifikimi, por kjo formë ndihmonte për të pakësuar ose mënjanuar të metat ose subjektivizmat në interpretimet e fenomeneve gjeologjike, të cilët për kushtet tona të vështira, siç e theksuam me lart, ishin më të mundshëm. Por një gjë dua të theksoj, se të gjitha problemet e vështira ose të paqarta që dilnin, thuheshin haptas në raportimet studimore-projektuese, në mënyrë që secili të gjykonte objektivisht mbi to dhe të jepte mendimin e tij.

Ky ballafaqim i momenteve të diskutueshëm, i bërë hapur, nuk lejonte të kalonte pa u kuptuar, edhe sikur të deshte njeri të kryente punë të keqe. Pra këto rrahje mendimesh, kontrolle e ballafaqime të shumta, që kryenim gjatë fazës së studimit e mbrojtjes së tij, ia hiqnin mundësinë kujtdo qoftë, që të shtrembëronte të vërtetat apo, – të themi atë fjalën e neveritshme aq tipike në historinë dramatike të naftës, – të sabotonte. Prania e puseve negativë në kërkimet e naftës e të gazit, kudo në botë, është bashkudhëtare e pashmangshme, e pranueshme dhe objektive.

Kështu dy vitet e para 1961-‘62, ne patëm rezultate të mbara në zgjerimin e kontureve të vend-burimit të Patosit dhe të Marinzës, në zonën veri-perëndimore, ndërsa ato pak puse që shpuam në zona të reja, patën përfundime negative. Nga një pjesë gjeologësh, që punonin në këto projektime, nga debatet e bëra në bazë të njohurive që kishim dhe studimeve intensive të literaturës, në kundërshtim me përfundimet e specialistëve sovjetikë, u përkrah teza dhe ideja e perspektivës së gëlqerorëve. Prandaj ne rifilluam kërkimet në ato struktura.

Nga ana e jonë u arrit dhe në një vendim të guximshëm për kërkimin e naftës në shtratime të ashtuquajtura të; “tipit të varur”, të cilët janë mjaftë specifikë e të vështirë për t’u mbështetur e për të argumentuar shpimin e tyre. Kështu, nga ana e jonë, u gjykua e u vendos për kërkimin në zonën e Visokës, në strukturën e gëlqerorëve, e cila në pjesën kulmore paraqitej e shpëlarë nga ujërat nëntokësore të ëmbla, me një qarkullim intensiv të tyre, ç’ka nga disa gjeologë, nuk gjeti mbështetje e përkrahje.

Megjithëse Koço Plaku nuk ishte dakord për kërkimin në këtë zonë, unë e ngarkova ta bënte studimin. Ai e përfundoi atë me cilësi të mirë përsa i përket tablosë gjeologjike, vetëm se e shikonte me mosbesim. Këtu rëndonin dhe opinionet kundër që kishin gjeologët e tjerë. Por mosbesimi është pjesë e ndërgjegjes profesionale, e nuk mund të vlejë si bazë për ta qortuar e ca më keq, për t’ia cilësuar gjeologut si qëndrim të keq. Rasti hasej me të vërtetë si fenomen i rrallë edhe në literaturën botërore. Si përfundim, në Këshillin Shkencor, me shumicë votash ku përfshihej dhe ajo e autorit të projektit, pusi i projektuar “Visoka 1”, nuk u miratua. Ne mbetëm në pozicionin e vështirë, të pakicës.

Pra drejtoria dhe unë, që isha në dy cilësi, si; Kryegjeolog i Kërkimeve dhe si kryetari Këshillit Shkencor, kishim mendimin që pusi të shpohej, në kundërshtim me shumicën e anëtarëve të Këshillit. Ministria u bazua në mendimin tonë, të pakicës dhe mbështeti pa rezerva shpimin e pusit. Nga fillimi i verës së vitit 1963, shpimi i pusit mori fund. Menjëherë u kalua në përvetësim dhe ai na dha një naftë shumë viskoze, por me debite industriale mjaft të mira, për vendin tonë, duke shënuar kështu zbulimin e një vend-burimi të ri të rëndësishëm, që u pasua më vonë me shpimin e puseve të tjerë.

Gëzimi ynë ishte shumë i madh, i pamasë. Ndjemë të gjithë jo vetëm sadisfaksionin e një suksesi të punës sonë si gjeologë, por edhe një lehtësim të atmosferës së padurueshme, që na pat rrethuar tërë jetën. Ah, ato shprehjet e rënda të dyshimit e të mosbesimit, që një herë në dy ditë zbrisnin drejt nesh nga piramida shtetërore e, nga punonjës të tjerë në naftë, që nuk dinin tjetër veç të flisnin për “gjendjen e pakënaqshme në kërkimet e naftës e të gazit”.

Ky rast bëri bujë dhe Enver Hoxha u ngrit e erdhi në Kuçovë. Aty, në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti punëtorësh, ai bëri një takim me të gjithë gjeologët e naftës, e drejtues të industrisë. Ishte hera e parë që rrija afër Enver Hoxhës dhe takohesha në kuadrin e një mbledhje me të. Ai e vlerësoi lart këtë zbulim, si një fitore të gjeologëve shqiptarë, fitore me nëntokën dhe me mendimet e specialistëve sovjetikë. I pari i vendit, tha midis së tjerash se; ai ishte një sukses tepër i rëndësishëm i punës së gjeologëve, ç’ka përbënte një kontribut të jashtëzakonshëm për ekonominë e vendit tonë, në ato situata të vështira.

I pari i vendit përmendi emrin tim dhe e vlerësoi drejtimin tim të punës. Mbas këtij takimi të gjatë, i shoqëruar nga udhëheqës e drejtues të tjerë, ai shkoi në Patos, për të parë me sytë e tij, pusin që nxirrte naftë. Na kërkuan dhe ne një grup gjeologësh, që të vinim me ta. Atmosfera e një dite të bukur me diell, ishte e gëzueshme dhe u bënë me qindra fotografi. Enver Hoxha, nuk pushonte së qeshuri. Dukej që ishte në humor të mirë, se lëshonte batuta miqësore, në të tëra drejtimet. Kur po trazonte me shkop naftën e trashë të pusit, më tha:

– Hajde, Xhaçka, t’i lyejmë fytyrat tona me naftën e re, që ju gjeologët e rinj shqiptarë, me zotësi e guxim, i dhatë atdheut! Deri në atë kohë, nafta në Shqipëri, nxirrej vetëm nga shkëmbinjtë ranorë. Zbulimi i vend-burimit në Visokë, kishte rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vërtetonte perspektivën e shkëmbinjve gëlqerorë, për praninë e shtratimeve të naftës e të gazit.

Të inkurajuar nga ky zbulim, ne gjeologët e naftës, në veçanti në grupin e përgjithësimit, filluam të diskutojmë e studiojmë më gjerë rajone të tjera të mundshme, për kërkimin nëpër gëlqerorë. Me të drejtë ne vlerësuam si të radhës së parë, kërkimin në strukturat antiklinale të gëlqerorëve, të mbuluara nga depozitime flishore (ndërthurje argjilash dhe ranorësh), ndërsa strukturat për shtratime të tipit të varur si në Visokë, të kategorisë së radhës së dytë.

Në këto diskutime, Koço Plaku, i cili kish punuar në zonën e Vlorës, propozoi të bëheshin punime plotësuese fushore gjeologjike, e pastaj punime përgjithësimi, për të parë mundësinë e projektimit në zonën e Gorishtit, për të cilën të gjithë ishim të një mendimi. Këtë detyrë projektimi, unë përsëri ia ngarkova Koços, i cili bëri një punë të mrekullueshme edhe me këtë pus të dytë. Në vitin 1965, u zbulua vend-burimi i Gorishtit, një vend-burim me rezerva të kënaqshme, e sidomos me një naftë të hollë, të cilësisë shumë të mirë.

Zbulimi i vend-burimit të naftës e gazit në Gorisht, ishte një fitore tjetër e madhe e gjeologëve, e arritur brenda një kohe të shkurtër, për mundësitë konkrete sidomos territoriale të vendit tonë, Brenda dy vjetësh, u zbuluan dy vend-burime të rëndësishme nafte, gjë që nuk ishte arritur me dhjetëra vite më përpara, as nga shoqëritë e huaja.

Veçanërisht për këto dy rezultate tepër të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë, për rritjen e mirëqenies së popullit, i cili si pasojë e politikës së udhëheqjes komuniste, po kalonte periudha shumë të vështira, duke punuar e jetuar në një izolim të tmerrshëm, një pjesë e gjeologëve që kishin kontribuar me punën e tyre, u dekoruan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me urdhra e medalje të ndryshme pune. U dekoruam; unë, Koço Plaku, Protoko Murati, e plot e plot të tjerë.

Mua dhe Koços, na u dha grada shkencore; Kandidat i Shkencave Gjeologjike dhe titujt e nderuar shkencorë, Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor. Ne u bëmë të parët specialistë të lartë të industrisë së naftës, me tituj shkencorë.

Me këto dy zbulime, krahas vendburimeve të zbuluara më parë, industrisë së naftës, iu hap një front shumë më i gjerë për shpimin e puseve të kërkimit të naftës dhe të nxjerrjes së saj. Në atë valë entuziazmi, gjeologët e naftës projektuan puse kërkimi në veri të Marinzës, gjë që solli zbulimin e shtratimeve të reja të naftës dhe të gazit. Si pasojë e këtyre zbulimeve në bashkësi dhe me Marinzën, u bë e mundur që prodhimi i naftës në vitet 1971-’73, të arrinte nivele afro pesë-gjashtë herë më të larta, nga ato vend-burime që njiheshin më parë.

Volumi i prodhimit arriti rreth 2.3 milionë ton në vit. U bë e mundur nxjerrja për herë të parë e gazit industrial, nga vendburime të rinj gazi natyral. Ky nivel prodhimi ishte më i lartë se në disa shtete të mëdhenj, që prej kohësh zhvillonin punime të gjera kërkimi, si; në Itali, Francë, Hungari, Bullgari e gjetiu. Në Europë, ne ishim në mënyrë të patundur në vendin e tretë, për prodhimin për frymë, pas Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë.

Në këto vite pune intensive për ne gjeologët, krahas disa njerëzve që futeshin në kompetencat e gjeologëve pa e njohur këtë shkencë, por më tepër për të “lënë stafetën” e përgjegjësisë, siç flitej midis naftëtarëve, kishte specialistë të vjetër, si; Rexhep Reka, Eqerem Beci, Bekim Sinoimeri, e të tjerë, të cilët krijonin marrëdhënie shumë të mira e të ngrohta me ne gjeologët, i kuptonin mirë kufijtë e veprimtarisë sonë, e nuk ndërhynin në kompetencat e gjeologëve.

Unë kam patur rastin të punoj shumë vite me këta specialistë e drejtues dhe i kujtoj me nderim për punën e marrëdhëniet njerëzore, të kulturuara si dhe aftësitë e tyre në fushën e nxjerrjes së naftës, e të shpimit të puseve. Ndjenja e sakrificës në punë, deri në shfaqjen e heroizmit në shuarjen e fontanave, kanë qenë shfaqje mjaft karakteristike për naftëtarët. Punëtorët, teknikë e inxhinierë, kanë kaluar vështirësi të mëdha dhe me zotësi kanë zgjidhur shumë probleme të rëndësishme.

Vlen të përmend disa nga Heronjtë e Punës, ose punonjës të dalluar, me të cilët më ka lidhur puna dhe kam patur marrëdhënie të mira, të cilët me zgjuarsi e devotshmëri, kanë shuar fontana të fuqishme të naftës e të gazit, si në Divjakë, Marinëz, Cakran, Frakull, e të tjera, ose kanë patur vullnet të madh në punë, tempe të larta dhe organizim të mirë të punës në shpimin e puseve dhe nxjerrjen e naftës, si; Sotir Skorovoti, Perikli Prifti, Lipe Nashi, Pjetër Leka, Kapllan Hajdari, Ing. Dhimitër Deda, Petro Olldashi, Ing. Niko Goxhobashi, Ndreko Nakuçi, Ing. Koli Mone, Ing. Nelson Shehu, Ing. Bardhyl Xhyheri, Ing. Piro Bozdo, Ing. Nikolla Kiço, brigadieri Hysni Hajasllari, e dhjetëra të tjerë.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?