Kujdesi shëndetësor në banesë – Një hap më pranë pacientëve me pamundësi lëvizjeje

24 Maj, 18:07| Përditesimi: 24 Maj, 18:15

  • Share

Një shërbim i ri u vjen në ndihmë pacientëve që e kanë të pamundur të vizitojnë qendrat shëndetësore. Bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor në banesë i cili ishte në qendër të emisionit Klinika 24 në Report TV me autore Doreada Mio. I pilotuar me sukses në vitin 2021 nga Projekti Shëndet për Gjithë (HAP), një projekt i qeverisë zvicerane, ky shërbim ka nisur të zbatohet në qendra të përzgjedhura të vendit që prej vitit 2022, me vizionin për t’u shtrirë në mbarë vendin.

Po çfarë përfshin ky shërbim dhe çfarë ka ndryshuar në qendrat tona shëndetësore?

Për të mësuar më shumë shkuam në Qendrën Shëndetësore Bulgarec e cila u shërben rreth 13 mijë banorëve. Atje biseduam me drejtoreshën e qendrës shëndetësore, koordinatoren e këtij shërbimi, si edhe ndoqëm nga afër infermieren teksa realizoi një vizitë të planifikuar në shtëpinë e një pacienti.

“Projekti HAP ka qenë një mbështetje shumë e madhe për ne”, thotë koordinatorja Etleva Qyli. “Kujdesin në banesë ne e kemi ofruar qysh në krye të herës, po tani, HAP i ka dhënë një qasje të re. Më përpara ne shkonim tek pacienti kur na informonte familjari që diçka nuk shkonte, por tani ne kemi një plan pune të detajuar i cili përditësohet rregullisht sipas kushteve e gjendjes së pacientit”.

“Më përpara kam vajtur me kriza… kam marrë ambulancën në telefon, ka ardhur nga Tirana këtu, e kam paguar 300 mijë lekë”, thotë pacienti 76 vjeçar i cili vuan nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike. “Tani infermierja vjen një herë në javë ose një herë në dhjetë ditë. Kur kisha një kurë me gjilpëra, vinte dy herë në ditë në orar fiks, dhe janë të gatshme të vijnë sa herë i kërkoj. Kjo na lehtëson dhe na ngroh shumë”, shton ai.

Etleva gjithashtu shpjegon që të gjitha infermieret janë rritur profesionalisht duke u trajnuar për procedura të avancuara infermierore për t’ju përgjigjur sa më mirë nevojave të këtyre pacientëve. Pra, tashmë të gjithë këta pacientë, sipas nevojës, mund të përfitojnë shërbime si administrimi i kateterit venoz, lavazhi i veshit, bërja e EKG-së në kushtet e shtëpisë e të tjera, të cilat nuk kanë qenë të mundura më parë dhe përktheheshin në kosto transporti nga familjarët për t’i dërguar në qendra shëndetësore apo qoftë edhe spitale për t’i realizuar.

Drejtoresha Entela Shtika na tregon që ky shërbim u ofrohet të gjithë personave mbi 65 vjeç me sëmundje kronike ose të moshuar të cilët e kanë të pamundur të paraqiten në qendër shëndetësore. “Përzgjedhja e pacientëve bëhet në bazë të problemeve të tyre funksionale, sëmundshmërisë dhe nevojave të tyre”, sqaron drejtoreshë Entela.

Kujdesi shëndetësor në banesë ka sjellë edhe ndryshime brenda qendrës shëndetësore. “Ky është një shërbim i bazuar totalisht tek infermierja dhe roli i tyre është fuqizuar ndjeshëm pas prezantimit të këtij shërbimi”, thotë drejtoresha. Një ndryshim i tillë është i domosdoshëm përballë rritjes së numrit të pacientëve të tillë si pasojë e moshimit të popullsisë dhe ndryshimeve demografike në vend, një ndryshim që po ndodh sakaq prej kohësh në shumë vende të Evropës perëndimore.

Ndërkohë në studio, i ftuar në Klinika 24, Menaxheri i Projektit Shëndet për të Gjithë, Dr. Besim Nuri, shpjegon se ky projekt po punon që prej vitit 2015 për të përmirësuar shërbimet e qendrave shëndetësore në vend. “Në këto 3 vitet e fundit kemi mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë 58 qendra shëndetësore dhe kemi aktualisht 60 qendra të tjera që do t'i mbështesim”, tha Dr. Besimi duke shtuar: “E gjithë paketa jonë është mbështetje për rreth 120 qendra, ndërsa pjesën tjetër të qendrave do e realizojë Ministria e Shëndetësisë me mjetet dhe burimet e veta”.

Pajisja e mjekëve dhe infermiereve me mjetet e duhura për realizimin e vizitave është një tjetër pikë kyçe e cilësisë së shërbimit. Dr. Besimi theksoi se mjekët dhe infermieret e trajnuara janë pajisur të gjithë me çanta personale që përmbajnë pajisjet mjekësore të nevojshme për një shërbim sa më dinjitoz. “Vetëm gjatë vitit të shkuar janë kryer rreth 9 mijë vizita në banesë dhe janë trajtuar rreth 1500 pacientë nga kategoria që e ka të pamundur të lëvizë dhe së shpejti do të realizojmë anketa për të kuptuar se si është gjendja reale e shërbimit dhe nëse ndryshon cilësia e jetës së pacientëve përfitues të këtij shërbimi”, shtoi Dr. Besimi.

Por cilat janë sfidat e ofrimit të kujdesit shëndetësor në banesë në Shqipëri?

Krahas nevojës për riorganizim të punës brenda qendrës shëndetësore, Dr. Besimi përmend “burimet financiare”, duke shtuar se “nuk mund të ofrosh një shërbim pa alokuar mjete financiare shtesë për infermierët, kështu që Ministria e Shëndetësisë po mendon seriozisht se si mund të shtojë buxhetin”.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shprehur vullnetin dhe dëshirën për ta shtrirë këtë shërbim në sa më shumë qendra shëndetësore me mbështetjen e Projektit HAP dhe Dr. Besimi u shpreh optimist se ky model shërbimi, për vetë nevojat e popullsisë, do të përqafohet nga të gjitha qendrat shëndetësore. “Duhet një punë e madhe dhe personeli patjetër që duhet motivuar”, thekson në mbyllje Dr. Besimi.

Kujdesi Shëndetësor në Banesë aktualisht ofrohet në qendra shëndetësore të përzgjedhura në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Fier, Dibër, Shkodër ndërkohë që ka nisur puna që ky shërbim të shtrihet edhe në Kavajë, Mat, Bulqizë, Pogradec, Lezhë e Kukës.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?