Kujdes nga aritmia e zemrës! Ylli Merja: Mbroni zemrën me këto kura natyrale

11 Dhjetor 2023, 14:05| Përditesimi: 11 Dhjetor 2023, 16:12

  • Share

Në rubrikën "Bima dhe Shëndeti" në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja folëm për aritminë në zemër, si përmes kurave natyrale të mund të parandalojmë apo stabilizojmë rrahjet e zemrës. Çfarë është aritmia e zemrës, si t’a kuptojmë atë dhe cilët janë disa nga faktorët që çojnë në aritmi?

Aritmia është një çrregullim i ritmit të rrahjeve të zemrës. Gjatë aritmisë, zemra mund të rrahë shumë shpejt, shumë ngadalë ose me një ritëm të çrregullt. Ajo ndodh kur impulset elektrike që drejtojnë dhe rregullojnë rrahjet e zemrës nuk funksionojnë siç duhet. Sipas specialistit të bimëve mjekësore Merja, shkaktarët e aritmisë mund të jenë mjekësore, fizike, emocionale apo gjenetike:

·        Marrja e medikamenteve mjekësore (tensioni, diabeti, depresioni)

·        Dehidratimi i trupit ose anemia

·        Çekuilibrimi i elektroliteve në gjak (kalium, natrium, kalcium, magnez, etj)

·        Çrregullimi i funksionit të tiroides

·        Pllakëzat e kolestreolit

·        Çrregullimi i gjendrës mbi veshkore

·        Diabeti

·        Kolla

·        Apne në gjumë

·        Stresi, ankthi, emocionet e forta

·        Pirja e alkoolit, duhanit, droga

·        Aktiviteti fizik

·        Të papërcaktuara

Faktorët e riskut për zhvillimin e aritmisë janë sëmundjet e zemrës si arteriet koronare, valvulat e zemrës, infarkt në zemër, inflamacion, presion i lartë i gjakut. Faktorë të tjerë janë: sëmundjet kronike të mushkërive, çrregullimet në ushqim shkaktojnë çrregullim të elektroliteve në gjak, ethe në trup, diabeti, sëmundje të veshkave, ndotja e ajrit, kafeina, alkooli, duhani, drograt, etj.

Simptomat që tregojnë aritmi

·        Ulje të pulsit të zemrës nën 50-55 rrahje/minutë / rrahje të shpejta të zemrës mbi 115

·        Marramendje, të fikët

·        Lodhje, këputje trupore

·        Ankth, stres

·        Djersitje e tepërt në trup, duar, etj

·        Mungesë të frymëmarrjes, apne

·        Dhimbje të gjoksit më shumë majtas, në rast të takikardisë

Nëse kemi rrahje të ulta të pulsit të zemrës, pra një bradikardi çfarë duhet të bëjmë, cili është veprimi i parë?

“Gjeja e parë që duhet të bëjmë është një lëvizje e lehtë e krahëve, më pas laguni me ujë të ftohtë dhe nëse do të kishit ndonjë antiseptik bimor, ose parfum apo alkool t’a spruconi në duar dhe t’a nuhasni fort me hundë në mënyrë që të bëhet një rritje e ngacmueshmërisë nervore dhe kjo të pasqyrohet në rritjen e pulsit. Por mund të ‘shëtisni’ në gojë dhe pak uthull molle dhe nëse ulet pulsi vendosim pak kripë poshtë gjuhës, e shpërndajmë mirë e mirë dhe kjo rrit paralelisht edhe pulsin edhe tensionin. Kjo është ndërhyrja e parë, por nëse kjo aritmi ju përsëritet disa herë, atëherë është e nevojshmë të gjendet shkaktari dhe të bëhet një vizitë mjekësore tek mjeku kardiolog” thekson Merja.

Mjaft shqetësuese është dhe takikardia ku rrahjet e zemrës janë më të shpeshta se në normalitet dhe mund të shkojnë nga 115 deri në 200 rrahje në minutë. Po në këtë rast si duhet të veprojmë, cila është ndërhyrja e menjëhershme që mund të bëjmë?

“Sapo të ndjejmë këtë problematikë në rrahjet e zemrës, mirë është të provokohet një kollë artificialisht, të sforcohemi duke u kollitur në mënyrë që kafazi i kraharorit të mbushet me ajër në të gjithë mushkëritë dhe të ndikojë në këtë takikardi. Mund të përdorim 10 ml ekstrakt murrizi, i cili është i mrekullueshëm dhe ndikon menjëherë në normalizimin e saj, ose nëse keni pak raki thane apo raki rrushi të mirë, gëlltitni pak, por më shumë të mbahet në gojë gati 1 minutë. Në këtë mënyrë lehtësojmë gjendjen, ulim aritminë e zemrës dhe mund të bëjmë më pas një masazh të kraharorit. Nëse keni një takikardi që ka ardhur nga një ankth, nga një stres i fortë është mirë që të përdorni pak bar blete ose nenexhik, kanellë, karafil ose lulebliri. Përgatisni një çaj me njërën nga këto bimë mjekësore që mund t'ju ndodhen në shtëpi për të qetësuar edhe sistemin nervor, por edhe aritminë e zemrës” sugjeron Merja.

Sipas specialistit të bimëve mjekësore parandalimi i aritmisë është i mundur me anë të një diete të shëndetshme me perime e fibra, më pak kripë dhe yndyrë; kufizimi i duhanit, alkoolit, substancave narkotike; gjumë i mjaftueshëm; aktiviteti fizik në ajër të pastër (rreth 1 orë në ditë); qetësimi i ankthit dhe stresit, shmangia e ushqimeve të skuqura, ushqimet e papërpunuara; shmangia e ëmbëlsirave artificiale.

Ushqimet që ruajnë shëndetin e zemrës janë: perimet, lakra e bardhë dhe e kuqe, brokoli, panxhari dhe domatet janë ndër më të mirat, kërpudhat, vezët, vaji i ullirit, vaji i lirit, vaji i farave të zeza, avokado, grejpfrut, rrushi i zi, arra, bajame, fara kungulli, lajthi (nga 10 gr/ditë), peshku, sardele, salmon, trofta. Ndërsa bimët mjekësore më të mira aleate për shëndetin e zemrës dhe aritminë janë: Likopsi, lule dhe fruti i murrizit, kulumbria, molla e egër, lule bliri, aguliçe, milcë, gjethe dëllinje, boronica, aronia, manaferra, kumbulla, shafrani, fara e avokados e grirë dhe pak e pjekur 2-3 gr në ditë.

Specialisti Merja sugjeroi dhe një mëngjes të shëndetshëm si dhe një çaj qetësues për aritminë.

Çaj qetësues për aritminë

·        Në 0.5 litër ujë zieni 2 minuta: 3 fije likopsi, një dorë murriz lule dhe një dorë lule bliri. Kullojeni çajin pasi ftohet dhe pijeni gjatë ditës ëmbëlsuar me pak mjaltë

Nje mëngjes i shëndetshëm

·        Një gotë kos me 2 lugë supe hime gruri

·        Dy lugë musli më boronicë dhe 20 fije shafrani

SHËNIM i REDAKSISË: Çdo i sëmurë ka veçoritë e tij, ndaj për raste të sëmundjeve të rënda, duhet gjithnjë këshillimi me mjekët specialistë. 

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?