Kuçovë, ndërpriten punimet në lagjen ‘Llukan Prifti’, investimi 77 mln lekë duhej të kishte përfunduar në gusht 2021! Bashkia: Pengesë shpronësimet

27 Prill 2022, 10:16| Përditesimi: 27 Prill 2022, 10:19

  • Share

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari ka prerë shiritin e punimeve për projektin me vlerë 77 milion lekë në shkurt të 2021-shit. Punimet për rikualifikimin e bllokut të banimit në lagjen "Llukan Prifti" duhet të përfundonin më Gusht 2021. Siç shihet në pamjet që sjell Report TV, në Prill të 2022-shit punimet janë ende larg përfundimit.  Banorët pohojnë se punimet janë ndërprerë prej muajsh dhe situata është shqetësuese sidomos për fëmijët.

"Problem e kemi me rrugës sidomos për fëmijët dhe të moshuarit që rrëzohen. Po bëhen 4-5 muaj që këtu nuk punohet. Afati ka kaluar me kohë", thanë banorët.

Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Kuçovës tha se punimet janë ndërprere për shkak të shpronësimeve të 6 objekteve që preken nga ky investim.

"Bashkia Kuçovë ka tentuar disa here, kemi dorëzuar dosjen disa here tek Agjencia e Shpronësimeve, por na është kthyer mbrapsht për plotësim dokumentacioni. Para një jave kemi marrë konfirmim se dosja eshtë e rregull dhe tani presim të dalë Vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimet, që të rinisim punimet", u shpreh Ferdinand Putro Drejtori i Urbanistikës në Bashki.

 

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?