Sport

Kualifikueset e Botërorit/ Reja grumbullon për herë të parë Muçin, vetëm Hoxhallari nga Superliga! Mungon Bajrami, s'ka ende konfirmim nga UEFA

28 Gusht 2021, 12:56| Përditesimi: 28 Gusht 2021, 14:40

  • Share

Ernest Muçi është risia e vetme e Edi Rejas për tre ndeshjet e rëndësishme për fatin e kombëtares në kualifikueset e Botërorit. Trajneri i përfaqësueses kuqezi ka shpallur sot listën me futbollistët e grumbulluar për 3 ndeshjet e shtatorit kur me datë 2 do përballemi me Poloninë në transfertë, me 5 kundër Hungarisë në Elbasan Arena dhe me 8 shtator kundër San Marinos po në ‘Elbasan Arena’.

Përveç sulmuesit Muçi, ish-futbollisti i Tiranës që tashmë luan me Legian e Varshavës, për t’u evidentuar është fakti se Erion Hoxhallari është futbollisti i vetëm që përfaqëson Superligën në Kombëtare. Pas disa mungesave me kuqezinjtë është rikthyer anësori Odise Roshi, por edhe mbrojtësi Ramën Çepele.

Në portë Reja ka zgjedhur të fitojë Etrit Berishën dhe Strakoshën nga Seria A, por edhe Gentian Selmanin nga kampionati turk. Në mbrojtje përveç Çepeles dhe Hoxhallarit do të jenë edhe Hysaj, Doka, Ismaili, Gjimshiti, Kumbulla, Mihaj, Trashi dhe Mitaj. Në mesfushë janë përzgjedhur Abrashi, Gjasula, Çokaj, Ramadani, Bare, Laçi, Roshi dhe Çekiçi. Ndërkohë në sulm përveç Muçit Reja i ka besuar Balajt, Brojës, Cikalleshit, Manajt dhe Uzunit.

Edhe njëherë bie në sy mungesa e futbollistit të Empolit Nedim Bajrami, që as këtë herë nuk e ka marrë konfirmimin nga UEFA për t’iu bashkuar Shqipërisë pasi më herët ka qenë pjesë e Zvicrës. Kombëtarja do të nisë të dielën grumbullimin në Varshavë, ndërsa po të dielën trajneri Reja do të flasë për të tre ndeshjet në një konferencë për shtyp.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?