Aleksander Vucic

'Ku ke pa ti serb që shikon përpara?'

27 Shkurt, 19:03| Përditesimi: 27 Shkurt, 19:06

  • Share

Shkrimtarët e mirë nuk e lavdërojnë përherë popullin e tyre. Nganjëherë ia nxjerrin në sipërfaqe edhe të metat, të këqijat, anët negative. Për shembull: kur anëtarët e atij populli kalojnë çdo kufi me budallallëqe, shkrimtari merret me përshkrimin dhe demaskimin e këtyre budallallëqeve.

Krahas kriminelëve të luftës (shkaktarë të budallallëqeve me pasoja të përgjakshme), Serbia në dekadat e fundit ka katapultuar në skenën publike edhe shkrimtarë, të cilët analizojnë me mprehtësi gjymtimet mendore të shoqërisë.

Bora Qosiq, i cili nuk ka lidhje familjare me Dobrica Qosiqin, është njëri nga autorët serbë me horizont të gjerë dhe me vullnet të pashoq për të zhveshur cenet kombëtare serbe. Serbët, shkruante ai para gati dy vitesh në gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, janë popull iracional. Gjaku i tyre i hajdutit, sjellja ambivalente, e trashëguar përmes pushtimit të gjatë turk, heroizmi i tyre që s’lë vend për dyshim si dhe humori dashakeqës - të gjitha këto së bashku kanë shkaktuar shumë paqartësi te ky popull, por edhe veprime të befasishme, të cilat shpesh i kanë bërë dëm, nejse!

Bora Qosiq jeton në Berlin. Shpesh kalon kohën edhe në Rovinj. Rovinji është qytet bregdetar kroat. Për nga arkitektura më shumë u përngjan qyteteve italiane se Shumadisë së Serbisë. Nga distanca mbase shihet më mirë brendësia e një populli. Bora Qosiq është i bindur se, ndërsa kombet e tjera kanë hedhur hapa drejt europianizimit, serbët kanë mësuar nga pushtuesit turq vetëm përdorimin e banjës. Në përkthim më të drejtpërdrejtë i bie se turqit i kanë mësuar serbët të lahen.

Përtej përgjithësimeve: çfarë kanë mësuar serbët në dekadat e fundit, pas luftërave të viteve ‘90? Ia kanë marrë dorën glorifikimit të kriminelëve të luftës. Verën që shkoi në shkollën “Gjura Jakshiq” në Novi Sad nxënësve u foli, përmes videolinkut nga burgu në Finlandë, krimineli serb i luftës, Nebojsha Pavkoviq, i dënuar me 22 vjet burgim për shkak të krimeve të luftës në Kosovë. Sikur nxënësit e shkretë ta dinin se çfarë ka thënë shkrimtari Gjura Jakshiq në shekullin XIX: pasi kishte hipur në pajton, ai ua kishte kthyer shpinën kuajve, dhe pajtonxhiu i habitur e kishte pyetur: përse ua ktheve shpinën kuajve? Gjura Jakshiqi ishte përgjigjur: “Ku ke pa ti serb që shikon përpara?”

Thellë në histori duhet të jetë edhe mesia në kërkim të së cilit vihen jo vetëm tifozët nga tribuna e stadiumit të futbollit (“Srbija do Tokija”). Por, siç ka shkruar Franz Kafka, i cili vdiq para 100 vjetëve, mesia do të vijë tek atëherë kur s’do të ketë më nevojë për të, do të vijë tek pas ardhjes së tij, nuk do të vijë ditën e fundit, por në ditën fare të fundit.

Deri atëherë rroftë mesia i ironisë therëse dhe enfant terrible i letërsisë serbe, Svetisllav Basara. Në një intervistë për një medium kroat, Basara konstaton se shoqëria serbe nuk ka sistem imun që do të shporrte figura politike si Sllobodan Millosheviqi, Aleksandar Vuçiqi apo Vojisllav Shesheli. Edhe më keq: shoqëria serbe, jo përherë e vetëdijshme, krijon figura të tilla, mendon Basara. Sipas tij, është budallallëk të mendohet se Millosheviqi e Vuçiqi janë shfaqur nga asgjëkundi dhe sundojnë përmes frikës.

Mes vitit 1987 dhe 1999, vazhdon Basara, 99 për qind e popullsisë serbe përkrahu projektin e Serbisë së Madhe të Sllobodan Millosheviqit dhe Dobrica Qosiqit. Shoqëria serbe është e prirë nga epidemitë psikike për shkak se nuk është bashkësi e qytetarëve të lirë, por turmë aritmetike. Serbia humb në paqe sepse nuk e di - e me gjasë as nuk dëshiron - të jetojë në paqe. Jo vetëm me të tjerët, por edhe me veten. Serbia me një këmbë ka qenë jashtë botës moderne, me vrasjen e Zoran Gjingjiqit ajo e ka braktisur botën moderne me të dy këmbët. Projekti i Gjingjiqit ishte një shoqëri serbe njerëzore, bashkëkohore dhe institucionaliste, duke e shkëputur pseudomitologjinë nga politika, por kjo nuk i pëlqeu 99 për qind të serbëve, ata adhuronin Sllobodan Millosheviqin dhe Dobrica Qosiqin. Me pak fjalë, Basara i shpjegon rreth 40 vjet të politikës serbe./Koha

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 29/02/2024 12:17

    Megjitatë Sërbia ngelet shum e rezikshme. Se ka ushtri të fort , në një koh që Shqipria ska ushtri fare. Me nderime e me respekt Profesor Doktor Kasap Rexhep Bule Leka [ kepi ] me 15 gjuh të huaja.

    Përgjigju
  • Noc Rroku: 29/02/2024 10:48

    Shumë mirë i ka thënë po ata qëllimin ekzistencial për të dalë në Adriatik; ngadal ngadal po e realizojnë, rruga e kombit ju bo me parete Shqiptarve këtu dhe në Kosovë, pjesa deri në BG, ja bëri evropa pa lek, hekurudha po i bohet.... rusi, evropa, turqia, kina atje po hudhun lek. Tek ne asgjë; E vetmja shpresë për shpëtim betet Italia meqë bleu Shëngjinin dhe Gjadrin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?