Ilir Meta, Sali Berisha

Ku janë heronjtë e ligjit antishpifje?

5 Tetor 2020, 18:38| Përditesimi: 5 Tetor 2020, 18:52

  • Share

Siç e thoshte me të drejtë M. Baze në editorialin e tij, ai dhe gazeta «Tema» nuk kanë nevojë të mbrohen nga askush (shih : «Përse nuk duam të na mbrojë askush nga Ilir Meta»). Pse? Sepse të të sulmojë Ilir Meta është shenja e sigurtë që ti je gazetar me integritet, se nuk je hajdut, nuk bashkëpunon me mafien dhe krimin në këtë vend dhe se je në anën e duhur të opinionit publik.

Më kujtohet se e njëjta situatë ndodhte andej nga vitet 1992 kur mes kolegësh të reshtuar në atë kohë në krahun e PD-së thoshim se po të të shante «ZP»-ja ishe në rregull, sepse të mbroje sistemin e përmbysur socialist dhe diktaturën shqiptare në atë kohë ishte një barrë e rëndë.

Mirëpo sot kemi një realitet krejt tjetër dhe heronjtë e demokracisë apo ata që u vunë në ballë të lëvizjeve apo të forcave politike që shenjuan gjithë këta vite tranzicion, në të shumtën e herës janë bërë problemi i demokracisë. Çifti ekzemplar që shenjon deformimin e demokracisë shqiptare, kalbëzimin e saj, krimin, vrasjen, vjedhjen, abuzimin me pushtetin, vrasjen e ëndrrës për një jetë më të mirë apo për ta bërë «Shqipërinë si Europa» janë çifti Berisha- Meta. Kjo dyshe që tani në fund është bashkuar edhe në vendin e rehatisë e të pushimeve, në Gjirin e Lalsit, simbolizon anën e errët të demokracisë shqiptare. Rekordet e tyre kriminale janë përmendur disa herë dhe këtu nuk është rasti të përmenden përsëri. Ajo që të lë pa mend është një gjë tjetër : reagimi i medies dhe gazetarëve ndaj kësaj të keqeje dhe ndaj këtij çifti. Unë i mirëkuptoj të gjithë gazetarët e reshtuar në kampet politike respektive, pra ata që punojnë për PD-në dhe ata që punojnë për LSI-në. Nuk është në kodin e tyre dhe në etikën, gjithashtu, që të mbajnë qëndrim ndaj krimeve që kanë kryer shefat e tyre. Nëse dikush e bën ai largohet me vetëdije nga ajo forcë politike dhe e vë veten në dispozicion të lirisë vetjake. I mirëkuptoj, gjithashtu, edhe ata gazetarë që sot janë reshtuar me Berishën, Metën e Lulin sepse urrejnë Edi Ramën.

Secili është i lirë të ndryshojë bindjet dhe opinionin e tij. Askush nuk e ka monopolin e së vërtetës. Por nuk mund të kuptoj ato organizata që ndërtohen si bashkim individësh me opinione të lira dhe të paanshme, siç ishte rasti i deklaratave dhe prononcimeve shpesh të egra për atë që u quajt ligji « antishpifje », të cilat në rastin e sulmit kriminal që Presidenti i Republikës i bën një medieje heshtën. Ndërkohë që nuk munguan ta quajnë Edi Ramën Lukashenko apo diktator vetëm pse bëri një ligj ashtu siç e kishin hartuar edhe disa vende të tjera. Personalisht atë projketligj e kam kundërshtuar por jo për ato arsye që e kanë kundërshtuar ata gazetarë dhe ato organizata që nuk kanë integritet dhe moral që të ngrihen mbi pasionet e tyre të errëta që i bëjnë palë edhe me djallin vetëm të sulmojnë Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Këto organizata më kanë dërguar edhe mua një deklaratë dhe ja cilat janë :  BIRN Albania, Civil Rights Defenders, Citizens Channel, Faktoje, Grupi Shqiptar për të drejtat e njeriut, Këshilli Shqiptar i Medias, Komiteti shqiptar i Helsinkit, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, New Media Network, Qendra Res Publica, Qendra Shqiptare MediaLook, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Shoqata e Gazetarëve Europianë të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Më duket vetë njëra prej tyre ka reaguar « Shoqata e gazetarëve europianë të Shqipërisë ». Kur ishte rasti i projektligjit të qeverisë për paketën « antishpifje » nuk kishte ekran televizori që mos të shihje ndonjë nga këta përfaqësues duke bërë deklarat të bujshme se po shkelet kjo e po shkelet ajo. Ai projektligj natyrisht që ka defekte, por krimi në median shqiptare nuk vjen nga ai projkelitgj. Këta zotërinj që shqetësohen për nismat e qeverisë bëjnë mirë, sepse askush nuk është dorëjashtë nga dëshira për të futur hundët më media.

Por të heshtësh kur prsidenti i vendit sulmon medien më të madhe në vend dhe një nga gazetarët më të mirë të vendit, më së paku kjo është mungesë e thellë integriteti moral e profesional dhe më së shumti është një shfaqje e shëmtuar e aleancës së zezë që po realizohet në Shqipëri mes gjithë atyre që e ndiejnë veten të përjashtuar nga përfillja e Ramës dhe të bërë bashkë me Metën e Berishën në krye nuk lënë gur pa lëvizur dhe aleancë pë ndërtuar që të shfryjnë zemërin e tyre përballë një kryeministri që nuk i përfill dhe që nuk bën aleancë me ta. Të mësuar të jenë shtojca të çdo qeverie, kjo aleancë duket se ka gjetur shpresën te dyshja Meta- Berisha që të paraqesë Shqipërinë me ngjyra të errëta, ndërkohë që kur errësira që çliron Meta dhe Berisha mbi këtë vend atyre u duket si një dritë që do tu tregojë rrugën drejt aleancës me pushtetin që për fatin e tyre të keq nuk do t’u vijë kurrë. Ndaj ka të drejtë Mero Baze kur shkruan në editorialin e tij se nuk ka nevojë të mbrohet nga askush. Të paktën nga « heronjtë » që u afirmuan në luftën kundër ligjit antishpifje, jo.

Komento

Komente

  • Haha: 05/10/2020 19:31

    Meta e Berisha jane ne fund te zorres se trashe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?