Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka publikuar planin e masave për lehtësimet graduale drejt kthimit të vendin në normalitet. Johnson tha se plani do të ketë 3 faza që do të rikthejë normalitetin në 3 muaj. Duke iu drejtuar qytetarëve britanik nga Downing Street tha se shkollat do të hapen më 1 qershor dhe nga nesër, kushdo që nuk mund të punojë nga shtëpia mund të rikthehet në zyrat e tyre.
Duke bërë thirrje për kujdes, Johnson tha se nga e mërkura, njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar do të jenë në gjendje të bëjnë banjë dielli, të ushtrohen në natyrë sa të duan dhe të shkojnë në destinacione të ndryshme. Parashikohet hapja e shkollave fillore në Angli, dyqaneve dhe çerdheve pjesërisht nga 1 qershori, ndërsa disa kafene ose restorante do të hapen nga korriku.
"Nga kjo e mërkurë ne duam t’i inkurajojmë njerëzit të bëjnë sa më shumë, të mos kufizohen sa i përket ushtrimeve në natyrë. Ju mund të uleni në diell në parkun tuaj lokal, ju mund të lëvizni në destinacione të tjera, madje mund të luani sporte, por vetëm me anëtarët e familjes tuaj”, tha Johnson
Kryeministri britanik është një nga të shëruarit me koronavirus, ndërsa ka kaluar një periudhë të vështirë nga sëmundja. Ajo që u vu re gjatë fjalimit të sotëm ishin këshillat e tij për të ruajtur distancimin dhe secili të tregohej vigjilent dhe i kujdesshëm, por shtoi se duhet nisur puna për ringritjen ekonomike në vend.