‘Pasaportat e arta’, ambasadorja e Francës: Djalli fshihet në detaje! Tabaku e Skendaj: Drafti mund t’i hapë rrugë informalitetit

31 Maj 2023, 11:17| Përditesimi: 31 Maj 2023, 14:32

  • Share

Ambasadorët e vendeve të BE paralajmëruan se projekti i Shqipërisë për pasaportat e arta mbart rreziqe serioze dhe si i tillë, duhet të shoqërohet me transparencë dhe konsultime.

“Djalli fshihet në detaje, ka disa çështje teknike që janë të vështira për t’u cekur, por do i kalojmë të gjitha këto hollësi. Duhet të kemi transparencë për shoqërinë civile”, tha Elisabeth Barsacq, Ambasadore e Francës në Shqipëri.

Në të njëjtën linjë, por me terma edhe më të ashpër, ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri tha se kjo çështje paraqet ndjeshmëri të lartë dhe kërkon kujdes maksimal.

“Kini parasysh se shtetësia e BE-së është shumë e ndjeshme në lidhje me shtetin. Pasaporta është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur shtetësinë e BE-së, ajo nuk është në shitje”, tha Reinout Vos, Ambasador, Mbretëria e Vendeve të Ulëta në Shqipëri.

Deklaratat e diplomatëve u bënë gjatë prezantimit të raportit për ‘Pasaportat e Arta’ nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Drejtoresha ekzekutive Erinda Skendaj tha se deri tani mungon transparenca në lidhje me planin për dhënien e pasaportave shqiptare për shtetasit e huaj që investojnë një shumë të caktuar parash në vendin tonë.

“Ende nuk ka një VKM për kriteret e  procedurat. Nuk ka  asnjëdokument zyrtar që të hedhë dritë mbi nevojën e miratimit të kësaj Vkm dhe në ç’drejtim është parashikuar dhënia me koncension apo partneritet publik privat I këtij shërbimi. Në Shqipëri mungojnë të dhënt zyrtare sa shtetas kanë përfituar  nga shtetësia e investitorit( përjashtim viti 2018 , rasti I indianëve . Mungesa e kësaj transparence shkon përkundrejt tërheqjes së vëmendjes që BE ka bërë për shtetet anëtare”, tha Erida Skëndaj, Drejtoreshë Ekzekutive, KSHH.

Për deputeten e PD Jorida Tabaku duhet të shihet me prioritet vendosja e kufizimeve për hyrjen e kapitaleve të dyshimta në ekonominë shqiptare.

“Nëse duam që të bëhemi vend anëtar, atëherë i takon BE që të shoh nëse do që ta shesë shtetësinë. Duhet të shikohet se çfarë sjell shitja e shtetësisë, për rrezikun nga pastrimi i parave. Nga të dhëna që vijnë nga Presidenca, dhënia e shtetësisë shqiptare është dyfishuar, si rasti i dyshimtë i dy investitorëve indianë. Nëse kjo ndiqet dhe me amnistinë fiskale, këto janë drejtime të rrezikshme, që lidhet dhe me stabilitetin e ekonomisë shqiptare”, tha Jorida Tabaku.

Për herë të parë, nisma e Pasaportave të Arta u përmend nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vitin 2019. Ambasadorja e BE në Tiranë ka deklaruar se ekspertë të unionit por edhe nga Moneyval, kanë mbërritur në Shqipëri për të ofruar këshilla mbi hartimin e ligjit. Pala shqiptare vazhdimisht është shprehur se po punon me institucionet ndërkombëtare për të adresuar kritikat mbi paketën.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?