Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla takim me Presidenten e Parlamentit të Bremen

19 Shtator 2023, 09:16| Përditesimi: 19 Shtator 2023, 09:18

  • Share

Në kontekstin e bashkëpunimit me Bundestagun dhe parlamentet e Landeve të Gjermanisë, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, po zhvillon një vizitë zyrtare në Landet Bremen dhe North Rhine- Ëesfalia.

Gjatë vizitës në Bremen, Kryetarja Nikolla u takua me Presidenten e Parlamentit të Bremen, Antje Grotheer.

Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe dialogun intensiv politik të nivelit të lartë, Nikolla nënvizoi mundësinë dhe dobinë e bashkëpunimit me parlamentet e landeve.

“Decentralizimi i bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit dhe Landeve është një rrugë për të afruar më shumë institucionet, bizneset dhe njerëzit e vendeve tona. Bashkëpunimi me Bremenin, si një qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore e Gjermanisë, është me shumë interes. Bashkëpunimi i Kuvendit me Parlamentin e Landit do të nxisë edhe bashkëpunimin mes institucioneve të tjera si edhe bashkëpunimin ekonomik e tregtar në fushat e energjisë, turizmit, telekomunikacionit, infrastrukturës, agrobiznesit, bashkëpunimin arsimor, kulturor dhe në sektorë të tjerë. Bashkëpunimi mund të përfshijë edhe mbështetjen e Landit ndaj integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e Procesit të Berlinit.”, nënvizoi Nikolla.

Presidentja e Parlamentit të Bremen, Antje Grotheer, vuri në dukje se Parlamenti dhe institucionet e tjera të Landit mirëpresin bashkëpunimin me Kuvendin, institucionet dhe qytetet shqiptare. Përveç bashkëpunimit ekonomik e tregtar dhe nxitjes së investimeve, kryeparlamentarja Grotheer theksoi rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit mes deputetëve të rinj dhe parlamenteve rinore.

Kryetarja Nikolla e ftoi Presidenten Parlamentit të Bremen, Antje Grotheer, për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?