Kryeprokurori,PS hap procesin
PD-LSI ikin: Po minoni vendin

7 Dhjetor 2017, 11:56| Përditesimi:

  • Share
Komisioni i Ligjeve hap garën për kryeprokuror. Pas tre orësh debate dhe përplasje me opozitën, e cila në fund u largua, socialistët me vetëm 10 votat e tyre në Komisionin e Ligjeve miratuan këtë vendim, i cili shpall vakancën në krye të Prokurorisë së përgjithshme dhe nis procedurat e zëvendësimit.

Sipas këtij vendimi, brenda 5 ditëve që përfshijnë dhe tre ditët e pushimit zyrtar, deri të martën, të gjithë prokurorët që besojnë se plotësojnë kriteret mund të aplikojnë pranë Komisionit të Ligjeve për të qenë kryeprokuror. Kriteret i përcakton ligji janë:  të kalojnë me sukses vettingun, kusht që deri më tani nuk e plotëson asnjë prokuror i republikës sepse rivlerësimi akoma nuk ka përfunduar për asnjë prej tyre,  

Kushte të tjera janë: të mos preket nga ligji i dekriminalizimit,  të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;

ç) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të asnjë shërbimi sekret;

d) të mos jenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

dh) të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi.

Por edhe Kushtetuta ka disa kritere. Sipas saj,  Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Pas aplikimeve, Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë seanca dëgjimore me të gjithë kandidatëve, dhe brenda dy ditësh pasi të ketë përfunduar dëgjesat, do të përgatitë raport për secilin kandidat drejtuar Seancës Plenare. Do të jetë kjo seancë që do të vendosë përmes votimit të zgjedhë kryeprokurorin e ri të përkohshëm, i cili do të ushtrojë detyrën deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. 

Debatet te Komisioni i Ligjeve:
Ulsi Manja-Nuk duam konflikte me opoziten. Emocionet politike ti leme menjane. Te bejme debat te paster dhe juridik. Nuk duam zgjidhje të njëanshme. Nuk është parashikuar zgjatja e mandatit të kryeprokurorit, Llallës i mbaron sot mandati 5-vjeçar. Deri në krijimin e KLP detyrën e kryeprokurorit ta ushtrojë përkohësisht një prokuror me eksperiencë. Sot do të përcaktohen procedurat për kryeprokurorin e ri të përkohshëm”, tha Manja.

Relatori i çështjes nga PS, Çuçi: Kuvendi gjendet në një situatë juridike që duhet brenda 30 ditëve të çaktojë një prokuror për të kryer funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm. Nuk është as emërim, por caktim për kryerjen  e prokurorit të Përgjithshëm derisa të krijohen organet kushtetuese që kanë të drejtë për të emëruar prokurorin e ri. Ne si komision në bazë të nenit 111, pika 7, të rregullores së Kuvendit jemi mbledhur për të miratuar një projekt vendim për miratimin e procedurës për emërimin e prokurorit të përkohshëm.

Duhet të plotësojmë kriteret që prokurorin e ri që do të ushtrojë detyrën deri në emërimin e prokurorit të ri dhe për analogji sikur kemi bërë edhe me institucionet e tjera, miraton  një vendim për procesin. Këtë duhet ta bëjmë brenda 30 ditëve, që duhet të marrë vendimin. Duke qenë se ka edhe pushime zyrtare për shkak të festave, do të doja që ky projekt vendim të bëhet sa më shpejt në mënyrë që të garantohet e gjithë trupa e prokurorëve, rreth 400 që të shprehin interesin.

Projektvendimi është ky; për caktimin e prokurorit të përkohshëm, komisioni i Ligjeve pasi u njoh me memon e Kuvendit, pasi konstatoi që KLP nuk është krijuar ende çka na çon te dispozitat transitore, vendosi: Miratimin e procedurës së prokurorit të ri. Komisioni i Ligjeve bën shpalljen e vakancës dhe fton prokurorët që përmbushin kushtet që brenda 5 ditëve të depozitojnë CV.  Brenda 5 ditëve do të jetë seanca dëgjimore. 

Projekt/ Vendimi i hartuar nga PS;
1. Miratim procedure per prokuror te perkohshem
A. Komisioni i Ligjeve ben shpalljen publike vakante dhe fton prokuroret qe permbushin kriteret ligjore brenda 5 ditesh te depozitojne CV dhe aplikimin.
B. Komisioni publikon listen dhe ben seanca degjimore
C. Brenda dy ditesh pas degjeses komisioni rendit kandidatet dhe ja dergon seances plenare
Ç. Kuvendi voton per caktimin e pronorit te pergjithshem te perkohshem.
2. Hyn ne fuqi menjehere


Deputeti i PD, Eduard Halimi: Jeni kundër Sekretarit të Përgjithshëm që dje tha se duhen 84 vota për emërimin e kryeprokurorit. Askush nuk e kishte menduar që pas 3 vitesh PS do të shpikte Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm për punët tuaja. Jemi përplasur dhe në Komisionin e Venecias për Prokurorin e Përgjithshëm. Komisioni i Venecias i tha qartë: Prokurori i Përgjithshëm nuk do të emërohet nga partitë politike. 

Ulsi Manja: Kemi të bëjmë me një prokuror të përgjithshëm që është prokuror i asaj zyre me ndryshimet nga reforma në drejtësi. Ligji nuk parashikon zgjatjen e mandatit të Kryeprokurorit

Enkelejd Alibeaj: Interesi i medias dhe publikut e tregon se dicka e pazakontë po ndodh. Ju po filloni procedurën për të emëruar prokurorin. E pazakontë, pasi cështja nuk ka qenë në kalendarin punimeve dhe pa kaluar procedurat gjendet në tryezën e komisionit të Ligjeve. Ku e gjen të drejtën Sekretari i Kuvendit të iniciojnë një procedurë parlamentare.

Nuk është tentativë apo aludim që një parti kërkon të kapë prokurorin e përgjithshëm, sot është fakt. Po tentoni të ‘rrëmbeni’ kreun e Akuzës për ato kompetenca që ka, cdo kush e kupton nga buron frymëzimi. Ju mund të keni edhe probleme me Llallën, por më shumë me dosjet duke iu shtyrë të merreni në nismë në shkelje të procedurave. Duhet t’i thërrasim arsyes dhe të pozicionohemi jo kundër një individi por kushtetutës.

Ftesa është edhe politike, se nëse do të hidhni këtë hap të gabuar, veçse do të potenconi konfliktin politik të këtij vendi, do të bëni një kapje të pastër të drejtësisë. Do të godisni besimin publik te reforma në drejtësi. Sot nuk ka një ngërç të pazgjidhshëm. Ju po e shpikni ngërçin. Për prokurorin e Përgjithshëm nuk ka një dispozitë, fakti që mbetet që kushtetuta e reformuar nuk ka përcaktuar një rregull që atij i ndërpritet mandati.

Deri këtu mund të ketë edhe dilema. Ka pasur edhe më parë dilema, Ina Rama u emërua në bazë të një mandati të pakufishëm, më pas u vendos që të ishte 5 vite mandati, e përcaktuam me procedurë. Po ashtu edhe drejtuesi i ILDKP, e ka pasur mandatin 5 vite, u ndryshua me ligj iu bë 7, dilema ishte e njëjta, 5 me të vjetrën apo 7 me të renë; ju thatë jo 5, por 7. 

Kushtetua në nenin 148/ C parashikon saktë; Deklarimin e përfundimit të mandatit të Kryeprokurorit e bën KLP. Edhe ligji për prokurorinë thotë të njëjtën gjë. Kemi mundësinë ta zgjidhim këtë problem në mënyrë fisnike dhe dinjitoze, në të kundërt është minim i klimës politike në vend. Tani zgjidhni ose do të jeni dinjitoz me veten ose do i hidhni minat këtij vendi. 

Ulsi Manja: Në mungesë të zv/prokurorit të përgjithshëm po vendosim prokurorin e përkohshëm. Ne jemi sot këtu për të zgjidhur këtë situatë ligjore. Kushtetuta flet qartë; Në rastin konkret nuk ka parashikim me zgjatjen e mandatit të kryeprokurorit. Mandati mbaron sot. Kjo është arsyeja pse ne i lexova me shkrim argumentet, se kushtetuta nuk t’i fal gabimet.

Nasip Naço: Grupi i LSI e ka ndjekur me vëmendje. Shumica është e interesuar për ta zgjedhur me shumicë të thjeshtë, pa konsensus me opozitën. Do të kërkoja që shumica të reflektojë. Zgjedhja me 37 deputetë në seancë. Keni frikë dhe panik, kërkoni të kapni prokurorin e përgjithshëm. 

Oerd Bylykbashi: Kjo është Kushtetutë që bazohet në ligj dhe jo në memo. Po ndërtoni një Kushtetutë me defekte dhe boshllëqe të rënda, sa duket si kamionçinë. Ju kërkoni që të mbyllni dosjet e nxehta që keni. Prokurori i ri i përkohshëm mund të lëvizë prokurorët apo shkarkojë, ka kompetenca të plota. Kërkoni që prokurori të mbrojë ata që ju i mbroni me imunitet.

Eduard Halimi: Ju kërkoni të zgjidhni Kryeprokuror për 30 ditë, pra për festat e vitit të ri. Dua të sqaroj se ne nuk  e kemi kompetencën për të kërkuar zgjatjen e mandatit të Kryeprokurorit...Ne zgjedhim Kushtetutën. Ju ligjin. Këtu mbaron!

Opozita largohet nga Komisioni i Ligjeve pas debateve për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri​

Ulsi Manja: Ju jeni anti-amerikanë dhe anti-evropianë 

PS, Çuçi: Mendoj se duhet ta bëjmë me konsensus deri në fund zgjedhjen e prokurorit të ri. SHBA dhe BE janë shumë të qartë dhe është në harmoni me qëndrimin e shumicës, duhet prokuror i ri i përkohshëm. Do të donim konsensus.

Ulsi Manja: Opozita nuk ka hallin e ligjit, por halli i tyre ka qenë dhe mbeten emrat, për ne mbeten prioritet konsensusi dhe jo emrat. Kërkojmë që prokurori i përkohshëm duhet të jetë me profil të lartë dhe me integritet. Falenderoj misionet e SHBA dhe BE, më vjen mirë që ishim në të njëjtën gjatësi vale. Keqardhje për opozitën, ligjet e vendit më mirë i lexojnë partnerët ndërkombëtarë sesa opozita, që e lexon me syze politike.  Nuk kemi asnjë qëllim për emrin e prokurorit të ri. Ftesë për opozitën që të japë kontributin e saj.

vendimi 1 llalla
vendimi 2 llalla
Projektvendimi i miratuar nga Komisioni i Ligjeve

 

dy.b/d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?