Kryeprokurori Çela ngre strukturën e përkohshme për zgjedhjet e 14 majit, ndan porositë

5 Prill 2023, 15:36| Përditesimi: 5 Prill 2023, 15:38

  • Share

TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka ngritur strukturën e përkohshme për zgjedhjet vendore të 14 majit si edhe ka nxjerrë qarkoren për marrjen e masave në çdo prokurori.

Me anë të kësaj qarkoreje, Çela kërkon nga drejtuesit e prokurorive të rretheve gjyqësore, të marrin masa për organizimin e prokurorive duke filluar me datë 14 prill 2023 që sipas ligjit fillon fushata zgjedhore deri me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja të organeve të qeverisjes vendore në njësitë administrative që mbulon rrethi gjyqësor i asaj prokurorie.

“Drejtuesit e prokurorive dhe prokurorët duhet të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet dhe në afate optimale, çdo referim dhe/ose kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor, për kryerjen e hetimeve proaktive, dhe/ose përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit sipas ligjit, si dhe rritjen e intensitetit të hetimeve për këto grupvepra penale”, thuhet në dokument.

Një detyrë e rëndësishme është edhe bashkëpunimi me institucionet.

“Ndërkohë, struktura përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtuesit e prokurorive e prokurori për marrëdhëniet me publikun ne secilën prokurori, marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar dhe shkëmbyer informacione dhe dërgimin Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve”, përfundon njoftimi.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?