Kryeprokurori, Basha: Llalla në
detyrë derisa ta shkarkojë KLP

7 Dhjetor 2017, 11:11| Përditesimi:

  • Share
Pas ftesës së Ramës për t’u ulur në bisedime me opozitën, Partia Demokratike vazhdon të mbajë qëndrim kundërshtues përsa i përket procedurave për kryeprokurorin e ri. Nëpërmjet një letre dërguar kryetarit të Kuvendit, Partia Demokratike rendit një sërë arsyesh pse procedura e nisur nga Kuvendi është antikushtetuese.

Sipas PD, Kushtetuta e thotë qartë se mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Për këtë arsye, PD vlerëson se deri në ngritjen e KLP-së dhe plotësimit të boshllëkut kushtetues dhe ligjor është e pamundur që Kuvendi të marrë kompetencën e një institucioni të pavarur të drejtësisë.

Nga ana tjetër, PD shprehet se ajo nuk ka qëndrim përfundimtar për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit nga 5 në 7 vjet të Prokurorit të Përgjithshëm. “Përgjigjen për këtë dilemë nuk mund ta japë politika, por e jep vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë si institucioni i vetëm që deklaron mbarimin e mandatit”, vlerëson PD.

PD vëren se një situatë të ngjashme për Inspektorin e Lartë te Deklarimit të Pasurive, kjo mazhorancë e zgjidhi duke ia zgjatur mandatin nga 5 vjet që e kishte me ligjin e vjetër, në 7 vjet me ligjin e ri. PD i sjell në vëmendje mazhorancës se nuk mund të bëjë interpretime të ndryshme të një situate të njëjtë në varësi të qëllimit të saj për të kontrolluar politikisht zyrtarin përkatës.

 Një tjetër argument që jep PD ka të bëjë me faktin se Neni 109 i Kushtetutës parashikon zgjedhjen e një Prokurori të përkohshëm vetëm kur Prokurori në detyrë i ndërpritet mandati para kohe.

Në këtë mënyrë PD kërkon nga mazhoranca ndërprerjen menjëherë të procedurës që ka nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin. PD thotë se “Çdo veprim i kundërt nga mazhoranca do të ishte provë e qartë e vullnetit të saj të hershëm për kapjen politike të organeve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë”.

Kryeministri Edi Rama i shtriu dorën e bashkëpunimit kryetarit të PD, Lulzim Basha për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri. Maxhoranca ka paralajmëruar emërimin e një Prokurori të përkohshëm, pasi sipas pretendimeve të shumicës mandati i Llallës mbaron në datën 7 dhjetor.

Ndërsa opozita ka kundërshtuar me argumentin se Kushtetuta nuk parashikon ndërprerje të mandatit. Por mesa duket kreu i qeverisë Rama kërkon një zgjidhje të përbashkët me opozitën, një lëvizje kjo e ngjashme me periudhën para zgjedhore që i dha fund krizës politike me marrëveshjen politike të 18 majit.

Përmes një postimi në Facebook mbrëmjen e djeshme, Rama ftoi Lulzim Bashën në tryezë për të zgjidhur këtë çështje, si pikënisje, shkruan kryeministri, të një pakti për Europën. Por Basha sot e refuzoi duke deklaruar se Llalla duhet të qëndrojë në detyrë derisa ta shkarkojë KLP.  Megjithatë Komisioni i Ligjeve sot do të mblidhet për të nisur procedurën për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Përgjithshëm

Letra e Bashës për Kuvendin
Fakti i parë –Kushtetuta e thotë qartë: Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo kompetencë e KLP parashikohet në pikën 2 të nenit 148/c të Kushtetutës, ku thuhet se “Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.

PD vlerëson se deri në ngritjen e KLP-së dhe plotësimit të boshllëkut kushtetues dhe ligjor është e pamundur që Kuvendi të marrë kompetencën e një institucioni të pavarur të drejtësisë.

PD shprehet se ajo nuk ka qëndrim përfundimtar për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit nga 5 në 7 vjet të Prokurorit të Përgjithshëm. Përgjigjen për këtë dilemë nuk mund ta japë politika, por e jep vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë si institucioni i vetëm që deklaron mbarimin e mandatit.

PD vëren se një situatë të ngjashme për Inspektorin e Lartë te Deklarimit të Pasurive, kjo mazhorancë e zgjidhi duke ia zgjatur mandatin nga 5 vjet që e kishte me ligjin e vjetër, në 7 vjet me ligjin e ri. PD i sjell në vëmendje mazhorancës se nuk mund të bëjë interpretime të ndryshme të një situate të njëjtë në varësi të qëllimit të saj për të kontrolluar politikisht zyrtarin përkatës.

Fakti i dytë – Neni 109 i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm pasi ai parashikon zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshsëm vetëm kur Prokurorit në detyrë i ndërpritet mandati para kohe. Aktualisht nuk ekziston një rrethanë e tillë. Edhe nëse do të ishim në rrethanat e ndërprejes së mandatit, neni 109 për Prokurorin e Përkohshëm, përcakton se  duhet të përmbushen dy kushte:

1-    Kandidatët për Prokuror të Përkohshëm të Përgjithshëm duhet të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut.

2-    Kryeprokurori i Përkohshëm zgjidhet me votat e 3/5 e anëtarëve të Kuvendit.

Në përfundim, PD shprehet se:

·        Të merret vlerësimi/opinioni i Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e boshllëkut/ngërçit kushtetues apo ligjor.

·        Deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues dhe ligjor apo deri në krijimin e KLP, është e pamundur që të procedohet me zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, qoftë ky edhe i përkohshëm.

·        Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet i përfunduar vetëm nga KLP dhe neni 109 është i pazbatueshëm. Për këtë shkak PD kërkon nga mazhoranca ndërprerjen menjëherë të procedurës që ka nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

PD thotë se “Çdo veprim i kundërt nga mazhoranca do të ishte provë e qartë e vullnetit të saj të hershëm për kapjen politike të organeve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë”.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?