Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se nuk pret që letra e një grupi të kongresistëve amerikanë, dërguar presidentit amerikan, Joe Biden, ta ndryshojë politikën e SHBA-së ndaj Serbisë.
“Mund të jem naive, por nuk pres asgjë”, tha Bërnabiç.
Sipas disa mediave, disa kongresistë amerikanë i kanë bërë thirrje Bidenit që të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve ndaj personave të caktuar, të cilët, siç kanë thënë, kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.
Në atë letër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, akuzohet për thellim të korrupsionit dhe thuhet se liria e mediave në Serbi ka arritur në pikën e re më të ulët.
Mediat pro-qeveritare, thuhet në letër, kanë avancuar në zhvillimin e “marrëdhënieve reciprokisht të dobishme me Qeverinë”, ndërsa punët e kompanisë shtetërore “Telekom Srbija” janë “të mbuluara me fshehtësi”.
Bërnabiq tha se është më se e qartë se letra është rezultat i një fushate të lobimit.
Më herët, presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka thënë se duket sikur “dikush ka shkruar qëllimisht kundër Telekomit” dhe se ai është gjendur aty “ashtu si udhës”.
“Shkruani rezoluta, shkruani deklarata, shkruani çfarë të doni, në fund të gjithë ne qëndrojmë para qytetarëve të Serbisë dhe ata e marrin vendimin përfundimtar”, ka thënë Vuçiç.
Letra është nënshkruar nga kongresistët: Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern, Mike Quigley dhe Jim Costa.
Ajo është publikuar fillimisht nga e përditshmja malazeze Vijesti dhe portali rajonal N1./REL