Kryeministria hap dyert
Rama: Rilind "Nata e Bardhë"

29 Nëntor 2013, 19:50| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Rikthimi i festimit të “Natës së bardhë” në kryeqytet vjen plot surpriza dhe aktivitete. Pasditen e sotme, kryeministria ka hapur dyert për të pritur qytetarët e të gjitha grupmoshave. Në “Sallën e Hartave” ku ndodheshin të rinj e qytetarë të moshave të ndryshme, kryeministri Rama është ndalur tek rikthimi i kësaj tradite, duke e quajtur “Rilindje të Natës së Bardhë”.

"Unë doja të shfrytëzoja këtë rast, që kemi edhe televizionet këtu live, për t’ju përcjellë të gjithë qytetarëve drejtpërdrejtë, në vigjiljen e kësaj nate të gjatë, e kësaj Nate të Bardhë, e kësaj nate të çlirimit të vendit tonë, jo vetëm urimin për këtë festë të mrekullueshme të 29 Nëntorit, për këtë ditë të bekuar të çlirimit të vendit tonë nga një e keqe shumë e madhe si pushtimi nazi-fashist, por edhe për t’ju thënë që për fat të keq kësaj here, në këtë rikthim, në këtë Rilindje të “Natës së Bardhë”, për arsye të procedurave shumë të ndërlikuara të burokracisë së sigurisë së godinës, ne nuk mundëm ta hapim godinën për të gjithë. Por, njëkohësisht, edhe për një arsye tjetër, t’ju them të drejtën, sepse ende godina nuk është plotësisht e vizitueshme, gjë që do të bëjë pjesë në surprizat e Natës së Bardhë të vitit të ardhshëm.
 
Ne duam që përveç kësaj salle (Salla e Hartave), që tanimë është bërë e famshme dhe ndërkohë, ju siguroj se tërheq vëmendjen e çdo vizitori të huaj që vjen për ta parë nga jashtë Shqipërisë, tërheq vëmendjen edhe të atyre vizitorëve që vijnë nga vende ku ka plot mrekulli.
 
Ne duam që të krijojmë edhe hapësira të tjera të rindërtuara, për t’i dhënë mundësi publikut që ta vizitojë Kryeministrinë jo vetëm në rastin shumë të posaçëm të festës së Natës së Bardhë, por edhe në ditë të caktuara të vitit. Duam të ndërtojmë një bibliotekë publike të Kryeministrisë; duam të ndërtojmë një hapësirë koncertesh dhe njëkohësisht, duam të kemi dhe një hapësirë tonën për të ekspozuar vepra të artistëve shqiptarë ose të huaj, edhe këto të mundshme për t’u parë nga publiku; duam, po ashtu, që të krijojmë kushte që edhe mjediset përreth Kryeministrisë të kthehen në mjedise që të jenë të shfrytëzueshme nga qytetarët.

Dhe, aty ku deri para pak kohësh kishte rrethime, parkime, godina të shëmtuara pa leje, një hapësirë e tërë publike e keqtrajtuar, por njëkohësisht edhe e humbur për qendrën e qytetit, të kemi një hapësirë publike jo vetëm të ripërtërirë, por edhe shumë të veçantë. Këtë po e bëjmë dalëngadalë. Do të kërkojë edhe pak kohë, por jam i bindur që do të jetë një tjetër pjesë e rifituar e kryeqytetit të ëndrrave dhe shpresave tona dhe në radhë të parë, të ëndrrave dhe të shpresave të më të rinjve, të fëmijëve dhe sigurisht, të më të moshuarve.
 
Më kanë thënë që sot janë disa grupe. Ju jeni grupi i parë. Më vjen shumë mirë që shoh të rinj, shoh fëmijë, shoh fëmijë më të bardhë, shoh fëmijë më me ngjyrë dhe kjo është një gjë shumë e bukur. Është një shprehje e vogël e shembullit të një bashkëjetese harmonike që ne trashëgojmë, por që duam ta forcojmë mes njerëzve të të njëjtit komunitet, të të njëjtës bashkësi, të të njëjtës familje, të familjes tonë shqiptare.
 
Unë besoj se juve do largoheni nga kjo godinë me një kujtim të bukur. Jam i bindur që kur të ktheheni vitin e ardhshëm do të zbuloni gjëra të reja. Siç ju thashë, vitin e ardhshëm do të ketë edhe më shumë njerëz. Besoj do kapërcejmë edhe ato pengesat që janë pjesë e procedurave të sigurisë së godinës dhe besoj se hapësirat për të cilat unë fola do t’i kemi në dispozicion.
 
Megjithatë, besoj që ju keni kuriozitet që të shikoni edhe sallën e Qeverisë dhe mund të uleni edhe në karriget e Qeverisë. Dhe me siguri, me kërkesën time, pjesa që merret me administrimin e godinës do t’ju japë mundësinë që të shikoni edhe zyrën e Kryeministrit. Edhe ajo është akoma e pa sistemuar ashtu siç duhet për një zyrë Kryeministri të një vendi në mes të Evropës dhe për një godinë kaq interesante sa kjo, që është pjesë e një trashëgimie të rëndësishme kulturore të qytetit, por edhe të vendit tonë. Megjithatë, ju hidhini një sy, me qëllim që kur të vini vitin tjetër të shikoni ndryshimet që, me siguri, do të ndodhin.
 
Faleminderit që erdhët!  Ndërkohë, edhe njëherë, të gjithë të tjerëve që me siguri kanë pasur dëshirë që sot të vijnë apo atyre që gjatë gjithë ditës janë interesuar që a mund të vijnë apo mund të mos vijnë, u them se Nata e Bardhë sot ka shumë aktivitete. Do të jetë hapur përgjatë natës Galeria e Arteve, Cirku, Muzeu Kombëtar, Teatri Kombëtar, Teatri i Operës; do të jenë të hapura përgjatë natës shumë restorante dhe bar-e që do të kenë edhe çmime të Natës së Bardhë, më të ulëta se zakonisht, për familjet që kanë dëshirë që ta kalojnë jashtë një pjesë të kësaj nate; do të ketë muzikë nëpër rrugë. Sigurisht, për ata që janë më të vegjël jam i bindur që me pak mërzi do të duhet të shkojnë në shtëpi më herët ose duke mbajtur fort dorën e prindërve ose të gjyshërve mund të vazhdojnë të rrinë deri sa të mos i zërë gjumi" tha kryeministri Rama.

Gjatë këtij aktiviteti, një orkestër dhome luante muzikë, ndërkohë ka qenë personalisht kryeministri Rama që ka shoqëruar grupin e parë të vizitorëve në kryeministri. Hyrja e vizitorëve u bë në grupe për shkak të sigurisë. Vizitorë ishin kryesisht fëmijë, mes të cilëve dhe nga komuniteti rom.

edi rama
(Foto/Kryeministri Rama me vizitorët në "Sallën e Hartave")

19:20 RAMA: MIRËNJOHJË PËR ARTISTËT, ARTI MUND TË SJELLË TRANSFORMIME TË MËDHA
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për të gjithë qytetarët për “Natën e Bardhë”, kryeministri i vendit Edi Rama ka zhvilluar një takim me artistët.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë ka shprehur mirënjohje për artistët, ndërsa tha se “ky takim është një përpjekje për të krijuar një vazhdë takimesh në një hapësirë të re dialogu që duam të vendosim në atë që duam t’a quajmë bashkëqeverisje kulturore”.

Kryeministri Rama shtroi nevojën e krijimit të hapësirave të reja për ide, projekte dhe aktivitete, duke theksuar se “Arti mund të sjellë transformime të mëdha”.

“Do doja të shprehja falenderimet për prezencën shumë të çmuar tuajën sot këtu. Është shprehje e një apeli të madh të Shqipërisë, dhe që modestisht ne po e bëjmë në emër të Shqipërisë, si shprehje e nevojës për talenntin, pasionin dhe ndihmën tuaj. Para pak ditësh në këtë sallë ishim me një grup mjekësh të diasporës shqiptare, dhe dëshira jonë është që ky apel të përfshijë dhe të tjerë.

Ky takim nuk është një qokë, por është një përpjekje për të krijuar një vazhdë takimesh në një hapësirë të re dialogu që duam të vendosim në atë që duam t’a quajmë bashkëqeverisje kulturore.

Duke dashur që t’i japim politikës sonë kulturore sa më shumë nga mendja juaj, dhe jetës tonë kulturore sa më shumë nga zemra juaj. Shumë prej jush kanë ardhur në Shipëri dhe kanë shfaqur talentin e tyre, por e di po ashtu që deri më sot për shumë arsye dhe pa bërë me faj askënd, nuk është bërë një përpjeke për të nxjerrë një përfitim të përbashkët nga ajo që gjithmonë e më shumë formësohet nga secili prej jush.

Dikur kam qenë edhe unë një artist në emigracion. Formësohet si nevojë për t’i kthyer vendit diçka. Salvador Dali, kur i dhanë titullin anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Francë, përballë një salle që e priti me pompozitet të madh, tha “ju të gjitthë jeni këtu për të më duartrokitur mua, por askush nga ju nuk më hyn në sy, sepse s’di a më kujtojnë më ato pleqtë e fshatit tim”.

Ju po pyesni se ç’rezultat mund të kenë këto takime, përtej kënaqësisë që na shohin të gjithë bashkë, kam shpresë që të kenë rezultat këto takime.

Këtu me lehtë se askund duhet të kuptohet nevoja e krijimit të hapësirave të reja që më pas të krijojnë ekfetin zinxhir i cili vë në lëvizje ide, projekte dhe krijimin e veprave të gjithëllojshme, atë që ishte shkëndija që i dha jetë një momenti shumë të bukur ndryshitrimi, që ishte në 23 qershor. Këtu nuk dua të flas për ndryshimin politik, por për ndryshimin e përgjithshëm që populli kërkon të shohë. Arti mund të sjellë transformime të mëdha”, tha kryeministri Rama.

SONTE NATA E BARDHE, SURPRIZA, JAZZ E ROCK TEK MUZEU HISTORIK
Qeveria rikthen traditën e Natës së Bardhë, një festë simbol për 29 nëntorin, ditën e çlirimit, e cila nisi të festohej kur Edi Rama ishte në krye të bashkisë së Tiranës por që u hoq nga lista e aktiviteteve që nga 2011 kur në bashki erdhi Lulzim Basha.
 
Festimet për Natën e Bardhë do të përqendrohen në Muzeun Historik Kombëtar, ku do të ketë surpriza të ndryshme për rininë, që Shqiptarja.com i zbulon për ju. Në ambientet e Muzeut Historik, në një prej sallave të tij, do të ketë koncerte nga banda muzikore të rrymës, rrok, jazz e rryma të tjera për rininë.
 
Aktiviteti në Muzeun Historik është “Një mendësi tjetër për rininë”. Gjatë gjithë ditëve të festave, janë bërë shfaqje filmash falas me tematike për festat e Nëntorit. Gjatë natës sonte, të gjitha sallat e Muzeut Kombëtar do të jenë të hapura për vizitorët.
 
Gjithashtu do të ketë edhe një konferencë mbi kreativitetin, Kulturën dhe Rininë me qëllim nxitjen e saj drejt artit dhe Kulturës. Konferenca do të organizohet nga muzeu Historik Kombëtar, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Mirëqënie Sociale.
 
Një sërë aktivitetesh në zona të tjera të Tiranës, do të jenë të hapura për qytetarët prej orës 19.00 të pasdites së sotme deri në orën 4 të mëngjesit të 30 nëntorit, duke sjellë kështu një frymë ndryshe nga vitet e tjerë, ku përveç muzikës e koncerteve festive në kryeqytet, kjo festë është konceptuar edhe si një natë e gjatë për të sjellë artin pranë publikut. 
banda muzikore te muzeu historik
(Në foto: Banda muzikore duke performuar në hyrje të muzeut)
 
TE GJITHA SALLAT DO TË JENË NË DISPOZICIONIN E VIZITORËVE
“Galeria Kombëtare e Arteve i bashkohet për herë të parë 120 qyteteve europiane të cilët kanë tashmë traditën e “Nata e Muzeve” e praktikuar që nga viti 1997. Vizitorët do kenë mundësi të shikojnë falas ekspozitat dhe shfaqje të tjera”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
 
“Programi i festimeve të Natës së Bardhë në Teatrin Kombëtar fillon në orën 18:00”, shkruan kryeministri Rama në Facebook. Sipas tij, “kinematë do jenë hapur për të gjithë gjatë Natës së Bardhë!”
 
NJË MENDËSI TJETËR
“Aktiviteti më alternativ i Natës së Bardhë për rininë do të ndodh sot tek Muzeu Historik. Duke filluar nga ora 19:00 deri ne 04:00 sjellin një dimensioni të ri kulturor për rininë”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.
 
Të mërkurën, 27 nëntor ishte Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ajo e cila deklaroi se nata e bardhë këtë vit, përveçse muzikë dhe festë është konceptuar edhe si një natë e gjatë e muzeve ku teatrot, muzetë, cirku apo institucionet e tjera të kulturës do të qëndrojnë gjatë gjithë natës hapur.
 
Redaksia online
(e.s/ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?