Kryemadhi: Bashkojmë votat me
qeverinë vetëm për minatorët

2 Nëntor 2017, 15:57| Përditesimi:

  • Share
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me minatorët e Bulqizës për Statusin e Minatorit. Gjatë fjalës së saj në këtë takim, kryetarja e LSI tha se minatorët kërkojnë atë që u takon dhe jo lëmoshë.

Kryemadhi i bëri thirrje qeverisë që të sjell sa më shpejt statusin e minatorit në Kuvend. Ajo tha se LSI nuk është në opozitë me qeverinë për statusin e Minatorin. ‘Nëse qeveria sjell në Kuvend statusin e minatorit, të 19 votat e LSI do të jenë pro”, tha kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Fjala e plotë, Monika Kryemadhi
Ju falënderojmë për angazhimin dhe pjesëmarrjen tuaj në këtë takim. Në fakt kjo nuk ka të bëjë fare me politikën edhe pse vetë prezenca jonë sjell politikë. Jo pa qëllim ne zgjodhëm këtë ditë të enjte për ta bërë takimin me ju për të dhënë edhe një mesazh që duam të bëjmë politikë ndryshe. Duhet të harrojmë politikën e sharjeve dhe të fyerjeve dhe t’i kthehemi politikës së zgjidhjes së halleve dhe të diskutimit.

Është tjetër gjë sesa shpatullat tona si parti politike mbajnë për këtë gjë por ajo që ne duam të bëjmë është të nisim një iniciativë. Jo pa qëllim ne duam ta bëjmë bashkërisht këtë iniciativë duke filluar nga Bulqiza, por duke vijuar edhe me Martaneshin, me Pishkashin, me Mborje-Drenovën, Selenicën, Kukësi e shumë vende të tjera, sepse nga të gjitha vendet që kanë pasuri minerare kanë qenë zhvillimi i Shqipërisë. Pavarësisht se është e padukshme për ne që jetojmë në Tiranë, është e padukshme për ne politikanët, është e padukshme për mjekët, por është themeli i zhvillimit të Shqipërisë dhe i rritjes ekonomike të vendit tonë.

Minatorët kanë sakrifikuar jetën e tyre, kanë derdhur djersë dhe gjak, për të arritur atë çka ne sot kemi por faktikisht nuk kërkojnë lëmoshë por kërkojnë mirënjohje dhe atë çfarë u takon. Lëmosha i fyen dhe mosbërja e një statusi për minatorët në fakt është fyerje dhe harresë ndaj brezave të tërë por edhe për atë çka presim në të ardhmen.

Ne këtu nga Bulqiza duam t’i themi qeverisë shqiptare që të vijë të ulet këtu dhe të bisedojë me ju. Po u themi që ne nuk jemi në opozitë me qeverinë shqiptare për Statusin e Minatorit. Në momentin që qeveria do ta sjellë këtë status në Kuvend votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë të gjitha, 19 vota, pro Statusit të Minatorit.

Sigurisht që i kërkojmë qeverisë që të largohet nga kazani i oligarkëve sepse ata pasurohen çdo ditë me mundin dhe me djersën e minatorëve. Vetëm për këtë vit janë fituar rreth 40 milionë euro dhe fatura e Statusit të Minatorit që kemi paraqitur ne në Parlament nuk është më shumë se 10 milionë euro në vit. Pra nuk është as 25 për qind të atij fitimi të pastër që merr vetëm nga renta minerare që paguan miniera. Nuk po llogarisim këtu dividendin, tatimin që vendoset, transportet apo naftën që shpenzohet dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Nuk po llogaris as kontributin pafund 70-vjeçar të kësaj miniere apo edhe i shumë minierave të tjera.

Prandaj duam që këtë bashkëbisedim me ju ta zhveshim nga politika dhe të diskutojmë dhe të hyjmë në detaje më të rëndësishme dhe të domosdoshme. E ndiejmë shumë të domosdoshëm bashkëbisedimin me ju. Vetë konfliktet politike na kanë larguar nga njerëzit dhe ne nuk duam që të bëjmë politikë nga foltorja e Parlamentit por të bashkëbisedojmë me ju që këtë bashkëbisedim ta kthejmë në një politikë produktive dhe në shërbim të njerëzve.

Ne në fakt ia kam dhënë disa herë shansin Kryeministrit tonë për të qeverisur dhe nuk ia kemi dhënë shansin që meritojnë asnjëherë minatorëve. Ndaj është momenti që me këtë status t’ia japim shansin minatorëve sepse e meritojnë dhe ne si klasë politike ndihemi mjaft borxhlinj ndaj jush.

Unë ju falënderoj shumë. Me respekt dhe mirënjohje përulem ndaj punës suaj, ndaj djersës suaj, dhe do të bëjmë të pamundurën për ta çuar këtë projekt deri në fund. E thashë edhe më parë që votat e LSI-së janë të gjitha, pa asnjë mëdyshje, pro Statusit të Minatorit.

Nuk do të ndalemi duke punuar për këtë gjë. Dua të falënderoj këtu edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, që është edhe kryetar i komisionit, i cili pavarësisht burokracisë parlamentare ai e futi menjëherë në komision për të hyrë në proces dhe për t’ia çuar sa më shpejt qeverisë shqiptare për të kthyer mendimin.

Ne, edhe për projektbuxhetin që na kanë sjellë do të shikojmë mundësitë sepse janë të pafundme për të miratuar që në buxhetin e ardhshëm këtë faturë financiare që kërkohet për Statusin e Minatorit. Unë ju falënderoj shumë dhe jam shumë e gatshme tani për të bashkëbiseduar me ju për sa i përket këtij problemi dhe për të marrë sa më shumë argumente të tjera.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?