Kryebashkiakja Sako: Rindërtimi nuk ndalet nga pandemia! Vendimi për mbylljen e fasonerive, delikat! (Punonjësit protestë për pagën e luftës)

24 Prill 2020, 11:18| Përditesimi: 24 Prill 2020, 11:42

  • Share

Kryetarja e re e komanduar Emirjana Sako ishte sot në shembjen e një shkolle në Sukth, në kuadër të procesit të rindërtimit pas dëmeve të mëdha që tërmeti i 26 nëntorit la në shumë institucione. Në një prononcim për mediat ajo tha se rindërtimi nuk ka ndaluar pavarësisht pandemisë, ndërkohë që vijon shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë.

"Sot jemi në shkollën "Njazi Mastori" në Sukth për të filluar procesin e prishjes së godinave, nisim me këtë shkollë, por edhe në Ishëm po prishën edhe dy godina qendra shëndetësore. Në bashkinë Durrës do prishen 15 godina arsimore pasi kanë dëme të rënda nga tërmeti dhe amortizimit, dhe 7 të tjera do të rikonstruktohen. Rindërtimi nuk ka ndaluar pavarësisht pandemisë, por kemi vijuar dhe ndihmën për familjet në nevojë ku deri më tani janë ndihmuar rreth 3000 familje në total, me fokus pensionistët, familjet e dëmtuara nga tërmeti apo që jetojnë në çadra, të papunët", u shpreh kryebashkiakja e re.

Referuar fasonerive, ajo tha se qyteti i Durrësit nuk ka vatra problematike, siç rastet me koronavirus kanë shpërthyer në Krujë, por tha se gjithçka është duke u koordinuar me administratorët e shoqërive, ndërsa vendimi për mbylljen sipas saj është delikat.

"Në Durrës nuk ka pasur vatra konkrete problemi me fasoneritë për COVID-19. Mbyllja e tyre është një vendim delikat sepse nga njëra anë çon njerëzit në shtëpi, nga ana tjetër ne kemi prioritet jetën, me këtë koordinim pune po përpiqemi me administratorët e shoqërive ta menaxhojmë këtë situatë", tha Sako.

Sako, e cila mbante postin e nënkryetares së Bashkisë, mori detyrën ditën e djeshme pas dorëheqjes së Zhuljen Varfaj për arsye shëndetësore, pasi do t'i nënshtrohet një operacioni në zemër.

Por nga ana tjetër, ditën e sotme, punonjës të një fasonerie në zonën e ish-Kënetës, protestuan duke kërkuar transparencë nga drejtuesit e tyre lidhur me pagesën e luftës. Fasoneria e tyre është mbyllur që me datën 11 mars dhe për periudhën 11 mars, kohë prej së cilës nuk janë paguar, ndërkohë që për pagën e luftës shprehen se aplikimet e tyre nuk pranohen në sistemin e Tatimeve. Për Report Tv punonjësit e fasonerisë thonë se te dega e Tatimeve u është thënë se pronari nuk e ka deklaruar të mbyllur aktivitetin ndaj i janë pranuar aplikimet në sistem.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?