CRIME STORY/ Kronika e përgjakur e pushtimit italian më 7 prill të 1939

19 Prill, 22:14| Përditesimi: 20 Prill, 14:16

  • Share

Trupat ushtarake italiane realizuan më 7 prill të vitit 1939 pushtimin e vendit fqinj, Shqipërisë.

Rezistenca e ushtrisë shqiptare do të ishte krejtësisht minimale. Brenda një date kalendarike, trupat italiane do të kapnin kryeqytetin, Tiranën, dhe 2-3 ditë më pas, pushtimi i gjithë territorit të Shqipërisë, do të quhej i përfunduar.

Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, propaganda do të prodhonte pambarim filma, dokumentarë, do të vinte në skenë pjesë teatrale, do të publikonte studime historike, libra artistikë, poezi, tregime, novela, romane etj, të gjitha me temë rezistencën kundër pushtimit fashist-italian apo edhe nazi-gjerman dhe kjo nuk do të reshtte deri në fund të epokës së tyre.

Tam-tamet e propagandës për historinë e pushtimit italian, kishin efektin e një refreni të përsëritur dhe ngulitur në mendjen e gjithkujt, që fliste për tradhëtinë e madhe të Mbretit Zog, lënien e ushtrisë në mëshirë të fatit, pa armatimin e nevojshem, apo me armë të sabotuara.

Por si është e vërteta?

Provat historike thonë se, megjithë largimin nga Shqipëria, Mbreti Zog e dëshironte shumë një rezistencë të fuqishme ushtarake, por kjo nuk ndodhi, pasi tjetërkush e sabotoi atë.

Për herë të parë, cikli i dokumentarëve CRIME STORY sjell një numër dokumentesh ekskluzive, të firmosura nga ushtarake italianë që morën pjesë në pushtim, të cilat zbardhin të vërtetën e datës 7 prill 1939.

Një e vërtetë që thotë se rezistencën e sabotuan dhe zvogëluan, në minimumin e mundshëm, shërbimet sekrete italiane, sidomos oficerët italianë që drejtonin Marinën Ushtarake Shqiptare si dhe funksionarët e konsullatës së Durrësit, që të gjithë të mbështetur nga një pjesë e mirë e nëpunësve filoitalianë të administratës së Mbretërisë Shqiptare.

Ja dhe përmbjatjja e njërit dokument:

Mbërritën në bordin e anijes, veç personalit të nëpunësve, edhe materialet e mëposhtme:

2 stacione radio-transmetimi klandestine, të gjitha çarqet e tre baterive navale të pozicionuara në Durrës, gjilpërat e dy topave 47 milimetër të Torres së Marinës, pjesë të ndryshme të neutralizimit të 8 mitralozëve (6 në Torre dhe 2 në konsullatë), shulet e të gjitha pushkëve, shifrarët e të gjithë arkivit sekret dhe rezervat të komandës, si dhe sende të ndryshme personale.

Kjo ka mundësuar, që gjatë zbarkimit asnjë lloj armatimi i Marinës, i pozicionuar apo ekzistues në Durrës, të mos përdoret kundër nesh.

Këto të dhëna, që publikohen për herë të parë dhe që vërtetojnë sabotimin e të gjitha armëve të kalibrave të mëdhenj e të vegjël të reparteve të ushtrisë shqiptare në Durrës, gjenden në raportin e një prej oficerëve italianë, i cili, për ironi të fatit, deri në datën 7 prill 1939, kishte qenë pjesë e Marinës Ushtarake Shqiptare.

Si të njoftonte përfundimin e një epoke, më 8 prill 1939, në datën e përpilimit të raportit, ai ka shkruar: “ish-marina shqiptare”.

Në fakt pushtimi i Shqipërisë kishte qenë një ëndërr e vjetër e idhtarëve të Perandorisë Romake.

Një ëndërr që ishte rizgjuar me ardhjen në pushtet të Benito Musolinit.

Pas ardhjes në pushtet, ai e kishte zgjidhur qesen për Shqipërinë duke akorduar, qysh në vitin 1925, një hua goxha të fryrë, prej 50 milion frangash ari.

Qëllimi i Musolinit ishte diabolik, pasi pjesa më e madhe e të hollave do të shkonin për ndërtimin e sistemit rrugor të Shqipërisë, sidomos të segmenteve që shkonin drejt kufijëve me Greqinë dhe Jugosllavinë.

Me anë të një dekret-ligji shuma u përpjestua në këtë mënyrë:

Për rrugët do të shpenzoheshin 14.2 milionë franfa ari.

Për ndërtimin e urave - 10.5 milionë.

Për ndërtimin e porteve - 6.6 milionë.

Për hekurudha - 3.3 milionë franga ari.

Për ndërtesat qeveritare - 9.7 milionë franga ari, e të tjera.

Por Benito Musolini nuk do të hidhte vetëm florinj në Shqipëri. Ai do të instalonte, pranë administratës së Shtetit Shqiptar, edhe një numër specialistësh, sidomos në radhët e ushtrisë.

Për habi, të dërguarit e Musolinit me qëllim organizimin e ushtrisë shqiptare, e kishin krejt të qartë, qysh në vitin 1927, se përse i kishin dërguar në Shqipëri.

Qëllimi final i gjithë punës së tyre ishte përgatitja e terrenit për pushtimin e ardhshëm.

Organizimi i Ushtrisë Shqiptare me ndihmën e këshillatarëve italianë fillimisht u përqendrua te Krijimi i Marinës Ushtarake dhe forcave Tokësore. Krijimi një Force Ajrore mbeti vetëm një dëshirë.

Porse, në kuadër të organizimit të ushtrisë shqiptare, blerja e parë e madhe e mjeteve shkon keq, pasi vërtetohet një skemë korrupsioni.

Fjala është për dy anije ushtarake të përdorura, të blera në Gjermani, fillimisht të prodhuara si minahedhës cektinash, apo bregdetarë.

Qëllimi kryesor i blerjes ishte përdorimi i tyre për të goditur kontrabandën detare të mallrave të ndryshme, që në këtë periudhë ishte krejt e pakontrolluar.

Për habi, shtetarët shqiptarë të kohës reaguan, duke ngritur edhe një komision hetimor, të drejtuar nga Rauf Fico.

Koha do të tregonte se anijet e blera në Gjermani ishin krejt të pa përshtatshme për të bllokuar kontrabandën, dhe se, për këtë qëllim, duheshin anije të tjera.

Prag pushtimi italian do ti gjente forcat ushtarake shqiptare edhe të drejtuara nga ushtarakë italianë, edhe pa moralin e duhur për të mbrojtur atdheun.

Për më tepër që të gjitha armët e rënda, përfshirë topat bregdetarë, mitralozët apo edhe të gjitha armët e lehta, ishin sabotuar.

Gjithsesi rezistencë organizohet.

Ajo do të komandohej nga Major Abaz Kupi i xhandarmërisë, forcat e të cilit posedonin edhe tre mitralozë austriakë si dhe një bateri prej 4 topash “SKODA”, sërish të prodhimit austriak.

Njëkohësisht, në ndihmë të xhandarmërisë dhe trupave ushtarake do të shkonin edhe disa qindra vullnetarë të armatosur me pushkë të vjetra.

Por le të shohim se si i kanë pasqyruar, në raportet e tyre, ngjarjet e datave 6 dhe 7 prill 1939, ushtarakët dhe më tej edhe diplomatët italianë të konsullatës së Durrësit.

Veprimi i parë, i kryer në datën 6 prill 1939 do të ishte evakuimi i qytetarëve italianë nga Shqipëria, përfshirë edhe ndonjë funksionar të shtetit shqiptar që mbështeste pushtimin italian.

Ja si i ka përshkruar ngjarjet, në një raport të datës 14 prill 1939,  regjenti i Zëvëndës Konsullatës italiane të Durrësit, një personazh që sa duket ishte pjesë e shërbimit sekret italian:

“Në datën 6, në orën 6, mbërriti në port avullorja luftarake “TIRSO” për të imbarkuar bashkëatdhetarët që kishin mbetur. Në orën 9 TIRSO u zëvëndësua nga Torpediniera LUPO. Në orën 17 të pasdites pasi mblodha edhe 75 bashkëatdhetarë të ardhur nga Burreli, nga Berati dhe pjesë të tjera të Shqipërisë, me komandantin e LUPO-s vendosëm për ti nisur 75 personat me një motovelierë italiane, që patëm fatin ta sekuestronim ndërkohë që futej në port. Kështu që mund të vijoja me operacionin për shpëtimin e Prefektit të Durrësit, Zotit Kodheli që më ishte rekomanduar dhe besuar mua. Edhe pse ky operacion ishte nuhatur nga shqiptarët, zbrita edhe disa herë të tjera në tokë. Në orën 18 komandanti i LUPO-s më këshilloi të mos zbrisja më nga torpediniera, për arsye se shqiptarët mund të më kapnin.”

Gjatë natës mes datës 6 dhe 7 prill 1939 ka pasur edhe tentativa nga rezistenca shqiptare për të bllokuar hyrjen në Portin e Durrësit në mënyrë mekanike. Gjithçka përshkruhet me imtësi në raportin e Konsullit italian të Durrësit.

“Gjatë natës mes datave 6 dhe 7 prill torpediniera bëri lëvizje të ndryshme në port. Nga frika se shqiptarët mund të bllokonin portin me motoveliera, gjeta mundësinë që dy prej tyre ti largoja. Dhe në fakt, afër mbrëmjes, u afrua një anije e vogël mallrash, MISIRI, që ishte ngarkuar me çimento, me qëllim për ta mbytur në hyrje të portit, por kapiteni, në kohën e duhur u largua në distancë, bashkë me çimenton...”


 

 

Foto nga pushtimi i Italisë ndaj Shqipërisë
 

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kent: 23/04/2024 10:48

    E verteta eshte se komandanti nuk shquhet na deshirat por nga veprimi. Ai komandant qe largohet nga fronti i luftes quhet tradhetar e Atdheut! Asgje nuk e justifikon largimin e Zogut. Qe te bindeni ballafaqojeni veprimin e tij me te mbreterve e Greqise, Jugoslkavise, Bullgarise apo Rumanise, qe nuk u larguan sa krisi lufta.

    Përgjigju
  • Gimi: 20/04/2024 20:51

    Shqipetari nuk eshte gje tjeter vetem mercenar dhe kusar,e shet veten per 5 Lele,popull idiot

    Përgjigju
  • Keci: 20/04/2024 13:37

    Po mirë ushtria që u sabotu. Po katundarët tanë duke dhënë vezë të ziera apo duke duartrokitur pushtuesin kush i detyroj? Ku shkuan 9 batalione, pse asnjë pikë rezistencë prej tyre di kush të thotë? Morali?! Hëm, gati 50 % e buxhetit ka qenë për ushtrinë dhe xhandarmërinë ( pra s'kan patur probleme ekonomike) , kush dhe si u dëmtu morali dhe nervi për t'i rezistuar armikut pushtues?!

    Përgjigju
    • Lexues: 20/04/2024 17:18

      Shqiperia ishte bere « republike bananesh » nen qeverisjen e Zogut, megjithese ne letra ia kishin vene emrin monarki. Nje elite e korruptuar deri ne palce mbante fshataret te varfer dhe te paarsimuar. Gjithe buxheti i shtetit varej nga nje kredi dhjetera milionshe nga Italia qe rinovohej cdo dy-tre vjet. Pastaj Italia shihej si force modernizuese. Eshte sikur te grindet Rama, Berisha ose Meta me amerikanet edhe ata te na sulmonin ushtarakisht. Do dilje ti te shkrepje pushken per president Like Floririn duke e ditur qe ai vete e ka mbajtur vrapin ne Greqi me gjithe familjen?

  • Doktori: 20/04/2024 10:01

    Mbreti Zog u tradhëtua nga Mustafa Kruja dhe shumë bejlerë të jugut të Shqipërisë me në krye vrionasit, çka filloi që me kryengritjen e Fierit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi kërkon që Greqia të heqë ligjin e luftës, si e vlerësoni?