Kriza në Ukrainë, ish-ministri i jashtëm Starova: Rusia luajti blofin me letrën për qeverinë shqiptare! Nëse do ketë luftë do cenohet siguria e Ballkanit

10 Shkurt 2022, 19:29| Përditesimi: 10 Shkurt 2022, 22:42

  • Share

TIRANË- Shqipëria është e palëkundur ndaj qëndrimit të saj në krizën mes Rusisë dhe Ukrainës. Duke qenë një vend anëtar i NATO-s, ish-ministri i Jashtëm Arjan Starova tha në 'Studio Live' në Report Tv me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri se vendi ynë është rreshtuar krah Ukrainës njëjtë si vendet që bëjnë pjesë në NATO.

“Shqipëria është pjesë e NATO-s, nëse kemi të artikuluar qartë vendimin e NATO-s, në këtë qëndrim është pjesë edhe Shqipëria. Kemi parë që ka një lloj gërvishtjeje diplomatike nga Rusia me Shqipërinë që kërkojnë të shprehet hapur apo të ketë qëndrim. Unë mendoj që ky është një ngacmim diplomatik, i cili bëhet për të luajtur me nervat e politikës shqiptare, qëndrimi është i NATO-s. Nëse ka ngacmim të tillë Shqipëria ka vend që të shprehet dhe në mënyrë individuale, por unë nuk shpresoj që ajo që do thuhet se s’do jetë ndryshe nga ajo çfarë thotë NATO”, tha Starova në Report Tv.

Referuar letrës së ministrisë së Jashtme ruse që i kërkoi Shqipërisë shprehej qartë nëse i qëndronte angazhimeve ndërkombëtare që sipas Rusisë janë shkelur, Starova thotë se është thjesht një blof diplomatik që Rusia e bën për të luajtur me nervat e politikës shqiptare.

"Presioni që bën Rusia është blof diplomatik. Shqipëria është pjesë e NATO-s. Rusia kot e kërkon këtë gjë, pret ndonjë gjë të re, që të shoh ndonjë të çarë nga vendet e vogla si Shqipëria me vendet anëtare. E bën për të treguar se shiko ju nuk keni mendjen tua. Në fakt Shqipëria gjatë gjithë rrugës së saj të gjitha forcat politike i ka në mbështetje të këtij qëndrimi”, vijoi ish-ministri i Jashtëm", u shpreh Starova. 

Sipas Starovës, nëse do të ndodhte luftë mes Rusisë dhe Ukrainës do të cenohej edhe siguria në Ballkanin Perëndimor. Ai thotë se veprime të ngjashme me ato në Rusi janë parë edhe në Republikën Serpska, ndërsa shtoi se edhe armatimet e Serbisë duhen marrë seriozisht.

“Kjo është një pyetje e rëndësishme, nëse ndodh një gjë e tillë mund të kemi veprime të ngjashme edhe në Ballkan. Shenjat i ka dhënë Republika Sërpska. Serbia bën armatosje prej kohësh. Nuk dua të them se i bën se ka parashikuar këtë periudhë, por kjo armatosje është për ta menduar seriozisht. Nëse nis një konflikt ju e keni të qartë që gjithë situata në Europë çorientohet dhe aktorë të caktuar mund të duan që ti’ bëjnë realitet faktik ata synime që kanë pasur prej kohësh”, tha ai.

Më 5 shkurt kryeministri Edi Rama deklaroi se SHBA dhe vendi ynë do të jenë bashkëpenëmbajtës të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rama shpjegoi se kjo do të thotë se Shqipëria do të ketë rol aktiv në vendimmarrjen në Këshillin e Sigurimit në lidhje me tensionet Ukrainë-Rusi. Rama tha se SHBA është treguar e gatshme për të ndarë me vendin tonë përgjegjësinë e bashkautorësisë për çështje të paqes dhe sigurisë, veçanërisht në lidhje me Ukrainën por jo vetëm.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?