Kriza e çmimeve prek depozitat, Banka e Shqipërisë: Në mars u ulën me 59.5 mln euro, në fund të muajit totali ishte 10.1 mld euro

28 Prill 2022, 16:50| Përditesimi: 28 Prill 2022, 17:04

  • Share

Kriza e çmimeve, po jep efekt të menjëhershëm në xhepin e konsumatorëve. Pas rekordit që arritën kursimet e qytetarëve në vitin e kaluar, këtë vit ka nisur rënia e tyre. Banka e Shqipërisë raporton se prej dy muajsh depozitat e qytetarëve dhe të bizneseve janë në rënie, duke reflektuar kështu ndikimin e rritjes së çmimeve.

Sipas të dhënave stoku i depozitave në mars zbriti në 1 trilionë e 227 miliardë lekë (10.1 mld euro), duke pësuar një rënie prej 7.1 miliardë lekësh (59.5 mln euro), në raport me janarin e këtij viti kur kiza e çmimeve ende nuk kishte nisur plotësisht.

Ulja e kursimeve që kanë qytetarët nëpër banka vjen në një kohë kur çmimet kanë arritur në nivele historike, të ndikuara edhe nga goditja që kanë marrë tregjet ndërkombëtare si pasojë e luftës në Ukrainë.

Për shkak të inflacionit të lartë, dhe shtrenjtimit të kostove të jetesës qytetarët kanë nisur të tërheqin kursimet e tyre, për të përballuar çmimet.

Tendenca për të kursyer që rriti edhe nivelin e depozitave nisi me fillim e pandemisë që në vitin 2020 për shkak të pasigurisë së lartë që shkaktoi virusi, ku qytetarët të frikësuar për të ardhmen vendosën të kursenin duke mbyllur paratë nëpër banka.

Vetëm në vitin e kaluar sipas Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, kursimet e shqiptarëve u rritën me 11.4% në raport me vitin 2020.

DEPOZITAT NË BANKA

Janar 2022               1.234 mld lekë

Mars 2022               1.227 mld lekë

Diferenca                   -7.1 mld lekë

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?