Kristo Frashëri:S'e tregoj kush
e ka dokumentin e pavarësisë

26 Tetor 2012, 14:25| Përditesimi:

  • Share
Profesor Kristo Frashëri, mund të rrëfejë gjatë për pikat nevralgjike të historisë tonë, personazhet e kontestuara, kthesat e befta të disa ngjarjeve kyçe, rolin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, pozicionet që u morën dhe gabimet që u bënë shkak që Shqipëria të zhytej në diktaturën komuniste për 50 vjet. Edhe pse i sëmurë e me aparatin e oksigjenit, ai është i kthjellët, energjik, i kujdesshëm të mos harrojë asnjë detaj dhe krejt i drejtpërdrejtë, pa e fshehur gjykimin e tij dhe arsyet pse e çojnë në atë gjykim. Është mjaft interesnate edhe kjo pjesë e dytë e intervistës me Kristo Frashërin mbi ngjarjet e personazhet kryesore që vlen t'i diskutojmë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë.
Si duhen parë sot personazhet si Ismail Qemali, Esad Pashë Toptani, Fan Nolin, Ahmet Zogu, Bajram Curri, Mit'hat Frashëri apo edhe Enver Hoxha? Pse akademiku Frashëri fajëson Mit'hat Frashërin për zhytjen e Shqipërisë në diktaturën komuniste për 50 vite me radhë? Diskutimi i mbylljes së arkivave greke e serbe, e shtyn akademikun të rebelohet edhe për arkivat tona, duke u shprehur se në to kanë akses vetëm studiuesit me pikpamje të djathta. Ndërsa në fund të bisedës, një çështje mjaft ngacmuese, por që siç duket ende s'do të kemi përgjigje. Ku ndodhet dokumenti origjinal i Shpalljes së Pavarësisë? Emri i poseduesit do të mbetet ende mister...

INTERVISTA VIJOI NE NR E DJESHEM

Profesor Frashëri, janë trajtuar sidomos vitet e fundit në debate të ndryshme e deri në rangjet e larta si rasti i kryeministrit, shumë figura të historisë. Si duhet ta shohim sot p.sh Ismail Qemalin, Esad pashë Toptanin, Fan Nolin, Ahmet Zogun, Bajram Currin, Mithat Frashërin apo edhe Enver Hoxhën...

Unë do të flas në përgjithësi për figurat historike. Çfarë kërkohet nga historiani që të vlerësojë një figurë historike? Para së gjithash jeta e tij personale nuk hyn fare në historinë shtetërore. Kryesorja për të analizuar e portretizuar historikisht një figurë politike është kjo: Çfarë kontributi ka dhënë gjatë kohës që ai ka qenë në krye të shtetit. Si e ka gjetur dhe si e ka lënë? Ka kryer ndonjë hap përpara në përmirësim? Nëse ka kryer përmirësim, 'bravo i qoftë' si i thonë malsorët, pra ai ka një anë pozitive. Nëse e ka lënë shtetin të shkatërruar, sigurisht s'mund të vlerësohet si një figurë pozitive. Kjo është e para. E dyta, nuk ka figurë politike që të mos ketë edhe disa gabime, apo minuse në veprimtarinë politike. Këto nuk duhen harruar, por duhen vlerësuar, duhet bërë ajo që unë e kam theksuar vazhdimisht, kandari solomonian, të vënë nga njëra anë, anët pozitive e nga tjetra ato negative. Nëse peshojnë në favor anët pozitive atëherë themi se ky personalitet ka qenë pozitiv, dhe përmendim çfarë ka bërë. Por duhet të themi që ka edhe disa anë negative. E kundërta nëse ai ka kokë e këmbë anë negative atëherë do të themi se ky njeri ka qenë i mbrapshtë, i ka sjellë dëme shtetit, por ka edhe ndonjë gjë të mirë. Mos të harrojmë edhe kriminelët, edhe hajdutët e mëdhenj, edhe tradhëtarët e mëdhenj, për të lehtësuar ndërgjegjen e tyre kanë bërë ndonjë vepër të mirë. Por kjo s'do të thotë se ne tani do të kapemi pas veprës së mirë e të themi: Esad Pashë Toptani ka qenë burrë i mirë e i ndershëm se ka ndihmuar 5 vajza jetime. S'është e drejtë. Ai mbetet figurë negative edhe mund të themi se ai bënte për arsye të qëndrueshme edhe ndonjë vepër pozitive. Nuk jam dakord që po ngrihet lart figura e Mustafa Krujës, sepse paska qenë në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Duhet parë se çfarë ka bërë pas shpalljes së Pavarësisë. Ai ka qenë njeri që ka kryer akte të shëmtuara për historinë e Shqipërisë. Ai qe agjent i fashizmit. Kemi në dokumente që dëshmojnë se prej 1912 ai u rekrutua për t'i shërbyer Italisë dhe ka vazhduar derisa vdiq dhe u bë një kolaboracionist. E si mund të them unë se ky është një figurë pozitive sepse mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë? Unë mund të them: ai bëri mirë që vajti në atë ngjarje të shënuar por atë të mirë që bëri e shkelmoi vetë.
Përsa i përket, këtyre figurave të tjera, Zogu p.sh. (dhe unë së shpejti do të botoj diçka për të), ai është figura më e debatueshme sot. Zogu ka anët e tij pozitive dhe negative. Unë i kam reshtuar në këtë punim dhe do t’i botoj, dhe do t'ia lë opinionit ta vlerësojë. Do t'i them ky ka këto anë pozitive e këto negative. Më thoni ju, dhe unë do të jem me ju. Janë disa fakte që s'mund t’i injorosh, as s'mund t’i mbivlerësosh e as s'mund t'i nënvlerësosh.
Tani vijmë te Noli. Çtë keqe ka ai? Këtë s'arrij ta kupotoj. Për mendimin tim ka vetëm një të keqe, se kishte idera kaq të bukura që nuk ishin të përshtatshme për Shqipërinë. Por ky nuk është faj. Historia e tregoi. Atij i tha: shko më mirë rri e merru me kishë në Amerikë, se sa të merresh me politikë. Politika nuk ishte për të. Ai ishte shumë entuziast. Nuk e njihte tokën ku shkelte. Ai vinte nga Amerika e kujtonte se Shqipëria ishte SHBA. Këto janë gabime, por nuk janë faje. Se ka gabime, por ka edhe faje apo jo...

Po Bajram Curri, edhe ai po kontestohet këto kohë...

Unë s'marr vesh çfarë të keqe i gjejnë Bajram Currit. Ai ishte një malësor, patriot, përfaqësues i një krahine patriote dhe iu kundërvu me egërsi politikës serbe. Ç'të keqe ka këtu? Deri më sot nuk kam dëgjuar nga askush, nga asnjë historian që të numërojë të këqijat që ka bërë Bajram Curri. Nuk kam gjetur. Unë nuk di, por nëse kanë gjetur le ta thonë. Ai që hedh baltë mbi të le të thotë si ka qenë. Ka ndonjë që thotë se ai u bë kundërshtar i Zogut, se Zogu ishte kunati i Ceno Begut.
Nuk e di a është e vërtetë kjo, që ai ka qenë kundështar i Zogut. Por ai nuk ka qenë rastësisht miku i Fan Nolit, apo Luigj Gurakuqit dhe Avni Rustemit. Unë di një gjë, e këtë s'ka burrë që ta mohojë. Kur i thanë Bajram Currit që të vinte kandidaturën për deputet në Tropojë, ai tha: unë nuk jam i zoti për të qenë deputet. Ai u tha tropojanëve, "unë propozoj, që të zgjidhni deputet një djalë të ri që s'është siç mendoj unë. Ky është Avni Rustemi. Mendoni tani, Tropoja me 27 dhjetor 1923, zgjodhi deputet, me vota të kontrolluara edhe nga Ahmet Zogu, që ishte kundërshtar, dhe fitoi Avni Rustemi. Fitoi, sepse ishte solidar me Bajram Currin. Kjo më duket se i bën një nder akoma më të madh edhe Tropojës, që zgjodhi një djalë të ri, një revolucionar, me ide të reja, që ndoshta ishin të parakohshme, por ide qytetëruese, evropiane, pra e zgjodhi deputet, me porosi të Bajram Currit.

Të flasim pak për Luftën dhe dy personazhe që ishin mjaft të lakuar në atë kohë, Mit'had Frashëri dhe Enver Hoxha. Si duhen parë këto dy personazhe në atë kohë?

Nëse flasim për Luftën e Dytë Botërore, është tjetër gjë. Nëse flasim për para Luftën është tjetër situatë. Para Luftës së II Botërore, Midhat Frashëri ka qenë një figurë që ka shkëlqyer. Këtë se kam mohuar. S'mund ta mohoj, e besoj s'ka njeri që mund ta mohojë, përjashtuar këtu disa ekstremistë. Para Luftës ai ishte një student, një djalosh, nuk ka pasur asnjë aktivitet politik, ishte njeri që po përpiqej të hapte rrugën e jetës së tij dhe kaq.
Unë e kam njohur edhe Enver Hoxhën dhe asokohe ai ishte një njeri shumë gazmor, i afërt me njerëzit. Nuk kishte as pikëpamjet politike që pati më vonë.
Vijmë të periudha e dytë, periudha e Luftës. Kjo periudhë kishte pozicione krejt të ndryshme. Ishte Lufta Nacional Çlirimtare. Dy elemente duhet të kemi parasysh. Vendi ishte i pushtuar nga Italia fashiste e mandej nga Gjermania naziste. Bota ishte ndarë në dy kampe, kampi nazifashist që kishte pushtuar Shqipërinë dhe kampi antifashist, ku ishin në krye Anglia, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik. Në këtë ballafaqim dy rrjeshtimesh të mëdha botërore, mori pjesë edhe Shqipëria. Unë këtë di dhe këtë kam vënë re në historitë e gjithë vendeve të Evropës. Të gjithë ato lëvizje që u krijuan paralel me luftën e madhe antifashiste të kampit anglo-sovjeto-amerikan bënë një luftë pozitive. Çurçilli ka thënë: mjerë bota sikur ta fitojë Luftën nazizmi. Do të hyjë në një skllavëri të përjetshme. Kush e di se sa kohë do të shkojnë që të mund të shërohet, sepse ai është një kriminel që kërkon të zaptojë botën.
Për këtë arsye i lanë kontradiktat që pati me Bashkimin Sovjetik, sepse ai qe armiku kryesor i komunizmit, dhe u bashku me Bashkimin Sovjetik, pasi e pa që nazizmi ishte armiku kryesor.
Merita e Enver Hoxhës... dhe këtë s'ka si ta mohojë njeri. Ai u rreshtua me këtë front, ashtu si shumica e intelektualëve, ashtu sikurse edhe Mit'hat Frashëri në fillim. Por gjatë rrugës u ndanë. Pse? Sepse metodat e punës së tyre ndryshonin. Enver Hoxha u rrjeshtua në atë krah që kishte krijuar filozofi të re që Lufta fitohet me pushkë, jo me propagandë. Fitohet me pushkë në fushën e betejës dhe jo në kafene. Kjo ishte filozofia e re, që e përqafuan njerëzait më të mençur të Evrops. Mid'hati qëndroi pas, nuk arriti ta kuptonte këtë. Sepse ishte pjellë e shkollës së vjetër diplomatike, sipas së cilës lufta fitohet me diplomaci. Por ajo kohë kishte kaluar. Ia thanë disa herë edhe misionarët anglezë, edhe miqtë e tij shqiptarë: Nuk është kjo rruga që të çon në fitore. Por ai tha: nuk kemi nge të bëjmë luftë se shkatërrohemi. Shkatërrimi nuk na intereson, sepse ne duam të kemi një Shqipëri të lulëzuar e jo me varreza. Dhe ai hoqi dorë nga lufta, duke thënë jo sot jo nesër, jo ka ardhur koha, jo s'ka ardhur koha... Por nuk ishte e drejtë. Koha kishte trokitur që më 7 prill kur ishte lufta kundër fashizmit. Pra ai mbajti këtë qëndrim.
Unë e kam thënë edhe në një studim timin: Mit'hat Frashëri ishte viktimë e urrejtjes patologjike që kishte ndaj komunizmit. E urrente kaq shumë komunizmin, dhe me të drejtë e urrente, s'po them se nuk kishte te drejtë, por e kishte gabim se nuk dinte ta luftonte komunizmin. Komunizmi nuk luftohej duke bashkëpunuar me gjermanët, por duke luftuar kudër gjermanëve.
Në Francë demokratët francëz nuk iu kundërvunë komunistëve francezë, por bënë garë kush e kush të luftonte më shumë. Po ashtu në Greqi, të djathtët e të majtët nuk luftuan kundër njëri tjetrit, gjatë kohës së pushtimit sigurisht. Kështu që nga kjo pikëpamje Mit'hat Frashëri nuk ka asnjë meritë, përkundrazi ka përgjegjësinë që e çoi Shqipërinë në diktaturën komuniste.
Po të kishte luftuar ai ndoshta edhe do të kisha shkuar në krahun e tij, sepse ishte krahu demokratik. Por ai nuk luftoi dhe ne që donim lirinë e vendit, atë flamur që na doli përpara atë kapëm.
Këta ballistët e sotëm nuk arritën ta kuptojnë se Mit'hat Frashëri ka një përgjegjësi shumë të rëndë, sapë s'mund ti japësh atij sot asnjë dekoratë.

Arkivat e Beogradit dhe arkivat greke kanë qenë të mbyllura për vite me rradhë për historianët tanë. Ende sot vijojnë të jenë të mbyllura..Çfarë dëmi i ka sjellë historisë kjo gjë?
Jam me juve, kur thoni se arkivat e Beogradit dhe të Athinës janë të mbyllura. Jam me ju në këtë pikë. Por a e dini ju që edhe arkivi i Tiranës, i shtetit tonë është i mbyllur për mua, nuk më japin asgjë dhe ju japin vetëm atyre që ata mendojnë se janë të djathtë. Prandaj arkivat për mua janë të mbyllura edhe në Shqipëri.

Çfarë dëmi ka sjellë kjo?

Mbyllja nuk sjell kurrë dobi, vetëm dëme...

Pyetja e fundit profesor, jemi në prag të 100 vjetorit dhe të gjithë uronim që këtë vit të gjendej dokumenti origjinal i shpalljes së Pavarësisë. Ju keni pasur dijeni rreth tij...si është e vërtetë?

Dokumenti i Pavarësisë ka qenë në Tiranë deri në verën e vitit 1962. Për një arsye që s'dua ta them na iku nga dora. I iku nga dora qeverisë. Tani as që jam në gjendja ta ndjek. Unë s'lëviz dot nga vendi. Ai që e kishte na u lut që të mos e zinim në gojë emrin e tij. Dhe unë ia kam dhënë fjalën e s'e tregoj.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?